Forum27 Mars 2023, 11:56

Gjekmarkaj: Të nderuar kolegë, lirojeni robinjën vulë, mos lini nga pas alibi që do ju ndjekin gjithë jetën!

Shkruar nga Pamfleti

Gjekmarkaj: Të nderuar kolegë, lirojeni robinjën vulë, mos

Armik na u shfaq SHBA dhe Perëndimi. Na tollovitën dy njerëz: Lulzim Basha dhe Sali Berisha. Na bënë qesharakë. Një luftë e pandershme mes tyre për interesa personale. Një pakt i thyer për mungesë parimesh. Tashmë kjo është histori. Sot "Vula" ka më shumë forume se anëtarë.

Në Pranverën e vitit 2021 kam besuar shumë se po bënim një betejë për të ndryshuar Shqipërinë. Kur  fitoren nuk e patëm, besova që do bënim një opozite cilësore. Përfunduam të ndarë e të sharë në Foltore e Vulë.

Armik na u shfaq SHBA dhe Perëndimi. Na tollovitën dy njerëz: Lulzim Basha dhe Sali Berisha. Na bënë qesharakë. Një luftë e pandershme mes tyre për interesa personale. Një pakt i thyer për mungesë parimesh. Tashmë kjo është histori. Sot "Vula" ka më shumë forume se anëtarë. U drobitën forumet mbledhje pas mbledhjeje për të mos bërë asgjë. Një parti politike që nuk merr pjesë në zgjedhje nuk duhet të ekzistojë dhe s'ka pse mban peng vulën që mund ta përdorin të tjerët. Për çfarë partie mund të flitet pa u ndeshur?! Atëherë paskan të drejtë ata që e quajnë ‘parti e vjedhur’. Një parti që nuk gjen kandidatë duhet ta ulë qepenin. Do të ishte më e ndershme që në një sini "vula" të udhëtonte nga "Kotoni" si koka e Ali Pashës, drejt "Shqupit". Ta pranojmë që dështuam duke mos bërë asgjë, me sytë hapur shihnim qiellin dhe ëndërronim se çfarë bie nga sipër. Ta pranojmë që nuk paskemi bërë betejë parimore për asnjë çast! Të pranojmë se SHBA me  goditje ballore ose me ‘deux ech machina’ do eliminonte Sali Berishën dhe do silleshim si triumfatorë kush e kush të marrë meritat. Të pranojmë që kjo nuk ndodhi dhe shumë u kthyen tek ai, të tjerë i bëjnë sytë e ëmbël, marrin premtime për zergjerësi dhe bëjnë lojën e tij për ta çuar shpartallimin deri në fund të gjësë së mbetur. Natën shohin ëndrra me mëshirë. Filloi gara për t’u justifikuar kush e ka sulmuar më pak. Më e trishtë është kur sheh deputet që ju ndrisin sytë kur Berisha sulmon Bashën  me fjalorin e 32 viteve, kaq të dhunshëm e neokomunist dhe pa vrasje ndërgjegje sa të vërteta ka brenda, po kështu ju ndrinin kur Bashën e kishin përballë Kryetar. Nuk del një t’i thotë ‘mbaje mor burrë gojën. Nuk flet shqiptari kështu’.

Shumëkush mbeti pezull me spirancën hedhur mbi paqartësitë dhe frikërat e veta, mbi ambiciet dhe frustrimet e veta.

Pas 6 Marsit nuk e përkufizuam kurrë identitetin e grupit që mbeti, në jemi parti, shoqatë  kulturore, gjuetarësh apo grup miqsh.  Personalisht kam besuar në çdo gjë që kam bërë e thënë. Asnjë pendesë. Në ka gjë që më bën krenar, është fjalimi në kongresin e 18 Dhjetorit. Një ushtrim i vërtetë demokracie.

Nuk më kanë munguar ofertat për t’u rikthyer. I kam falenderuar por jo.

Pardje mora pjesë, pas shumë mungesash për arsye personale, në një mbledhje grupi dhe kolegë të dashur në diskutimet e tyre të kundërta kishin të gjithë të drejtë. Një nyje gordiane që nuk pritet. Disa e kishin  me mot vendosur të mbështesnin "primaret" po ama pas 14 Majit do i kërkonin llogari Enkeledit për dështimin. Hahahahha. Edhe qeshin në kohë krize. Ne nuk nxjerrim kandidatë, por ne jemi PD ! hahahha sa shaka! Ne nuk jemi PD. Kështu nuk jemi asgjë.

