TAGS-AT E JAVËS

Forum 8 Dhjetor 2025, 10:34

Gjykata e Hagës, tempulli që tradhtoi viktimat

Shkruar nga Gjergj Zefi
Gjykata e Hagës, tempulli që tradhtoi viktimat
Gjykata e Hagës /

Salla ku u gjykua Millosheviçi u mbyll, bashkë me idenë se drejtësia ndërkombëtare ekziston ende...

Salla ku dikur u ul Slobodan Millosheviçi, i rrethuar nga dosje, kamera dhe shpresa se bota do të vendoste më në fund një standard kundër barbarisë, sot është zhdukur. Jo fizikisht, muret janë aty, por si simbol, ajo sallë nuk ekziston më. Është kthyer në një hapësirë burokratike, një dhomë e ftohtë pa histori, pikërisht ashtu siç është kthyer edhe e gjithë drejtësia ndërkombëtare: një zyrë bosh që pret fonde, jo një gjykatë që kërkon të vërtetën.

Gjykata e Hagës, tempulli që tradhtoi viktimat
Milosheviç në Hagë /

Procesi ndaj Millosheviçit, i gjatë, i vështirë dhe i mbushur me prova të rënda, nuk mori kurrë fund. Ai vdiq para se të dënohej, duke lënë pas një boshllëk që askush nuk e mbushi. E ndërsa viktimat mbetën pa një vendim final, sistemi ndërkombëtar i drejtësisë nisi të tretet si një ndërtesë e braktisur. Tribunalet për Jugosllavinë dhe Ruandën u fikën një nga një. Ai për Libanin u mbyll se nuk kishte para. Mekanizmi që mbeti sot është një imitim: pa dhëmbë, pa autoritet, pa respekt.

E më keq akoma, Gjykata Penale Ndërkombëtare është kthyer në shënjestër të shteteve që duhej ta mbështesnin. SHBA e ka goditur me sanksione. Italia ekstradon njerëz drejt vendeve ku rrezikohen. Hungaria injoron urdhër-arrestet për Netanyahu-n. Putini dhe liderë të tjerë të akuzuar shëtisin të lirë. E ndërkohë, vetë kreu i ICC-së përballet me akuza për abuzim seksual. Çfarë drejtësie mund të pretendojë bota nga një institucion që nuk është në gjendje të pastrojë oborrin e vet?

Mbyllja e sallës së Millosheviçit nuk është thjesht fundi i një epoke; është pranim faljeje për të gjitha krimet që duhej të ishin gjykuar me vendosmëri. Është prishja e një monumenti moral, një shenjë e qartë se sot krimi ndërkombëtar nuk trembet më nga Haga, por qesh me të. E gjithë kjo nuk ndodhi nga një gabim, por nga lodhja, frika dhe pazaret politike të fuqive të mëdha, që tani e përdorin drejtësinë ndërkombëtare si dekor diplomatik, jo si mjet ndëshkimi.

Salla u mbyll. Por ajo që u varros aty nuk ishte thjesht një proces gjyqësor; ishte vetë ideja se bota mund të ishte e drejtë. Tempulli ka rënë!/Pamfleti

gjykata e hagës tempulli i tradhtuar gjergj zefi

Lini një Përgjigje