TAGS-AT E JAVËS

Forum23 Qershor 2026, 21:25

Shqiptarët përballë Ramës, revolta që po trondit Tiranën

Shkruar nga Fred Abrahams
Shqiptarët përballë Ramës, revolta që po trondit
Protesta në Tiranë

Që nga rënia e komunizmit, shqiptarët kanë dalë në rrugë për shumë arsye. Kurrë më parë për një flamingo. Një opinion mbi protestat që po zhvillohen në Shqipëri…

Shkëndija ishin dy projekte luksoze të Kushner-Trump përgjatë bregdetit jugor, njëri në një ishull ish-bazë ushtarake, dhe tjetri në një ligatinë të mbrojtur që strehon shpendë shtegtarë. Kombinimi i një interviste të Ivanka Trump që të kujtonte Marie Antoinette dhe rrahja e një protestuesi lokal i shtyu njerëzit përtej kufirit të durimit.

Por lënda djegëse është grumbulluar prej shumë vitesh, ndërsa shqiptarët shohin bukuritë natyrore të vendit të gllabërohen nga marrëveshje të paqarta që zakonisht përfitojnë një elitë e vogël biznesi dhe politike.

Ne nuk po mbrojmë vetëm mjedisin”, tha një organizatore e protestës, e cila shton “ne po mbrojmë proceset tona demokratike.”

Projekti zhvillues i Kushner-Trump nuk është problemi në vetvete, shpjegon ajo, por edhe protestues të tjerë. Përkundrazi, problemi është mënyra e paqartë me të cilën ky dhe projekte të tjera zakonisht ecin përpara: pa transparencë, konsultim apo debat publik.

Përfitimet ekonomike që premton kryeministri Edi Rama do të ishin të mirëpritura nëse shqiptarët do të ndiheshin të përfshirë ose do të shihnin shpërblimet, në vend të resorteve luksoze pranë fshatrave, që furnizohen me ujë të pijshëm vetëm disa herë në javë.

Kjo është arsyeja pse kaq shumë shqiptarë, veçanërisht të rinj, kanë vendosur të largohen nga vendi, sipas shifrave zyrtare deri në 30.000 persona çdo vit. Ata shohin pak mundësi për të zhvilluar karrierën, për të krijuar familje dhe për të siguruar jetesën.

Edhe administrata Trump ka folur hapur për korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri. Raporti i Departamentit të Shtetit për Klimën e Investimeve në vitin 2024 deklaronte pa dorashka se investitorët ankohen për “korrupsionin, përfshirë në sektorin publik, sistemin gjyqësor, prokurimet publike, konkurrencën e padrejtë dhe të deformuar, ekonominë e madhe informale, pastrimin e parave, ndryshimet e shpeshta në legjislacionin fiskal dhe zbatimin e dobët të kontratave”.

Asgjë nga këto nuk e ndaloi Kushnerin, Trumpin dhe partnerët e tyre me bazë në Katar të ndiqnin pronat bregdetare pranë lagunës së Nartës dhe në Ishullin e Sazanit, të cilin Ivanka e shqiptoi “Cézanne”.

Në vend që të trajtonte në mënyrë efektive korrupsionin dhe krimin e organizuar për të nxitur investimet, Rama bëri një marrëveshje me familjen Trump, e cila ka një histori të gjatë të mjegullt, në mos fshirë, të kufirit midis politikës dhe përfitimit personal.

Paralelisht, ai ka sulmuar protestuesit, duke i quajtur pjesë të një “lufte hibride” dhe bashkëpunëtorë të “armiqve të Shqipërisë”. Këto etiketime sjellin ndër mend propagandën e epokës komuniste që Rama, si aktivist i ri, dikur e dënonte me guxim. Siç vuri në dukje një mik shqiptar, diktatori afatgjatë Enver Hoxha ndërtoi mijëra bunkerë betoni për t’u mbrojtur nga armiq imagjinarë. Përgjigjja e Ramës janë resortet luksoze dhe rrokaqiejt e shndritshëm të projektuar nga arkitektë të njohur ndërkombëtarë, me apartamente që pak shqiptarë mund t’i përballojnë.

Tani në mandatin e tij të katërt, Rama ka gëzuar një shkallë të lartë tolerance sepse shumë shqiptarë e shohin liderin kryesor të opozitës dhe ish-kryeministrin Sali Berisha, nën hetim për korrupsion, si diçka më të keqe. Por një brez i ri ka arritur moshën madhore dhe nuk u beson asnjërit prej tyre.

“Gjatë gjithë jetës sime, këto janë të vetmet fytyra që shoh”, tha një aktivist i lindur në vitin 1999, vitin para se Rama të bëhej kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe të niste lyerjen e fasadave të pallateve të rrënuara të qytetit.

Krijimi i imazhit është bërë aftësia e tij dalluese: ndërtimi i godinave të larta që duken madhështore nga jashtë dhe hedhin hije të gjata brenda vendit.

Protestuesit e flamingove po arrijnë ta ngushtojnë këtë hendek, të ndihmuar nga vëmendja ndërkombëtare që tërheq emri Trump. Ata janë nxitur nga dy projekte resortesh, por shtyhen nga sistemi i mirëorganizuar dhe i mirëfinancuar që ato përfaqësojnë.

Për qeveritë europiane, protestat ofrojnë një mundësi për të rikalibruar qasjen e tyre. Që nga rënia e komunizmit, ato i kanë dhënë përparësi stabilitetit mbi demokracinë në Shqipëri, që do të thotë individëve mbi institucionet, dhe kanë mbyllur sytë ndaj autokracisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kjo përfundoi shumë keq në vitin 1997 me shembjen e skemave gjigante piramidale, e cila çoi në plaçkitjen e depove të armëve dhe kalimin e armëve përtej kufirit në Kosovë, duke nxitur një luftë të plotë.

Sistemi aktual ekonomik në Shqipëri mund të jetë madje edhe më i keq, duke pasur parasysh fluksin e dukshëm të parave nga kontrabanda, trafikimi dhe pastrimi i parave, i cili ka ndihmuar lekun të forcohet vazhdimisht kundrejt euros gjatë dhjetë viteve të fundit në mënyra që turizmi dhe remitancat nuk mund t’i shpjegojnë.

Arkitektë të shquar vërshojnë drejt Shqipërisë për të shijuar atë që ata vetë e quajnë vizionin avangardë të Ramës dhe lirinë nga rregulloret. Shqiptarët protestues i quajnë strukturat e tyre “banka betoni” ose “lavatriçe gjigante”.

Bashkimi Europian është i etur të mbajë gjallë projektin e zgjerimit dhe Shqipëria është planifikuar t’i bashkohet BE-së deri në vitin 2030. Kjo ofron ndikim për të nxitur institucionet e pavarura dhe sundimin e ligjit, në vend të marrëveshjeve të paqarta dhe politikës së drejtuar nga personalitetet.

Një qasje e tillë nuk do ta ndëshkonte Shqipërinë, por do ta ndihmonte atë të përmbushte standardet demokratike që BE-ja pretendon se përfaqëson, dhe që qytetarët shqiptarë po i kërkojnë tani. /Përshtati Pamfleti nga balcanicaucaso/

Fred Abrahams është autori i librit “ Shqipëria Moderne: nga Diktatura në Demokraci ” (NYU Press).

protesta revolta rama shqiperi

Lini një Përgjigje