TAGS-AT E JAVËS

Forum22 Maj 2025, 13:57

Gaza si një varr i hapur dhe cinizmi i Perëndimit

Shkruar nga Ahmed Najar

 Gaza si një varr i hapur dhe cinizmi i Perëndimit

Pesë kamionë ndihmash për 2 milionë palestinezë të uritur, janë pak më shumë se një poshtërim, një mjegullnajë për të mundësuar masakrën e vazhdueshme nga Izraeli...

Mbesa ime mezi shpëtoi. Një javë më parë, motra e saj, Juri, u vra në një sulm ajror izraelit. Juri ishte vetëm 6-vjeçe dhe po flinte kur goditi raketa. Trupi i saj i vogël, i mbështjellë me një çarçaf të bardhë, është tani një numër tjetër në një varr masiv që po zgjerohet vazhdimisht.

Motra e saj i mbijetoi me shumë fat shpërthimit. Në atë sulm u plagosën edhe babai dhe gjyshi i tyre. Por tani, edhe mbesa tjetër po shuhet. Niveli i hemoglobinës së saj ka rënë në shtatë, dhe ka nevojë për transfuzion gjaku.

Ajo ka nevojë për ushqim dhe sigurinë e duhur, por në Gaza këto gjëra nuk ekzistojnë më. Nuk ka ushqim apo ujë të pastër. S’ka spitale apo banka gjaku që funksionojnë. Nuk ka siguri. E megjithatë, këtë javë Izraeli njoftoi botën se kishte “lejuar” hyrjen e ndihmës humanitare në Gaza, sikur ky të ishte një gjest mëshire që e justifikonte masakrën.

U lejuan të kalonin vetëm 5 kamionë, ndërsa Kombet e Bashkuara thonë se duhen urgjentisht të paktën 500 kamionë çdo ditë për të përmbushur nevojat themelore humanitare. Pesë kamionë për dy milionë njerëz! Kjo nuk është ndihmë por poshtërim.

Është një tymnajë, pluhur në sytë e botës, që ta lejojë Izraelin të vazhdojë me vrasjet e tij, pa ndërprerje, në mënyrë të padiskutueshme dhe të pandëshkuara. Kjo luftë nuk ka të bëjë aspak me mbrojtjen e civilëve, por me shfarosjen e tyre.

Kohët e fundit bisedova në telefon me nënën time. Ajo është e zhvendosur tani, si gati çdo palestinez në Gaza. Zëri i saj ishte i qetë. E pyeta se si po ia dilte mbanë, dhe ajo tha diçka që më ka përndjekur që atëherë: “Do të doja të kisha vdekur që në fillim, që të mos shihja asgjë nga këto!”.

E çfarë mund t’i thuash nënës tënde kur e thotë këtë; kur ka humbur shtëpinë, nipërit e mbesat, vendin dhe tani ndoshta edhe vullnetin për të jetuar? Më në fund, qeveritë e Britanisë së Madhe, Francës dhe Kanadasë kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, duke kërkuar që Izraeli të ndryshojë kursin.

Kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri kanadez Mark Carney paralajmëruan: “Nëse Izraeli nuk e ndal ofensivën e re ushtarake dhe nuk heq kufizimet e tij për ndihmën humanitare, ne do të ndërmarrim veprime të mëtejshme konkrete”.

Po ashtu, ata i quajtën si “tërësisht jo proporcionale” veprimet e Izraelit. Por unë dua të them këtë, qartë dhe pa kërkuar falje: Nuk është thjesht jo proporcionale, por është përshkruar me të drejtë si gjenocid. Dhe ky reagim i fortë, është tashmë tepër i vonuar për dhjetëra mijëra palestinezë.

Ndërkohë Izraeli nuk është ndalur, nuk e ka dëgjuar, dhe as nuk është shqetësuar nga ky apel. Përkundrazi, vazhdon të hedhë bomba dhe të bllokojë hyrjen e ushqimeve në Gaza. Ushtria e tij vazhdon të vrasë.

Dhe nëse Mbretëria e Bashkuar është serioze, nëse fjalët e Starmer janë më shumë sesa thjesht një zhurmë diplomatike, atëherë ajo duhet të ndalojë së armatosuri Izraelin. Sepse nuk mund ta quash dhunën jo proporcionale, dhe pastaj t’i shesësh më shumë armë autorit të saj. Nuk mund të dënosh një mizori, në një kohë që financon tjetrën.

Trupi i mbesës sime është i dobët dhe gjaku i saj tepër i hollë. Tani jeta e saj varet nëse bota do ta gjejë ndërgjegjen e saj, dhe nëse kjo do ta ndodhë shpejt. Vdekja nga uria në Gaza nuk është aksidentale. Nuk është një dëm anësor.

Është një politikë e qëllimshme. Vdekja nga uria nuk është e ndarë nga bombat; është vazhdim i gjenocidit. Kjo është në vetvete një luftë për mbijetesë. Dhe pjesa më e dhimbshme është se po ndodh në sytë e botës, ndërsa udhëheqësit perëndimorë bëjnë sehir, llogarisin, justifikohen dhe vonojnë veprimet.

Kjo që po ndodh nuk është vetëm një dështim i diplomacisë. Është një dështim i gjithë njerëzimit. Çfarë duhet të bëjmë me këtë pikëllim, me gjithë këtë tërbim? Shoh videot e qytetit tim të lindjes të shndërruar në hi. Dëgjoj vëllain tim duke qarë në telefon.

Shoh një foto të mbesës sime, me lëkurë të zbehtë, sy të zbehtë, shumë e dobët për të qëndruar në këmbë. Dëgjoj zërin e nënës sime, e cila dëshiron të mos kishte jetuar për ta parë këtë tragjedi.

Dhe pyes veten se çfarë do të thotë të mbijetosh në një gjenocid, ndërsa bota debaton se cilën fjalë të përdorë, se cila vijë është kaluar, se në cilin moment mund të thuhet se Izraeli “ka shkuar shumë larg”.

Mbesa ime është 5-vjeçe. Ndërsa po e shkruaj këtë artikull, ajo është e uritur, plot dhimbje dhe ndoshta po vdes. Dua t’i bërtas botës: si është e mundur të vazhdojë ende një masakër e tillë? Si ka mundësi që vazhdojmë të debatojmë ende nëse fëmijët e Gazës meritojnë apo jo ushqim?

Si mundet vallë të pretendojmë ende sikur kjo çështje është e ndërlikuar? Pesë kamionë. Dy milionë njerëz. Një fëmijë tjetër - mbesa ime - jeta e të cilit mund të marrë fund sepse e kemi pranuar këtë tmerr si normalitet.

Ndoshta ka ende kohë për të vepruar. Por jo edhe shumë. Me çdo lloj fije shprese që më ka mbetur, shpresoj që qeveritë të veprojnë shpejt. Jo vetëm për të mbrojtur mbesën time, por për të shpëtuar 2 milionë të tjerët që janë ende të bllokuar në varrezat e hapura të Gazës.

Sepse nëse nuk e bëjnë këtë, atëherë të gjitha deklaratat, denoncimet dhe rezolutat do të vijnë shumë vonë dhe tek njerëz që nuk do të jenë më gjallë për t’i dëgjuar ato./Pamfleti

Shënim: Ahmed Najar, analist politik dhe dramaturg palestinez, që e përdor teatrin për të treguar historitë e Palestinës, duke përzier përvojën personale me komentet e ndryshme politike.

gaza si një varr i hapur cinizmi i perëndimit

Lini një Përgjigje