Pas largimit të njerëzve kyç dhe rënies së mbështetjes brenda partisë, qeveria britanike duket se po rrëshqet drejt një krize të pakthyeshme. Pa arkitektin e pushtetit të tij, Morgan McSweeney, Starmer mbetet i ekspozuar përballë skandaleve dhe një testimi elektoral që mund t'i japë fund kryeministrisë së tij më shpejt se ç’pritej.
Kur qeveritë shpërbëhen, shpesh e bëjnë këtë fillimisht ngadalë, e pastaj me shpejtësi. Pavarësisht deklaratave të detyruara të mbështetjes publike nga kabineti, qeveria e Keir Starmer të jep përshtypjen se po hyn në fazën e dytë.
Pas skandalit rreth ish-ambasadorit britanik në Uashington, Peter Mandelson, dhe lidhjeve të tij me të ndjerin Jeffrey Epstein (abuzues seksual), Starmer humbi së fundmi edhe shefin e tij të stafit, Morgan McSweeney, i cili kishte mbështetur Mandelsonin për marrjen e postit.
Më pas, kryeministri humbi edhe zëdhënësin e tij për mediat, Tim Allan. Pastaj, në një konferencë mediatike, ai humbi liderin e Partisë Laburiste në Skoci, Anas Sarwar. Tetëmbëdhjetë muaj më parë, Starmer nuk mund të kishte qenë më i afërt me Sarwar. Tani ai e ka braktisur liderin e tij kombëtar dhe ka bërë thirrje që Starmer të japë dorëheqjen.
Sarwar nuk është në Westminster. Ai duhet të përballet me zgjedhjet në Skoci në maj, dhe Starmer me qeverinë laburiste të Westminster-it kanë qenë një barrë për laburistët skocezë për më shumë se një vit.
Sarwar u detyrua të vepronte për të pasur qoftë edhe një shans për të sfiduar Partinë Kombëtare Skoceze (SNP) në këto zgjedhje. Veprimet e Sarwar mund të jenë ato me ndikimin më të madh, për shkak të hovit politik që ai tani e ka përshpejtuar në mënyrë dramatike.
Por dorëheqja e McSweeney është zhvillimi më domethënës. Linja e fundit e mbrojtjes për një kryeministër është shefi i stafit. Madje Sweeney ishte shumë më tepër se aq. Udhëheqësit e partive dhe kryeministrat kanë arritur në pikën që nuk jetojnë dot pa ta, por po aq shpesh detyrohen ta bëjnë këtë.
Shefi i stafit është pjesërisht njeri dhe pjesërisht një metaforë: një tel përcjellës, një valvul presioni, një rrufepritës. Kur ata detyrohen të largohen, eprorët e tyre rrallë mbijetojnë gjatë, si për shkak të dobësimit të autoritetit të tyre si kryeministër, ashtu edhe për atë që shefi i stafit mund të ketë ofruar personalisht.
Por McSweeney, një takticien elektoral i shkëlqyer dhe organizator partie pa përvojë në qeverisje, ishte gjithashtu në punën e gabuar. Dhe atje e vendosi Starmer. Shumë nga ato që po ndodhin janë tipike për qeveritë e vjetra ose të pafuqishme, por shumëçka është gjithashtu e re, ose të paktën e re në efektin e saj.
Sa për të shkruar një ekuacion të vjetër historiko-politik: Marconi plus Profumo baraz Mandelson. Skandali Marconi i vitit 1912 kishte të bënte me tregtimin e dyshimtë të aksioneve nga njerëzit pranë Kancelarit të Thesarit, David Lloyd George.
Çështja Profumo e vitit 1963 përfshinte Ministrin e Luftës që ndante shtratin me një grua e cila gjithashtu e ndante atë me atasheun detar rus, dhe kjo në vitin e krizës së raketave kubane.
Marconi mbetet skandali financiar më serioz në politikën moderne britanike, megjithëse asokohe Lloyd George mbijetoi. John Profumo dha dorëheqjen, jo për shkak të lidhjes me një spiune sovjetike, por sepse gënjeu deputetët.
Fatmirësisht nuk u zbuluan sekrete, por establishmenti politik u diskreditua dhe u rrënuan jetët e disa grave të reja. Skandali “Mandelson” i kombinon të dyja, dhe me një efekt më të madh. Dhe ai është ende në vijim.
Efekti i Epstein vazhdon të dëmtojë. Riciklimi i pafund në mediat e lajmeve i pamjeve të Starmer dhe Mandelson duke qeshur me të madhe teksa i afroheshin kamerave në ambasadën britanike në Uashington vetëm një vit më parë, është bërë sfondi vizual i krizës. Tani Mbreti Charles kundërshtohet rregullisht në publik me thirrjet për
Epstein.