Duke mos ditur se çfarë jemi, nuk po dimë se çfarë po bëjmë. Në pamundësi për të patur njerëz, për të nxjerrë kandidat u sugjerova kolegëve të mi ta çonin "vulën" që parmbrëmë tek Sali Berisha. E kisha pa asnjë grimë cinizmi. Më burrërore është. Duhet pranuar dështimi. Nuk mbulohet ai me fjalë të mëdha. Ajo është partia e tij, herë e madhe herë e vogël, herë e hapur e herë bunker dhe s'kemi pse ia mbajmë vulen si kapsulë shpëtimi për të bërë negociata të pista nesër.

Njerëzit do jua dinin për nder, Berisha jo edhe aq se tek e fundit na mundi dhe na futi në qoshe. Vula e pa përdorur nga ne shndërrohet në ornament.

Iu nënshtruam presionit dhe gjuhës së tij. Ai ka qënë mjaft zemërgjerë, në pronën e tij ka lënë një ngastër për tokë fraksioni. Mundet të shkohet atje dhe aty do jetë një mundësi e madhe  lërimi për reflektim e autokritikë.

Më të zellshmit mund të bëhen prapë deputetë! Pse i bëmë këto beteja e debate qysh nga 9 Shtatori? Disa s’e dinë më. Disa e kanë harruar. Disa flasin për bashkim, duke pranuar si të vetëm kantidatin e "primareve" a thua se e përçamë në PD-në sikur s’ka ndodhur asgjë deri tani. Nuk mungoi oferta mazokiste , silleni kantidaten këtej, përdoreni siglën e vulën, po as i dëgjoi njeri. Berisha  nuk e negocion atë që e beson si të vetën.

E përçau Sali Berisha për interesat e veta me qartësinë e atij që po i merrnin gjënë e vet, por ama mori shumicën me vete dhe ne na mbeti vula me gjyq. I duhej për t’u mbrojtur nga Perendimi. A është fatkeqësi? E madhe është! Nuk e shohin, nuk e ndiejnë. Zoti dritë jua bëftë të gjithëve atyre që besojnë se është shaka.

Vulën kur e rimorëm nuk na u desh më. Nuk e perdorëm. Kolegë të dashur Enkeled , Gazment, Jorida, kthejani Sali Berishës vulën. Ti lëmë pallavrat jo ashtu jo kështu, demokratet andej, demokratët këtej. Do gëzohen njerëzit në bazë se nuk do hallakaten e capërlohen me njëri tjetrin. Personalisht e di që Sali Berisha është një politikan dhe intelektual i kalibrit të lartë, por njëkohësisht perfid, sepse shërbehet nga një shpurë rrandokopësh folklorikë si gati gjithmonë. Me këtë nuk kam parasysh pothuaj asnjë nga 625 mijë votuesit e PD, por toga të caktuara ylyfelinjësh. E ka zhveshur PD nga cilësia duke ia shndërruar fytyrën në mënyrë sistematike për arsye dominimi e përvetësimi.

I zgjedh për Adil, për Pali për Lenka, për të tillë i do si kamerier, lepe peqe, si ushtar të gatshëm me shqiptu çdo marrëzi pa u skuq e pa u zverdh, ku " gratë" behen "burra" dhe "burrat" në "gra". Një shkollë politike e bazuar mbi vetëposhtërimin. Një model enverist që flet per demokraci.

Më shqetëson "non grata" e tij por shkolla politike shumë më tepër, poterexhinjtë folklorikë e zgrapës që presin qarin pranë tij, po kaq. Kjo nuk më pengon të pranoj se ai e perdor vulën, ti njoh zotësinë. Ne jo. Ai ka njerëz, ne nuk paskemi 61 veta. Duket grotesk. Nuk është. E vërteta kjo: Çojani vulën  kolegë dhe mos të rrinë njerëzit në ankth.

Miq deputet  mos prisni datën 15, shkoni sonte. Le të triumfojë bashkimi mes të mundurve dhe mundësit, përdhunuesit dhe të përdhunuarve, ofruesit dhe përfituesve, bujkrobit dhe robërve.

Unë nuk do të vij e tek e fundit jam i bindur që nuk ma ndjen askush mungesën asaj binaje. Unë si më sentimental s’e mohoj respektin që kam për deputetët që gjinden tek Berisha apo për të tjerë që janë duke shkuar. Kjo është liria. Kjo ndjesi në të njëjtën kohe liri, më jep për të bërë dëshmitarin e kësaj thyerje morale ku e reja shembet dhe e vjetra lulëzon gërmadhash.

Por lirojeni robinjën vulë. Çojeni tek i zoti. Mos lini nga pas alibi që do ju ndjekin gjithë jeten.

agron gjekmarkaj vula