Forum 4 Dhjetor 2023, 21:27

Kronikë e shkurtër për thagma që të këpusin shpirtin

Shkruar nga Agron Gjekmarkaj

Kronikë e shkurtër për thagma që të

Muli para nesh shfaqej si statuja e lirisë. Dora gjakatare e Linditës e shndërroi përsëri në dëshmor.

Pjesa e parë : Durimi i zotit Bernard soset.

Të gjithë e mbani mend atë përzhitje madhështore që mbështolli Bernard Banushin kur Terminatori, daci i tij që mos i qoftë i rëndë dheu na la. Dhimbja po kalon caqe e kufij si dikur vrapi i zorzopi sokaqeve e rrëpirave ku lezeti çilet filiz

Në të errur, sikur gjithësa të mos mjaftonte, Bernardit i vjen një telefonatë nga spitali i zonjës Edhit. Ata i kërkonin as më pak e as më shumë por plot 300 mijë lek për ditët kur ai ashik lebetitej mes jetës dhe shuarjes me hallatet në satër.

Aty Banushi , nuk mbajti, mori zjarr si rrëshira e pishës. Ai e kapërceu melankolinë, vetëpërmbajtjen madje edhe admirimin për kolegen ideologë,  për mendimet e holla e plot thagme të vetë zonjës Ed’hit mbi PD-në e vërtetë, qendrestarët, demokracinë, vatanin e Botën.

Siç di ai sokëlliu. E kroi zërin dhe telit të telefonit prej ndezullisë i ra lëkura si gjarprit në pranverë.

Për nur të Allahut mos e thoni më atë fjalë, se ja çuat rininë dëm atij çarçafi u hakërrye, më thyet zemrën që ju bëfsha gjëmën. Do vij aty si dimri në kasollen pa derë e dritare nëse kjo zile bie prapë e lek më kërkoni kur unë ende vajtoj Terminatorët e gjorë.

Pjesa e dytë ! Kryezëvendës Lideri ja bën fora !

Me këto lajme në krye mbërrita në sallën e Kuvendit. Luftëtaret e lirisë e kishin vënë dushmanin nën panik. Kudo ai ishte nën tërheqje. Niko Nikoqiri kishte braktisur istikamin. Pa një pa dy  ishte rrasur në mes të Tezes  së murosur si Rozafati  dhe Ogertes së dëlirë e  cila me një shami të qëndisur i fshinte çurgun herë pas here. Ulsiu foli me heshtje.

Kryezevendes Lideri Muli i frymëzuar nga Kongresi i dates 2 Dhjetor vërtitej si titan neper salle teksa zjarri e ndiqte nga pas. Dorën ja hijeshonte një flakadan.

Muli para nesh shfaqej si statuja e lirisë. Dora gjakatare e Linditës e shndërroi përsëri në dëshmor. Kosta shkruante epitafet nga llozha si mehmur i palodhur i Tabirr Sarajt.

Pader Salianji i cili ka hyrë në një fazë të epërme purifikimi ekleziastik  u gëzua kur më në fund gjet mes nesh Agallinë të cilit ju lut përunjësisht të ndizte një qiri edhe per shpirtin politik të Lulit.

Diku dëgjohej zëri i gëzuar i Doktorit që i kujtonte Petro debatikasit , vazhdo ti vazhdo se do të qethim përsëri si dikur.  Pashë nga Petro zefiri , ç’ti qethesh pakogjë i ka mbetur rreth veshit pos vrerit për ballistet. Inati i vjen nga lufta klasore se ata hanin pula dhe ai kothere e shellirë.  Albana dhe Lideri në  perspektivë  Gazi ruanin krahët njëri-tjatrit,  tashmë  si veteran nder beteja.

Po të vinë nga para i thoshte Albana , shiko anash e kujdesonte ai. Aty ke një kaçile me bumje e lajmëronte ajo, mos ndalo zjarrin e këshillonte ai.  Ah sikur ti shihte Jorushi i gjorë do ti bëhej mal ajo zemër e butë mbushur me mirësi e travajë. Sajme  Korreshi i binte borisë si borizani në Tendën e Qypit.  Ismet Beqiri foli siç i ka hije, si të ishte Babo në sallë, të na rrojnë djemtë tha e armiqtë  me kokë poshtë dhe brram nga xhepi nxori një faqore  dhe lagu gurmazin. Dash Sula hakërrehej “jetën e japim demokracinë  kurrë”. Sa hije i kishte ai slogan.

Tao i cili prej kohesh kërkon një fitore në sallë ikën gjithnjë e më i zhgënjyer nga gardistet e tij të trembur nga Elda Hoti. Të enjten tjetër të marrin kufje se po i fryu Mondi bilbilit i shurdhon per jetë  e mot. I ha dreqi, mbeten batall për jetë e mot. Nuk do të kenë mundësi pastaj të shijojnë fjalimet e Tonit dhe të Pranverës.

Laerti ndien mall  për ditët e bekuara kur koleget socialist i mbushnin plot me lot gëzimi domixhanet e kujtesës nga sukseset e Babos, tani të gjithë janë ngurtësuar, kanë shterur si gjashtë milion lopët e Anilës në prag dimri.  Ndihej si i pushuar nga puna.

Arben Pëllumbi fshihej gjithë kohës pas  kokës si barrikadë të  Nasipit e cila mbulonte mungesën e  papërballueshme të Etildes. Majko i butë pi dy nëna. Ai qe më me fat nga të gjithë. Që të mos e ngante njeri u shoqërua nga   Elisa  kuq e zi për një copë rrugë të gjatë si i vetmi segment lirik i një dite zjarri. Në bese të saj nuk e prekem. Qerratai

Ermua dukej e gëzuar pas depozitimit të projektligjit kundër komisioneve hetimore. Në mëngjes kishte ngrënë një tas me përshesh të ngrohtë, madje kësaj here nuk kishte thyer as pasqyrën, në dalje. Sherri i jepte forcë si toka Anteut. Klotilda fërkonte duart si kasapi në thertore sa vetave do ju ndalonte rrogën. Çyrbja uroi Doktorin për ri konfirmimin e vështire  teksa si mëz lozonjar fluturoi për kah dalja.

Në oborr u hap lajmi se në datën 8 dhjetor në Kongres  Babo virani do të promovojë një “homo sovieticus” duke shkaktuar sëkëlldi të madhe tek të vetët. Ferdinand Xhaferri si Pilati mes Gaz Bardhit e Mulit përpiqej të ndante kush është Krishti e kush Baraba. E sigurova që Doktor Tritani nuk  është Juda.

kuvendi opozita