
Historia do të nderojë ata që veprojnë me përgjegjësi dhe do të gjykojë ata që tradhtojnë besimin e popullit.
Në një vend që ende përpiqet të gjejë ekuilibrin midis së kaluarës dhe së ardhmes, vendimet e marra në errësirë kanë pasoja që lëndojnë shpirtin e çdo qytetari.
Një ligj i miratuar në mesnatë, pa debat, pa transparencë, pa qytetarë, nuk është më thjesht çështje procedure, por është provë e asaj se sa lehtë mund të preket vetë themeli moral dhe ekzistencial i shoqërisë sonë.
**
Si profesoreshë, qytetare, dhe mbi të gjitha si njeri që çmon lirinë po aq sa përgjegjësinë, prej vitesh përpiqem të kuptoj dhe të theksoj rëndësinë e forcave të padukshme që ruajnë ekuilibrin delikat midis të drejtave individuale dhe jetës kolektive. Në çdo hap, kujtoj themelin moral dhe ekzistencial mbi të cilin ngrihet çdo shoqëri që do të mbijetojë.
Identiteti njerëzor ka qenë përherë shtylla mbi të cilën janë ndërtuar marrëdhëniet, kuptimi jetësor dhe lidhjet morale mes individëve. Që nga Aristoteli e Plutarku, njeriu është parë si qenie që gjen kuptim vetëm në bashkëjetesë me të tjerët dhe me natyrën.
Kategoritë “burrë” dhe “grua”, “nënë” dhe “babë” nuk kanë qenë thjesht role shoqërore. Ato kanë qenë spiranca simbolike, që i kanë dhënë vazhdimësi jetës dhe kanë lidhur përvojën private të lindjes, kujdesit dhe dashurisë me ritmet e përbashkëta të komunitetit dhe natyrës.
Kur këto simbole bazë fillojnë të rishkruhen me nxitim, në emër të barazisë dhe përfshirjes, shoqëria shtyhet të hyjë në një eksperiment të guximshëm, por me pasoja të paparashikueshme. Guximtar, sepse kërkon të shërojë padrejtësi reale, por i rrezikshëm, sepse rrezikon të shkatërrojë gjuhën dhe simbolikat që mbajnë gjallë njohjen dhe respektin reciprok.
Pak ditë më parë, Parlamenti ynë, në fshehtësi, në orët e vona të natës, miratoi një ligj që prek vetë thelbin e qenies njerëzore: identitetin gjinor dhe strukturat themelore të familjes.
Në kontekstin tonë kulturor, një akt i tillë është i paprecedentë. Në vende të tjera, reforma të tilla kanë ardhur pas dialogut të gjatë e reflektimit të thellë. Që nga Revolucioni Francez e deri te lëvizjet për të drejtat civile, çdo ndryshim që prek themelet morale të jetës është shoqëruar me debat, transparencë dhe legjitimitet shoqëror.
Shpejtësia, mënyra dhe mungesa e transparencës me të cilën u miratua ky ligj e bëjnë atë një ngjarje tronditëse për Shqipërinë.
Jam thellësisht e shqetësuar, jo thjesht si pedagoge, por si njeri që beson se çdo ndryshim që prek themelet e jetës njerëzore duhet të lindë nga kuptimi, ndjeshmëria dhe përgjegjësia kolektive.
Edhe nëse qëllimi ka qenë përfshirja, forma e miratimit: e menjëhershme, e fshehtë dhe e politizuar, krijon rrezik për familjen, për shoqërinë dhe për vetë kuptimin e njeriut si qenie që kërkon harmoni midis lirisë dhe rendit.
Epoka që po jetojmë është provë e një transformimi të thellë. Shkenca dhe teknologjia i kanë dhënë njeriut fuqinë për të ndërhyrë jo vetëm në botën përreth, por edhe në vetë strukturën e jetës.
Francis Bacon, që në shekullin XVII paralajmëronte: pushteti mbi natyrën kërkon përgjegjësi të jashtëzakonshme, sepse çdo ndërhyrje në jetën natyrore ka pasoja të paparashikueshme.
Por sot, me një lloj guximi absurd, njeriu e sheh veten jo më si pjesë të natyrës, por si zot të saj.
Në emër të përparimit, ai guxon të zëvendësojë lindjen me laboratorin, trupin me algoritmin, dhe kujtesën me inteligjencën artificiale.
Në emër të barazisë, mohohet vetë dallimi që e bën jetën të kuptueshme.
Në emër të lirisë, njeriu guxon të rishkruajë vetveten , sikur do të shpëtojë nga ligjet që e mbajnë gjallë.
E quajmë ‘krijim të ri’, por në thelb është një eksperiment mbi vetë kuptimin e jetës.
Në vend të përulësisë që krijon dija, kemi arrogancën e njeriut që beson se mund të tejkalojë natyrën pa u bërë më i urtë e më mençur se ajo.
Kështu, fjala e Bacon-it tingëllon sot më aktuale se kurrë:
fuqia mbi natyrën, kur ndahet nga përgjegjësia, shndërrohet në forcë kundër vetë jetës.
Në këtë sfond, filozofia moderne e vetë-përcaktimit e ka ngritur ‘lirinë absolute’ në shkallën më të lartë të moralit. Dhe kështu, institucionet, duke i përkthyer pretendimet morale në gjuhë burokratike, na ofrojnë etiketimet ‘Prindi 1’ dhe ‘Prindi 2’, jo si poezi e barazisë, por si produkt i ftohtë administrativ, ku ligji zë vendin e kuptimit dhe neutraliteti zë vendin e së vërtetës!
