
Një reflektim i thellë mbi transformimin tragjik të lirisë në burg, nga diktatura me pranga te demokracia me duartrokitje dhe heshtja e një populli që pranon vetëdënimin...
Pas luftës në Kosovë, në një emision televiziv ftuam si të ftuar të burgosurit e Dubravës. Ishin dëshmi tronditëse, histori të gjalla vuajtjeje dhe tragjedie që rëndojnë mbi shpirtin e një populli të pafajshëm, dikur i dënuar në emër të popullit nga një sistem që e kishte kriminalizuar vetë pafajësinë.
Sot, në një demokraci të votuar me zgjedhje “të lira”, zgjedhim vetë liderë dhe prokurorë të korruptuar, të cilët me politikat dhe drejtësinë e tyre, dënojnë popullin që hesht dhe burgosin shpresën e tij. Dikur, në diktaturë, kërkohej pranim i fajësisë si dëshmi e moralit të sistemit. Sot, kërkohet duartrokitje për padrejtësinë, një akt që kthehet në rit ceremonial të një shteti që vetëvotohet për të dënuar vetveten.
Nga burgjet me pranga, kemi kaluar në burgje me duartrokitje. Nga diktatura me mure, në demokraci me mashtrime. Dhe kështu, ndërtohen burgje të reja, një herë me tulla, pastaj me premtime. Jeta ecën e dënuar, ndërsa populli as nuk pyet më veten: a ka shpëtim në pafajësinë e mohuar apo në heshtjen e ngurtësuar?
Dikur, një libër i ndaluar, një fjalë e shkruar, një mendim i lirë shpalleshin krim. Sot, votojmë deputetë me doktoratura false që s’kanë lexuar kurrë një libër, dhe e bëjmë këtë si provë të bindjes sonë ndaj një pushteti që nuk nderon dijen, por e burgos për të mos e takuar kurrë.
Dikur, flisnim shqip në burg për të mbajtur gjallë gjuhën. Sot, jemi krenarë të flasim gjuhë të huaja që na i imponojnë të tjerët, për të harruar kush jemi. Dikur, feja ishte e ndaluar, dhe luteshim në heshtje, në shtëpi, me frikën se ndonjë spiun mund të dëgjonte zërin që i drejtohej Zotit. Sot, e kemi nxjerrë Zotin në rrugë, por e kemi kthyer në frikë, jo në dashuri.
Në shtëpinë tonë, flamuri dikur hapej në fshehtësi, me lot e krenari. Sot, shqiponja dykrenare është kthyer në dekor për selfie dhe treg i shthurur për turizëm dhe banalitet. Nga simbol i gjakut, është bërë stemë e zhveshur nga sakrifica.
Dikur, UDB-ja na burgoste në emër të nacionalizmit; sot, emërimet e liderëve shqiptarë përcaktohen sërish nga dosje të fshehta, nën emrin e “bashkëjetesës”. Ish-presidenti Stevo Pendarovski na tregoi publikisht se kemi votuar liderë që kanë hequr dorë nga të drejtat kombëtare për pushtet dhe pasuri: në emër të popullit.
Kjo nuk është liri. Është një burg shpirtëror. Janë prangat e reja të një demokracie që s’ka më dinjitet dhe që e shet vetveten për një premtim bosh. Një sistem që përmes drejtësisë, medies dhe politikës, e sheh lirinë si rrezik dhe vetëdijen si kërcënim.
Po ndërtojmë një identitet të një kombi të traumatizuar, që fshihet pas plagëve dhe heshtjes. Një komb që, për të mbijetuar, zgjedh të mos jetojë. Një popull që nuk guxon të thotë “mjaft”.
Dikur, UDB-ja, pasi kishte torturuar të burgosurin, ftonte mjekun ligjor për të parë sa gjatë mund të qëndronte trupi i njeriut i gjallë nën grushtin e shtetit. Sot, ky grusht nuk vjen më nga shteti, por nga një ndërgjegje e vrarë, që ka grushtuar vetveten.
Nëse duam të jemi të lirë, nuk mjafton të votojmë. Duhet të guxojmë të pyesim: për çfarë kemi votuar? Të guxojmë të kurojmë plagët tona dhe të shërojmë historinë tonë. Të kthehemi te arsimi, qytetaria, vetëdija, për të mos mbetur më dëshmitarë të vetëdënimit tonë kolektiv.
Dhe një ditë, me zë të qartë, ta pyesim këtë popull:
Çfarë të mire i sollën burgjet që aq shumë i duam?/Pamfleti
Lini një Përgjigje