
Mënyra më e mirë për të luftuar ngritjen e partive të tilla - dhe përhapjen e ideve të tyre - është përfshirja në një dialog të drejtpërdrejtë me votuesit, të cilëve duhet t’u ofrohet një vizion për të ardhmen që përfshin përmirësimin e kushteve të jetesës, jo vetëm parandalimin e fatkeqësive.
Rezultatet e zgjedhjeve të Parlamentit Evropian tronditën shumë njerëz, dhe kjo është një shenjë e mirë. Shoqëria evropiane nuk është e përgatitur ta pranojë në heshtje një kthesë kaq të mprehtë politike drejt të djathtës ekstreme. Për më tepër, në disa vende janë populistët e djathtë, ata që kanë hequr dorë nga territori.
Për shembull, partia e Polonisë Ligj dhe Drejtësi (PiS), e cila humbi pushtetin në Varshavë tetorin e vitit të kaluar, u paraqit dobët edhe zgjedhjet evropiane të qershorit, duke humbur përballë koalicionit qeverisës të Donald Tusk edhe pse me vetëm 0.9 për qind diferencë.
Në Hungari, partia centriste Respekt dhe Liri (Tisza), e udhëhequr nga Peter Magyar, arriti ta sfidojë partinë Fidesz në pushtet të Viktor Orban, duke marrë 29.6 për qind. Dhe partia finlandeze kundër emigrantëve, Finlandezët, qëndroi vetëm një mandat në pushtet. Këta shembuj, tregojnë se liberalët dhe progresistët janë ende në gjendje t’i rezistojnë populistëve dhe radikalëve të djathtë.
Nuk duhen nxjerrë përfundime gjithëpërfshirëse mbi arsyet që qëndrojnë pas joshjes nga partitë e ekstremit të djathtë. Sepse secili vend ofron kontekstin e vet, dhe kandidatët e dinë se ky duhet të synojnë në varësi të gjeografisë politike. Në “demokracitë e konsensusit” të vendeve nordike, ku ndarja midis së djathtës dhe të majtës është kryesisht arbitrare dhe ku vija ndarëse në shoqëri qëndron midis pakicës në pushtet dhe popullit, lulëzuan populistët anti-elitë.
Demokratët e Suedisë, Partia Popullore Daneze dhe Finlandezët e lartpërmendur, pretendojnë se anëtarët e një elite të vogël - të cilët kanë më shumë të përbashkëta me njëri-tjetrin se sa me qytetarët e zakonshëm - e drejtojnë shtetin sipas interesave dhe pikëpamjeve të tyre, pa pyetur fare për mendimin e votuesve (sidomos kur flitet për çështjet e migrimit).
Shfaqja e mos-respektit ndaj sistemin ekzistues të pushtetit, është një pjesë e rëndësishme e apelit të së djathtës. Shkelja e tabuve është gjithashtu tërheqëse për votuesit në vendet që përjetuan sundim autoritar gjatë Luftës së Dytë Botërore:Gjermania, Italia dhe Franca.
Për një numër të madh votuesish, dhënia e zërit ndaj gjërave të ndaluarave, perceptohet si një shenjë e guximit politik dhe një refuzim i normave liberale. Kështu, Vëllezërit e Italisë të Giorgia Melonit bëjnë vazhdimisht aludime ndaj së kaluarës fashiste të vendit. Logoja e partisë është në formën e një flake trengjyrëshe, një simbol i mbajtur nga partitë e dikurshme që u frymëzuan nga lëvizja e Musolinit.
Shumë votues në Itali dhe Gjermani, i shohin veprimet e ekstremit të djathtë si tregues se partitë janë të përgatitura ta tronditin sistemin. Këtë armë e përdor edhe Alternativa për Gjermaninë (AfD). Edhe pse deklaratat e disa prej figurave të saj, çuan në përjashtimin e tyre dhe shkaktuan një denoncim të gjerë nga publiku gjerman, për votuesit e AfD-së - 15.89 për qind në zgjedhjet e qershorit - një retorikë e tillë shërben si provë e dallimit nga “partitë e tjera” dhe si refuzim i traditave liberale demokratike të pranuara në përgjithësi
Në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, të cilat kanë përjetuar transformime socio-ekonomike në shkallë të gjerë që nga fillimi i viteve 1990, janë shumë të kërkuara partitë që premtojnë një rikthim tek “vlerat tradicionale”, në thelb një kthim tek e kaluara. Por për të gjitha dallimet në kulturën politike dhe rrugët e zhvillimit në të gjithë kontinentin, ekziston një matricë e përbashkët që shpjegon edhe mbështetjen në rritje për të djathtën ekstreme në Evropë.
Ndonëse sondazhet tregojnë se në shumë vende qytetarët janë bërë më liberalë në lidhje me abortin, divorcin, seksin paramartesor dhe qëndrimet ndaj të huajve, ngjarjet e 5 viteve të fundit i kanë bërë ata më intolerantë ndaj krizave. Votuesit evropianë, që nuk janë mësuar të përballen me situata ekstreme, përjetojnë një frikë në rritje, ndaj janë bërë gjithnjë e më të përkushtuar ndaj ideve të kontrollit dhe rendit.