Kështu lind një civilizim i ri burokratik, ku njeriu s’është më pjesëmarrës në rendin e përbashkët, por menaxher i vetvetes, në një botë pa simbole, pa rrënjë, pa orientim.
Si një hartë pa shenja që s’orienton më udhëtarin, asnjë ligj pa simbolikë nuk mund t’i japë kuptim jetës njerëzore.
Kur fjalët “nënë” dhe “atë” shuhen, zbehet ura që lidh brezat, dashurinë dhe përkatësinë.
Etiketimet neutrale, sado përfshirëse të duken, ndryshojnë strukturën morale të marrëdhënieve njerëzore, duke dëmtuar identitetin individual, familjar dhe emocional të fëmijëve.
Në vend të një bote më të drejtë, rrezikojmë një botë më të zbrazët.
Ky transformim ka rrënjë të dyfishta:
- Emocionalisht, lind nga dëshira për të mbrojtur ata që kanë vuajtur përjashtimin;
-Politikisht, nga tendenca për ta shtrirë logjikën e demokracisë deri në pafundësi, pa kufij natyralë apo morale, sipas të cilës: nëse çdo zë ka vlerë, atëherë çdo formë ekzistence duhet të ketë status të barabartë.
Por demokracia pa natyrë njerëzore bëhet abstraksion moral, që mbron vetë-ri-përcaktimin e pakufizuar pa reflektuar se çfarë lloji qeniesh po krijojmë.
Pasojat janë të thella:
-Erozioni i besimit: Ligjet e miratuara në fshehtësi prodhojnë mosbesim dhe ndasi midis qytetarëve e shtetit.
-Shkallmimi i simboleve të përbashkëta: Kur fshihen termat që lidhin brezat, humbet edhe ndjenja e përkatësisë.
-Rreziku i diskriminimeve të reja: Përfshirja e imponuar kthehet në përjashtim të fshehtë.
-Konfuzion moral dhe kulturor: Brezat e rinj rriten pa norma të qarta, pa busull etike.
-Fragmentim social dhe vetmi ekzistenciale: Liria pa kuptim shndërrohet në boshësi.
-Politizimi i identitetit: Kur njeriu kthehet në mjet për pushtet, humbet dimensioni i tij moral.
Ky nuk është modernitet. Është servilizëm politik që plagos shpirtin e shoqërisë dhe shuan zërin e ndërgjegjes qytetare.
Është koha që nënshtrimi të marrë fund.
Një komb që nuk ka kurajon të thotë ‘JO’ kur i preket themeli moral, rrezikon të humbasë shpirtin dhe kujtesën historike.
Unë nuk jam kundër mbrojtjes së grupeve të margjinalizuara. Përkundrazi, besoj thellësisht në dinjitetin, lirinë dhe përfshirjen.
Por asnjë ligj që prek strukturën morale të një kombi nuk duhet të lindë nxitimthi dhe në errësirë.
Ai duhet të lindë nga drita e dialogut, nga reflektimi dhe nga përgjegjësia.
Jo çdo kufi është pengesë; shpesh kufiri është formë e kujdesit.
Dallimet që kanë mbajtur gjallë jetën njerëzore për mijëvjeçarë duhen rishikuar me urtësi, jo të fshihen nga ekzistenca - pa mend, pa zemër e për më tepër me nxitim.
Kemi nevojë për një humanizëm të ri, që bashkon ndjeshmërinë me të vërtetën, lirinë me përkatësinë, dhe inovacionin me mençurinë.
Një vendim që prek thelbin e qenies njerëzore duhet të mbështetet mbi legjitimitet qytetar dhe konsensus shoqëror, jo mbi diktatin e errësirës së natës.
Kjo më çon te një pyetje themelore: Pse na nevojiten përfaqësues?
A nuk janë zgjedhur ata për të mbrojtur interesin e qytetarit, për të vendosur me mend dhe me ndërgjegje, dhe jo për ta shndërruar pushtetin në mjet servilizmi politik?
Ata që sot qëndrojnë në Kuvendin e Popullit, nuk janë aty për të valëvitur flamuj partie, por për të ruajtur dinjitetin njerëzor dhe kohezionin moral të kombit. E ata, në vend që të dëgjonin zërin e qytetarëve, ngritën kartonat e partive.
Ky nuk është vetëm një akt procedural. Është përdhosje e besimit publik, pasi ligjet që prekin jetën dhe kuptimin e njeriut nuk mund të kalojnë si urdhra teknikë. Ato duhet të lindin nga ndërgjegjja.
Historia do të nderojë ata që veprojnë me përgjegjësi dhe do të gjykojë ata që tradhtojnë besimin e popullit.
Masa e vërtetë e civilizimit nuk matet me shpejtësinë e ligjeve, por me mençurinë e zemrës që i miraton ato.
Unë ngre zërin tim për reflektim, për dialog të ndershëm dhe për një drejtësi që lind nga ndërgjegjja, jo nga kalkulimi politik.
Kjo është arsyeja pse, mbështes fort heqjen e ligjit të sapomiratuar dhe kërkoj referendum kombëtar, që një ndryshim kaq i thellë të mbështetet mbi legjitimitet qytetar dhe konsensus shoqëror.
Sepse çdo veprim lë gjurmë të thella në rrjedhën e jetës njerëzore dhe është detyra jonë të mos lejojmë që ligjet e ngutshme të minojnë themelet e drejtësisë, dinjitetit dhe jetës së përbashkët njerëzore.
Jam plotësisht dakord.