
Përballja strategjike midis Uashingtonit dhe Teheranit gjendet në një pikë kritike, ku dështimi i diplomacisë duket thuajse i pashmangshëm. Në këtë kontekst, një ndërhyrje ushtarake vendimtare mund të jetë e vetmja rrugë për të parandaluar një Iran bërthamor dhe për të riformësuar arkitekturën e sigurisë në Lindjen e Mesme.
Mundësia e një përballjeje ushtarake midis Uashingtonit dhe Teheranit mbetet pezull, të paktën për momentin, ndërsa të dy vendet kanë nisur një proces bisedimesh nën ndërmjetësimin e Omanit.
Megjithatë, një kthesë strategjike në këto negociata; të cilat sipas Donald Trumpit duhet të marrin zgjidhje muajin e ardhshëm - duket e pamundur pa lëshime të dhimbshme nga të paktën njëra palë. Irani këmbëngul se programi i tij i raketave balistike dhe mbështetja për rrjetin rajonal të milicive janë pika të panegociueshme.
Këto janë pikërisht fushat ku administrata Trump po kërkon lëshime rrënjësore. Kjo do të thotë se rruga diplomatike mund të bllokohet ose të dështojë tërësisht. Pyetja që shtrohet është: çfarë do të bëjë Trump, i cili ka shtuar vazhdimisht praninë ushtarake amerikane në rajon?
Ekzistojnë dy skenarë kryesorë për një sulm ushtarak. I pari është një sulm i kufizuar ndëshkues kundër Korpusit të Gardës Revolucionare (IRGC) dhe bazave të milicisë Basij, me synim rivendosjen e “vijave të kuqe” pas vrasjes së protestuesve dhe detyrimin e Iranit për t’u rikthyer në tryezë nga një pozicion dobësie.
Gjithsesi, një goditje e tillë mund të ketë efekt minimal në llogaritjet e regjimit dhe nuk garanton një konflikt të menaxhueshëm, duke parë paralajmërimet e Teheranit për hakmarrje. Opsioni i dytë, më ambicioz, përfshin një fushatë të gjerë që synon ndryshimin rrënjësor të sjelljes së regjimit ose vetë përmbysjen e tij.
Që ky skenar të ketë sukses, SHBA-ja duhet të paraqesë një kërcënim ekzistencial për mbijetesën e Republikës Islamike. Kjo kërkon një fushatë ushtarake të qëndrueshme dhe të koordinuar mirë me aleatët rajonalë, duke e detyruar regjimin të zgjedhë midis “pirjes së kupës së helmit” për të mbijetuar, ose përballjes me një konflikt që do të shënonte fundin e tij.
Edhe pse synimi i ndryshimit të regjimit mbart rreziqe, siç janë fragmentimi i brendshëm apo lufta civile, përfitimet nga eliminimi i këtij kërcënimi mund t’i tejkalojnë rreziqet, nëse alternativa është një Iran i guximshëm dhe i palëkundur. Ja 6 arsyet strategjike pse një fushatë ushtarake vendimtare është lëvizja e duhur:
1. Një moment unik për ndryshimin e situatës gjeopolitike në rajon
Irani gjendet në momentin e tij më të dobët që nga viti 1979. Protestat e brendshme, lufta 12-ditore e qershorit 2025 me Izraelin dhe degradimi i rrjetit të tij terrorist e kanë ekspozuar dështimin e doktrinës mbrojtëse iraniane.
Regjimi u shfaq si një “tigër letre” kur nuk arriti të pengonte goditjet e SHBA-së dhe Izraelit. Një fushatë vendimtare mund të zhbllokonte integrimin rajonal përmes Marrëveshjeve të Abrahamit dhe të afronte Libanin e Irakun drejt sferës perëndimore.
2. Detyrimi moral
Diplomacia aktuale i jep shpesh përparësi çështjes bërthamore, duke anashkaluar shtypjen brutale të popullit iranian. Ndërsa shifrat zyrtare flasin për 3.117 të vrarë gjatë protestave, vlerësime të tjera sugjerojnë mbi 30.000 të vrarë në vetëm dy ditë.
Premtimi i Trump për t’i ardhur në ndihmë popullit iranian nuk duhet të mbetet një parullë boshe, por një dëshmi e lidershipit moral amerikan. Negocimi me regjimin në këtë pikë do t’i siguronte atij një “litar shpëtimi” të pamerituar.
3. Dilema e besueshmërisë
Shmangia e forcës ushtarake sot mund të sjellë pasoja afatgjata për besueshmërinë e SHBA-së, duke kujtuar dështimin e “vijës së kuqe” të presidentit Obama në Siri në vitin 2013. Nëse Trump nuk kundërpërgjigjet me forcë ndaj provokimeve aktuale, Teherani do të kuptojë se Uashingtoni stepet përpara rezistencës së vendosur, duke e inkurajuar regjimin të vazhdojë kursin e tij sfidues.
4. Rreziqet ekonomike dhe rivaliteti me Kinën
Një Iran i çliruar nga regjimi aktual do të riintegronte rezervat e tij gjigante të naftës dhe gazit në tregun perëndimor, duke forcuar sigurinë energjetike globale. Për më tepër, një ndryshim regjimi në Teheran, i kombinuar me rënien e Nicolás Maduro në Venezuelë, do
të godiste rëndë Kinën, e cila mbështetet te këto dy vende për 30 për qind të importeve të naftës. Dobësimi ekonomik i Kinës në këtë front mund të parandalonte konflikte të tjera, si atë në Ngushticën e Tajvanit.
5. Një rol aktiv në të ardhmen e Iranit
Regjimi iranian ka hyrë në një rënie terminale për shkak të hiperinflacionit, korrupsionit dhe krizës së ujit. Të presësh në mënyrë pasive shembjen e tij nuk është një strategji e qëndrueshme.
Një qasje ushtarake aktive do t’u jepte mundësi Shteteve të Bashkuara të diktonin tranzicionin, duke i mohuar Rusisë dhe Kinës mundësinë për të mbushur vakuumin e pushtetit. Kjo nuk kërkon domosdoshmërisht trupa në terren, por një mbështetje të fuqishme ushtarake, ekonomike dhe diplomatike për opozitën.
6. Kërcënimi i vazhdueshëm bërthamor
Sulmet e SHBA-së në qershor 2025 ndaj objekteve bërthamore e shtynë me vetëm disa muaj programin e Iranit. Fortifikimi i objekteve nëntokësore dhe mungesa e monitorimit nga IAEA tregojnë se Teherani nuk ka ndërmend të tërhiqet.
Për regjimin, pasurimi i uraniumit shërben si një “politikë sigurimi” për mbijetesë. Trump ka pohuar vazhdimisht se nuk do të lejojë një Iran bërthamor; tani është koha që veprimet të përkojnë me fjalët.
Vazhdimi i negociatave në këtë moment kritik rrezikon t’i japë frymëmarrje një regjimi që po jep shpirt, pikërisht në kohën kur ai është më i brishtë. Hendeku i pakapërcyeshëm midis Uashingtonit dhe Teheranit e bën forcën mjetin e vetëm për të rivendosur parandalimin.
Një përpjekje vendimtare e koalicionit nën udhëheqjen amerikane, do të ofronte një stabilitet strategjik shumë më të qëndrueshëm sesa një proces diplomatik i stërzgjatur./Përgatiti Pamfleti nga “Atlantic Council”
Ky është ose idiot ose bën sikur.