Forum23 Maj 2023, 14:37

Gjëmat e klimës, Gaz Bardhi dhe hallet tona…

Shkruar nga Mentor Kikia

Gjëmat e klimës, Gaz Bardhi dhe hallet tona…

Çfarë klime thua ti mor idjot. Gaz Bardhi u bë kryetar i grupit parlamentar, ti thua klima. Kush do të bëhet kryetar i vulës? A vjen sërish Basha?

Nëse shikoni fotot në këtë postim, do të thoni se autori ka lajthitur.

Në fakt jo. Në njërën janë qershitë, që në fillim të këtij “behari” kushtonin shumë shtrenjtë. Ndërsa të tjerat tregojnë përmbytjet e tmerrshme në Itali, me dhjetra viktima e dëme katastrofike.

Çfarë i lidh këto?

Prilli dhe Maji, sivjet ishin zgjatim i dimrit. Ju mendoni se kjo koha më shi çdo ditë, problemin më të madh ka që na la pa plazh në fundjave, apo jo? Zbrisni në fusha të mësoni të vërtetën.

Këto janë arsyet pse ka kaq pak qershi në treg. Sepse në kohën kur duhej të çelnin qershitë ishte ftohtë dhe, ose nuk çelën, ose nuk lidhën dot frutin.

Çfarë ndodhi në Itali? Gjëmë! Për dy ditë ranë reshje sa për një vit. Dhe ja çfarë shkaktuan.

Këto janë ndryshimet e klimës, para të cilave ne jemi milingona. Natyra na ka vënë në provë, ose përshtatemi, ose asimilohemi.

Njerëzimi ende spo e merr seriozisht këtë “kurs” të ri të natyrës.

Ndërsa ne këtu s’duam t’ia dimë fare-fare.

Po ju bëj një pyetje: Cili është halli më i madh sot në Shqipëri?

Nëse shikoni televizion, do të thoni: Politika. Sepse çdo natë, ke nga 20 emisione që flasin për opozitën. Nga një deputet të PD-së (me dhe pa vulë) në çdo studio, e nja 5 analistë dhe bërtasin dhe që i kërkojnë llogari për punën e qeverisë.

Keni dëgjuar gjëkundi të flitet për këto probleme?

Jo!

E nëse flet, të quajnë të marrë.

Çfarë klime thua ti mor idjot. Gaz Bardhi u bë kryetar i grupit parlamentar, ti thua klima. Kush do të bëhet kryetar i vulës? A vjen sërish Basha? Ça do bëjë Berisha pa vulë, do të ikë apo jo?

Këto janë halle…

pd barhdi klima