TAGS-AT E JAVËS

Forum26 Korrik 2025, 13:45

Berisha, “karta” në duart e Ramës që pengon Shqipëria të ketë një opozitë normale

Shkruar nga Spartak Ngjela

Berisha, “karta” në duart e Ramës që pengon

Dhe kjo është në fakt analiza e saktë pse Partia Socialiste ka fituar tri palë zgjedhje eletorale rresht. Dhe do t'i fitojë në vijim edhe të tjerat, për aq kohë sa Berisha të jetë në krye i Partisë Demokratike.

Kryeministër i suksesshëm i një qeverie nuk do të thotë të jetë absolutizmi i tij politik.

Nëntë vite më parë, si sot, kam qenë në majë të Llogarasë. Dhe e kam foton me vete. Shoh veten dhe po mendoj: mua vetë, asgjë nuk më paska ndryshuar!

Por, ktheva kokën mbrapa në kohë dhe po shoh që edhe në Shqipëri, në nëntë vitet e fundit, 2016 - 2025, asgjë nuk ka ndryshuar.

Por ama, nuk jemi njëlloj: se unë e kam në favor këtë stopim në vend; por, për zhvillimin e Shqipërisë, ky është një staniacion në zhvillimin social - ekonomik të saj.

Por, kur një qeveri ka stopuar në vend zhvillimin e një shteti, kjo do të thotë që ajo nuk ka ide të reja dhe nuk di të drejtojë në funksion të zhvillimit kombëtar.

Kryeministër i suksesshëm i një qeverie nuk do të thotë absolutizmi i tij politik, sepse ai nuk ka kundërshtar në partinë e tij dhe; sepse ai nuk ka as parti kundërshtare që mund ta mundë atë në zgjedhjet politike në Shqipëri.

Sepse ky fenomen, në politikën e zhvillimit të një vendi, do të thotë staniacion.

E pra, ne shqiptarët në Shqipëri sot jemi në staniacion.

Atëherë?

Ne nuk kemi gjetur dot ende një rrugë për përmirësim, sepse Partia Socialiste do të jetë fituese absolute në zgjedhjet politike në Shqipëri për aq kohë sa Partia Demokratike të mos ketë kryetar të pranueshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Berisha është shpallur nograta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dhe ky sot është një fakt historik.

Prandaj...

Berisha është sot fati, që koha ia ka blatuar Partisë Socialiste dhe Edi Ramës; për aq kohë sa ai të jetë kryetar i Partisë Demokratike.

Dhe kjo është në fakt analiza e saktë pse Partia Socialiste ka fituar tri palë zgjedhje eletorale rresht. Dhe do t'i fitojë në vijim edhe të tjerat, për aq kohë sa Berisha të jetë në krye i Partisë Demokratike.

Por a e kupton këtë shkak humbjeje Partia Demokratike?

Sigurisht që e kupton; por pyetja kryesore është kjo: nëse Partia Demokratike e kupton këtë; pse nuk e rrëzon Sali Berishën si kryetar?

Pse duhet ta rrëzojë?

Sepse Berisha është shpallur nongrata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe si i tillë, ipso jure: për faktin që kryetari i Partisë Demokratike është shpallur nongrata në Amerikës e gjithë Partia Demokratike është nongrata në Amerikë.

Po Shqipëria dhe Kosova, të dy shtetet shqiptare, a mund të jenë të sigurt pa aleancën e ngushtë që shqiptaria ka sot me Amerikën?

Prandaj...

A mund të vijë dot në pushtet në Shqipëri një parti e cila është nongrata në Amerikë, sepse është e tillë ngaqë kryetarin e saj ajo e ka nongrata në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

Atëherë?

Ja!

Kjo është një pyetje që e ka përgjigjen e vet brenda saj; por gazetarët këtë pyetje duhet t'ia bëjnë Sali Berishës.

Lini një Përgjigje