Qeveria vazhdon të flasë për turizmin, por shifrat tregojnë se prodhimi vendas po humbet terren.
Ka një gjë që nuk arrij ta kuptoj: Çdo javë dëgjojmë për një resort të ri. Një marinë më shumë. Një kompleks vilash buzë detit. Një projekt tjetër që, sipas qeverisë, do ta ngrejë Shqipërinë në elitën e turizmit botëror. Pastaj hap raportin e INSTAT-it dhe më lind dyshimi se ndoshta resortet shqiptare do të ushqehen me beton.
Vetëm gjatë vitit 2025 numri i përgjithshëm i bagëtive u ul me 3,8 për qind. Delet dhe dhitë u pakësuan me 56 mijë krerë, duke rënë nga 1.792 milionë në 1.736 milionë. Derrat shënuan një rënie spektakolare prej 28 për qind, nga 104 mijë në vetëm 75 mijë krerë. Edhe shpendët vazhduan të pakësohen.
Nëse largohemi pak nga një vit dhe shohim çfarë ka ndodhur gjatë tre dekadave të fundit, panorama bëhet edhe më interesante.
Në fillim të viteve '90 Shqipëria kishte mbi 3.2 milionë dele dhe dhi. Sot kanë mbetur rreth 1.5 milionë. Numri i gjedhëve ishte rreth 600 mijë. Sot është rreth 275 mijë. Vetëm nga viti 2021 deri në vitin 2025, numri i gjedhëve dhe i të imtave ka rënë me rreth 18 për qind.
Por, meqenëse shqiptarët i kuptojnë më mirë krahasimet me vitin 1938, kur vendi kishte vetëm 800 mijë banorë, shifrat tregojnë se po e arrijmë me shpejtësi nivelin e kohës së mbretërisë së Zogut: Në vitin 1939, Shqipëria kishte rreth 200.000 krerë lopë.
Në vitin 1990, trashëguam nga komunizmi 633.000 krerë.
Në vitin 2013, numri i lopëve u reduktua në rreth 350.000 krerë.
Deri në vitin 2025, ky numër ka rënë në 263.000 krerë, ku vetëm 170 mijë janë lopë qumështi.
Në pamje të parë këto duken si statistika që interesojnë veterinerët.
Në fakt, ato janë statistika që duhet të shqetësojnë ministrin e Turizmit dhe atë të Bujqësisë. Por, për ta, ndoshta një resort është një fotografi në ekran. Ata jetojnë me pamje 3D dhe me fjalime inaugurimi. Çdo ditë ata nuk konsumojnë mish, qumësht, djathë, kos, gjalpë, vezë, fruta, perime, verë dhe dhjetëra produkte të tjera. Ai ha vetëm video propagandistike dhe projekte 3D resortesh. Pa harruar koncertin e agjentit të Iranit, Kanye West (them agjent i Iranit, meqenëse ai bën deklarata antisemite dhe është adhurues i Hitlerit).
Tani le të kthehemi në terrenin konkret: Nëse çdo vit pakësohen lopët, delet, dhitë, fermerët dhe vetë fshati, atëherë dikush tjetër do ta bëjë këtë punë. Përgjigjja është importi. Fqinjët.
Dhe këtu fillon të kuptohet më mirë modeli ekonomik që po ndërtohet.
Qeveria vazhdon të flasë për turizmin, por shifrat tregojnë se prodhimi vendas po humbet terren. Gjatë vitit 2025 importi i ushqimeve dhe mallrave të konsumit u rrit me rreth 6,2% në volum, ndërsa deficiti tregtar i përgjithshëm i vendit u thellua, duke kapur vlerën rekord prej rreth 5.4 miliardë eurosh. Importet e ushqimeve mbetën sërish në kuotën alarmante të mbi 1.2 miliardë eurove, ndërsa eksportet mbetën sërish tejet të ulëta, rreth 415 milionë euro. Mbi 60 për qind e ushqimeve që konsumohen në Shqipëri janë tashmë produkte të importuara.
Pra, ndërsa na flitet për suksesin e turizmit, ekonomia që duhet ta furnizojë atë po bëhet gjithnjë e më e varur nga jashtë.
Ndoshta kjo nuk është rastësi. Ndoshta modeli nuk është menduar që resortet të furnizohen nga fermerët shqiptarë.
Resorti ndërtohet në Shqipëri. Apartamenti shitet në Shqipëri. Turisti pushon në Shqipëri. Por mishi vjen nga një vend tjetër. Djathi nga një tjetër. Qumështi nga një tjetër. Vera, perimet dhe frutat vijnë prej aty ku kushtojnë më lirë.
Në këtë rast, resorti nuk lidhet me ekonominë shqiptare. Ai lidhet me tregun ndërkombëtar të furnizimit.
Nëse nuk e lidhim këtë me punën e planifikuar të qeverisë, por thjesht me dëshirën e shqiptarëve për të mos jetuar dhe punuar në vendin e tyre, atëherë duhet të shohim disa shifra të tjera:
Shqipëria jep vetëm rreth 52 milionë euro subvencione për fermerët. Kosova, me një buxhet shteti shumë më të vogël, jep mbi 100 milionë euro. Maqedonia e Veriut rreth 120 milionë euro. Serbia afro 1 miliard euro. Greqia rreth 4.5 miliardë euro në vit dhe Italia mbi 9 miliardë euro. Këto vende nuk e bëjnë këtë nga nostalgjia për jetën në fshat. E bëjnë sepse e dinë se pa prodhim vendas nuk ka siguri ushqimore, nuk ka industri ushqimore dhe nuk ka turizëm që të shpërndajë të ardhurat në të gjithë ekonominë.
Siç thotë një këngë që e kishte qejf kryeministri i vendit kur nuk ishte kryeministër: "Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tiranë!". Prandaj, sa më shumë pakësohen bagëtitë, aq më të mëdha bëhen maketet e resorteve.
Sa më shumë mbyllen stallat, aq më shumë hapen zyrat e shitjeve të apartamenteve.
Sa më shumë zbrazen fshatrat, aq më shumë mbushet ekrani me reklama për turizmin elitar.
Ndoshta kjo është arsyeja pse statistikat e blegtorisë nuk prishin humorin e askujt. Ato nuk hyjnë në projektet arkitektonike. Qeveria nuk shqetësohet, sepse këto probleme nuk hyjnë në planet e saj të mëdha të zhvillimit të turizmit elitar. Do të ishte krejtësisht ndryshe, nëse lopët do të shiteshin me metër katror.
Lini një Përgjigje