Historia e shefave të kabinetit është e shkurtër. Shefi i parë, tregues i lëvizjes drejt një kryeministrie gjithnjë e më presidenciale, ishte Jonathan Powell, i cili shërbeu pa polemika personale gjatë gjithë dekadës së Tony Blair si kryeministër.
Fiona Hill dhe Nick Timothy ofruan zgjuarsinë politike për një tjetër kryeministre (politikisht jofunksionale), Theresa May. Ata morën përgjegjësinë për zgjedhjet e dështuara të vitit 2017, por kjo vetëm sa e vonoi rrëzimin e May-t.
Harold Wilson kishte “kabinetin e tij të kuzhinës”, duke përfshirë Marcia Williams, Joe Haines dhe Gerald Kaufman, të cilët e dëmtuan kryeministrin përmes ndikimit të tyre. Margaret Thatcher ishte një lidere shumë e fortë për të pasur nevojë për një të tillë, megjithëse edhe ajo kishte këshilltarë te të cilët mbështetej.
Situata aktuale është potencialisht shumë më dëmtuese për Starmer sesa për cilindo nga paraardhësit e tij. Sepse kjo është gati po aq, në mos më shumë, qeveria e McSweeney-t sesa e Starmer-it, dhe vetë Starmer është po aq krijim i McSweeney-t se sa i vetvetes.
Ishte domethënëse që në deklaratën e tij të dorëheqjes McSweeney shkroi: “Kam besuar gjithmonë se ka momente kur duhet të pranosh përgjegjësinë tënde dhe të hapësh krahun për hir të një kauze më të madhe…”.
Projekti McSweeney, i lindur në opozitë, era të rimerrte Partinë Laburiste nga e majta korbiniste (e Jeremy Corbyn) dhe ta paraqiste atë si një alternativë kompetente dhe të moderuar ndaj një periudhe kaotike dhe jofunksionale të qeverisjes konservatore.
Pra Starmer u rekrutua nga McSweeney për atë qëllim. Dhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2024 treguan se projekti ishte plotësisht i suksesshëm. Qindra deputetë laburistë ia detyronin zgjedhjen e tyre McSweeney-t. Por pastaj, çfarë vijon?
Starmer, ashtu si Tony Blair dhe David Cameron, u bë kryeministër pa asnjë përvojë qeverisëse. Por ndryshe nga Blair apo Cameron, ai nuk kishte asnjë përvojë serioze politike: prandaj lindi nevoja dhe emërimi i McSweeney-t.
Për Starmer-in, kryeministri është ministri i parë i monarkut, lordi i parë i thesarit, kreu i qeverisë, ministër për shërbimin civil; përfaqësuesi i vendit ndërkombëtarisht. Ai nuk e ka vlerësuar kurrë plotësisht faktin se kryeministri është gjithashtu një politikan. Nëse nuk janë të tillë, ata zbulohen shpejt. Aftësitë politike nuk janë të mjaftueshme, por janë të nevojshme. As Ted Heath nuk i kishte, por ai të paktën dinte se si qeverisej.
Starmer u “zbulua” ca kohë më parë dhe tani një varg rrethanash — Mandelson, Allan, Sarwar, zgjedhjet e ardhshme në Gorton dhe Denton (një zonë dikur e sigurt që laburistët duket se do ta humbasin), zgjedhjet e majit në Skoci, Uells dhe në këshillat anglezë — kanë krijuar momentin e duhur.
Largimi i McSweeney ndoshta ka qartësuar fatin e Starmer. Ai nuk ka qenë kurrë më i dobët sesa tani. Por nuk ka ende një alternativë të qartë. Kjo mund t'i japë Starmer-it kohën gjatë së cilës ai shpreson se ndryshimet në kabinet mund ta ndihmojnë për një “rifillim”.
Nëse ky është fundi për Starmer-in, do të jetë përforcuar një model serioz dhe dëmtues në politikën dhe jetën publike britanike. Që kur David Cameron u largua në vitin 2016, asnjë kryeministër nuk ka rezistuar më shumë se rreth 3 vjet në detyrë. Padurimi dhe intoleranca e votuesve ndaj klasave politike është rritur dhe vetëm sa do të rritet akoma më tej.
Ajo e Starmer-it ka qenë gjithmonë një udhëheqje e dyfishtë, e më pas një kryeministri e përbashkët me dikë që praktikisht i kursente atij mundimin e të menduarit. Tani ai ka mbetur vetëm./Përgatiti Pamfleti
Lini një Përgjigje