Slogani i famshëm i Brexit “Take Back Control” (Ktheni pas kontrollin kombëtar), është bërë një pararojë e ndryshimit. Ndërsa shtohen krizat, votuesit - ashtu si notarët që ngjiten pas bovave në një det të trazuar - besojnë gjithnjë e më shumë tek liderët aspirantë që premtojnë “të marrin sërish nën kontroll situatën”.
BE-ja dhe qeveritë kombëtare mund të argumentojnë me kënaqësi, se i kanë mbrojtur qytetarët e tyre nga efektet më të këqija të Covid-19, duke shpërndarë vaksina dhe duke miratuar një paketë të madhe të rimëkëmbjes ekonomike, se po përpiqen t’i mbrojnë njerëzit sa më shumë nga pasojat e kriza energjetike e shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë, dhe se programi i Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane është një mjet kyç në luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Por asnjë nga këto që përmenda, nuk duket se ka shumë peshë në sytë e votuesve. Për shumicën e tyre, jeta është bërë më e vështirë dhe gjithnjë e më e pasigurt. Kufijtë e përshkrueshëm nga ilegalët, ndërvarësia midis shteteve, diskutimet mbi zinxhirët e prishur të furnizimit dhe reformat e imponuara tek industritë tradicionale si bujqësia dhe peshkimi, shihen nga qytetarët si shenja të rënies së pashmangshme nën sfondin e fuqive në rritje si Kina, të cilat diktojnë vullnetin e tyre përmes fuqisë ekonomike.
Ndërkohë propozimet aktuale të partive kryesore - që synojnë jo aq përmirësimin e situatës, por parandalimin e përkeqësimit të saj - nuk janë aspak tërheqëse për ata, jeta e përditshme e të cilëve është shndërruar në një luftë. Për pësojë, njerëzit janë bërë më pak tolerantë ndaj manovrave dhe vendimeve komplekse politike që ata i perceptojnë si dështime.
Ata nuk u besojnë qeverive teknokrate, të cilat besojnë se japin shumë pak dhe kërkojnë shumë. Si në nivel kombëtar ashtu edhe në nivel të BE-së, refuzimi i një elite që nuk ka lidhje me shqetësimet reale të votuesve, është një element i rëndësishëm i ndjenjës publike.
Media e portretizon pa u lodhur qytetarin ideal dhe liderin ideal që mund të drejtojë vullnetin kolektiv të njerëzve. Mediat tradicionale të tipit tabloid, së bashku me rrjetet sociale, kanë krijuar mundësinë për të shprehur vetëm opinione të polarizuara, të cilat gradualisht i izolojnë njerëzit nga diversiteti i pjesëstjetër, duke i mbyllur në kufij gjithnjë e më të ngushtë.
Ata promovojnë një intolerancë kolektive për botën e ngadaltë, procedurale, teknokratike të politikës, e dallueshme nga bota e aksesueshme, e lakueshme dhe e përgjegjshme e mediave sociale. Nuk është për t’u habitur që partitë që premtojnë t’i dëgjojnë qytetarët, të thjeshtojnë dhe kuptojnë të gjitha ndërlikimet e problemeve të përditshme duke ofruar zgjidhje të shpejta, tërheqin mbështetjen e kaq shumë votuesve.
Një nga pyetjet kryesore, është pse janë populistët e krahut të djathtë, dhe jo socialistët apo socialdemokratët, ata që po përfitojnë nga nevoja e njerëzve për një politikë emocionale. Nëse shohim se ku ia kanë dalë partitë populiste, atëherë bëhet e qartë se çelësi i ngritjes së tyre qëndron në zhdukjen e një alternative të krahut të majtë që njeh si imperativat ekonomike, ashtu edhe frikën që lidhen me statusin dhe identitetin.
Në Francë dhe Itali, kolapsi i partive komuniste dikur të fuqishme, la pas një boshllëk që nuk u plotësua kurrë nga partitë socialdemokrate apo socialiste, baza e mbështetjes së të cilave ishte më shumë tek klasa punëtore sesa tek shtresa e mesme e mirë-arsimuar.
Ndaj nuk është për t’u habitur që lulëzimi i këtyre partive erdhi në fund të viteve 1980 dhe në fillim të viteve 1990, pas së cilës e majta u kthye drejt një “Rruge të Tretë”, duke braktisur shumë nga angazhimet e saj tradicionale. Për shembull Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen, po dominon në ish bastionet e partive të majta në veri dhe lindje të Francës së de-industrializuar. Propozimi i tij në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, bazohet tej rishpërndarja e përfitimeve ekonomike, ulja e kostos së jetesës dhe rritja e pagës minimale. Mënyra më e mirë për të luftuar ngritjen e partive të tilla - dhe përhapjen e ideve të tyre - është përfshirja në një dialog të drejtpërdrejtë me votuesit, të cilëve duhet t’u ofrohet një vizion për të ardhmen që përfshin përmirësimin e kushteve të jetesës, jo vetëm parandalimin e fatkeqësive./Përshtati Pamfleti nga 'The Insider'
Shënim: Catherine Fieschi, analiste politike, bashkëpunëtore në Qendrën Robert Schuman në Institutin Universitar Evropian (EUI).
Lini një Përgjigje