Forum 2 Qershor 2023, 14:24

Edi Rama si kryeministër tallavaje në Evropë!

Shkruar nga Denis Dyrnjaja

 

Edi Rama si kryeministër tallavaje në Evropë!
Rama dhe Meloni

Nuk mund të trajtohet Kryeministrja e Italisë, si Bora Muzhaqi e qeverisë...

Edi Rama me apo pa vetëdije, ka kryer në Samitin e Moldavisë një gjest të tepruar publik, që për çdo shtetar të një vendi tjetër do të përbënte në rastin më të mirë një sjellje të pahijshme e në rastin më të keq një skandal politik e diplomatik.

Në një moment kur liderët evropianë ndodheshin të grupuar, Rama mbërthen fizikisht nga pas Kryeministren e Italisë, duke e befasuar Giorgia Melonin me një përqafim të shoqëruar me një puthje tepër ekspresive.

Znj Meloni arrin të menaxhojë situatën duke buzëqeshur e shndërruar befasinë në përzemërsi, por sjellja tepër aventureske e Ramës bie shumë në sy deri në kërcitje protokollare. Video është publikuar nga Kryeredaktorja e rrjetit Euroactiv Aneta Zachová e cila në shpjegimin e saj në twitter e cilëson si një "sulm fizik" veprimin e kryeministrit shqiptar ndaj homologes italiane.

Në emisionin Opinion të Blendi Fevziut, Rama mohoi të ketë kryer një akt të tepruar, por pamjet në videon e shfaqur duken qartazi që veprimi i tij është i papërmbajtshëm dhe sigurisht edhe i papërshtatshëm për protokollin dhe rrethanat në të cilat ndodheshin praktikisht dy zyrtarët e lartë.

Nëse do të ishte një takim në kushte e rrethana private, është në të drejtën absolute të dy protagonistëve të sillen, lejojnë apo kufizojnë njëri tjetrin në takimin e tyre. Por në kushtet që ka kryer këtë akt, duket qartë që Rama ka ekzagjeruar dhe ka kryer një veprim prej aventurieri, që do të ishte skandal për çdo zyrtar apo qeveritar të çdo shteti.

Përfytyroni ta bëjë këtë gjest Kryeministri i Anglisë, Kancelari i Gjermanisë apo kushdo që ka një status shtetëror përfaqësimi.

Mediat dhe sigurisht edhe politika e Anglisë, Gjermanisë apo e çdo shteti, madje dhe vetë forcat politike që këta individë i përkasin si politikanë do të reagonin fort me kritika e distancime.

Sigurisht Rama i ka paralajmëruar të tilla gjeste, duke thënë se nuk është një kryeministër i zakonshëm që qëndron brenda kornizave korteziale. Por nuk është e thënë që gjithnjë gjërat e jashtëzakonshme, në këtë rast gjestet e tepruara dhe të papërshtatshme të krijojnë efektin e dëshiruar. Dhe e kundërta nëse ndodh për keq ka kosto e pasoja vërtet të paparashikueshme. Efekti i padëshiruar nuk lidhet me personin, por me shtetin dhe vendin që përfaqëson personi, e në këtë rast Edi Rama nuk është atje ku shkon zyrtarisht, as si qytetar i lirë, as si piktor apo sportist, por si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë. Ndaj përtej sportivitetit, kryeministri duhet të përmbajë shpërthimet emotive personale, sepse forumet ndërkombëtare nuk janë sheshet e tallavasë rilindase ku mund të bësh e thuash ç'të duash.

Sigurisht Rama ka arritur në këtë pikë se oborrtarët e tij vetëm miratojnë në heshtje çdo veprim e sjellje të kryeministrit, pa pasur kurajën t'i thonë kur e tepron apo se si duhet të sillet në evente ndërkombëtare. Dhe meqë se bëjnë ata që kanë hall se iu mërzitet udhëheqësi, mirë është t'ia themi ne të tjerët kryeministrit se nuk është aty për gallatë dhe për të luajtur me sjellje e gjeste herë pas here të improvizuara apo shprehura tepruar.

Çfarë do të ndodhte nëse kryeministrja e Italisë do të reagonte instiktivisht dhe publikisht në mënyrë refuzuese. Atëherë ngjarja do të hynte në arenën botërore si një skandal historik. Ndaj sjellje të tilla kanë risk të madh dhe kostot nuk mbeten mbi individin, por mbi shtetin që përfaqëson.

Një gjest të tillë ai ka kryer para disa kohësh edhe me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, të cilit befasisht i mbylli sytë nga pas. Homologu nga Kosova e toleroi për të mos krijuar një situatë të padëshiruar, por dukshëm i ndjerë në siklet nga gjesti i Ramës.

Përtej emrave dhe shembujve, në të dy rastet kemi të bëjmë me kryeministra shtetesh dhe për më tepër me njerëz që kanë dinjitetin e tyre. Pra thënë shkurt e thjesht, nuk mund të trajtohet Kryeministrja e Italisë, si Bora Muzhaqi e qeverisë.

edi rama giorgia meloni kryeministri tallava