
Në vend që të investojë në mjete për fikjen e zjarreve dhe mbrojtjen e qytetarëve, qeveria e shndërron mosveprimin në një “strategji europiane”, duke e prezantuar dështimin si sukses
Kryeministri Edi Rama, i njohur për mjeshtërinë e tij për t’i kthyer çdo dështim në krahasim ngushëllues, deklaroi sot se Shqipëria dhe Greqia ndodhen në të njëjtat kushte përballë zjarreve, pavarësisht se fqinji jugor ka plot 270 avionë për fikjen e tyre. “Edhe ata digjen,” u shpreh Rama, duke dhënë një shembull të ri të asaj që duket të jetë doktrina e tij, nuk ka rëndësi çfarë kapacitetesh ke, rëndësi ka të mos jesh i vetëm që digjesh.
Burime pranë qeverisë shqiptare komentuan se kjo qasje mund të kthehet madje në “produkt eksporti”, ku Shqipëria ofron trajnime dhe konsulencë për vendet e tjera sesi të kursejnë miliarda euro duke mos blerë mjete e pajisje që, sipas tyre, “nuk e ndryshojnë rezultatin final”.
Sipas këtij vizioni inovativ, Greqia mund të shesë flotën e saj të avionëve, të shlyejë borxhet, të kursejë mirëmbajtjen dhe të digjet lirshëm, duke përjetuar të njëjtën situatë si Shqipëria, por me flamurin e BE-së në sfond.
Në fund të fjalës së tij, Rama i mbylli komentet me një slogan që mund të mbetet gjatë në kujtesën e publikut, "Mos u lodhni duke u përgatitur për zjarrin thjesht gjeni dikë më të madh që digjet dhe ndiheni fitimtarë.”
Sipas Ramës, mënyra më e mirë për të justifikuar dështimin është ta krahasosh vendin me fqinjët më të mëdhenj dhe t’i thuash publikut se gjithçka është normale; kështu Shqipëria mund të digjet pa përpjekje reale, avionët mund të mungojnë, dhe qytetari mbetet spektator, ndërsa qeveria e shndërron mosveprimin në “strategji europiane”.
Madje, sipas ironisë më të madhe, edhe Evropa u tregua e interesuar për këtë “strategji inovatore”, si model sesi të kursesh gjylpërën në kashtë dhe të mos veprosh për fatin e njerëzve.
Ky është një justifikim banal, sepse Rama është vetë përgjegjës për mungesën e veprimeve reale, ndërsa fondet kanë shkuar për inceneratorët, sterilizimin, Check Up-in dhe hemodializën, tendera me miliarda euro që duket se janë më shumë për vjedhje sesa për shërbim publik.
Në vend që të investojë në mjete për fikjen e zjarreve dhe mbrojtjen e qytetarëve, qeveria e shndërron mosveprimin në një “strategji europiane”, duke e prezantuar dështimin si sukses dhe duke lënë Shqipërinë të digjet nën vështrimin indiferent të autoriteteve.
Lini një Përgjigje