
Mediat kritike, siç ndodhi me Agon TV, Ora News dhe Focus Media Group, disa mbyllen dhe disa mbahen nën presionin falimentues.
Kur në vitin 2003, grupi mediatik i Carlo Bolinos paraqiti kërkesën për marrjen me qira të këtyre ambienteve, drejtoria përkatëse e gjeti të ligjshme kërkesën. Si ministër i Ekonomisë, pa asnjë hezitim dhe pa asnjë kushtëzim, miratova dhënien me qira afatgjatë.
Ky ishte rasti i dytë pas miratimit të kërkesës së regjisorit të talentuar, me profil të lartë ndërkombëtar dhe promovues të vendit tonë, Kujtim Çashku, që paraqiti kërkesën për të marrë me qira ambientet ku sot vepron me sukses Akademia “Marubi”. Në të dy rastet, ata kërkuan prona të shkatërruara dhe që për ne kishin kosto. Të dy kishin projekte të dobishme sepse ishin në fushën e kulturës dhe medias.
Thelbi i vendimmarrjes nuk ishte thjesht futja në qarkullim e disa pronave publike, por edhe lehtësimi i investimeve në kulturë dhe media.Investimet mediatike të Focus Media Group janë pjesë e historisë së një tranzicioni të vështirë. Një nga avantazhet morale të Focus Media Group është që ata nuk kanë përfituar asnjë tender nga fondet publike, gjë që i bën më të vështira investimet e ringritjes pas çdo hakmarrjeje qeveritare dhe jo vetëm në këtë rast.
Pavarësia editoriale dhe hapësira më liberale se çdo media tjetër për çdo zë publik brenda partive të tyre dhe kundër maxhorancave janë dy kolonat themelore që e bëjnë Focus Media Group efektivisht të pavarur.Jam për respektimin e shtetit ligjor të barabartë për të gjithë. Por nuk mund të pranohet që disa media proqeveritare t’u tolerohen abuzime të rënda joligjore, t’u sigurohen sponsorizime private dhe publike në qindra milionë euro, drejtpërdrejt dhe indirekt, ndërsa gazetarët e tyre pasurohen nga burime minimalisht informale, por disa prej tyre edhe nga burime kriminale, kjo sipas përvojës së “SPAK”-ut kroat.
Sponsorizimi direkt dhe indirekt i ndërhyrjes qeveritare që “gazetarët e palodhur” proqeveritarë në çdo studio televizive të kenë paga dhe bonuse edhe mbi 20,000 euro në muaj, është deformim i qëllimshëm dhe joligjor i influencës me mediat e pavarura në mënyrat deri dhe kriminale të varësisë së tyre.Ndërsa gazetarët e mediave kritike përballen me mbijetesën në një treg mediatik jo të lirë dhe plotësisht të deformuar dhe të keqpërdorur për mbijetesë politike personale.
Mediat kritike, siç ndodhi me Agon TV, Ora News dhe Focus Media Group, disa mbyllen dhe disa mbahen nën presionin falimentues. Favorizimi me çdo formë, edhe joligjore, i mediave proqeveritare është arma “moderne” e vrasjes së mediave dhe gazetarëve kritikë.
Edhe sikur të jenë kaluar të gjitha shkallët gjyqësore, edhe sikur të ketë urdhër përmbarimi, nuk besoj se kompania publike e armatimeve, që fatkeqësisht ka jo pak risk për banorët e kësaj zone dhe risk të lartë të sigurisë kombëtare, pasi komplekset ushtarake të rrethuara nga komunitete banorësh, në situata gjithnjë e më kërcënuese në Ballkan, janë objekte të parapëlqyera për t’u sulmuar dhe për të krijuar panik dhe pasiguri, do të fillojnë punën nga zyra e News 24.
Fleksibiliteti për një zgjidhje graduale, me elementë të theksuar lehtësues ndaj medias, nuk është dobësi qeveritare, por forcë morale për të respektuar rolin e rëndësishëm të medias në shoqëritë me demokraci hibride, të cilat duhet të ndihmohen për të mos rrëshqitur në autokraci, risk që vjen në rritje nga pushteti absolut. Ka 100 opsione ligjore lehtësuese për mosmbylljen arbitrare të një media misionare në tranzicionin tonë.
Lini një Përgjigje