Forum20 Maj 2023, 13:51

Kush do t’ja “krasitë” degët “plepit” Edi Rama?!

Shkruar nga Sokol Pepushaj

 

Kush do t’ja “krasitë” degët “plepit”
Edi Rama

Opozita ende është shkurre përballë Edi Ramës që lëshon shtat si plep. Është aq shkurtabiqe, sa nuk arrin jo t’ja “krasitë”, por as t’ja prekë degët.

Por, që të jemi me këmbë në tokë, dy PD-të, njëra pa vulë, tjetra pa kryetar, krijojnë terren të harlisen “drunjët” pa vlerë, ku parazitët e shoqërisë bëjnë pallë.

Pallë qeveria, pallë SPAK-u, pallë ndërkombëtarët.

Askush nuk ndez një pishtar në terrin e realitetit...

Qeveria ka hyrë në rrugë të errët. Edhe opozita po ashtu. Njëra nëpër tis-pis, tjetra nëpër terr-ferr.

Kështu, Qeveria rrezikon ose të vetë rrëshqasë e të thyejë qafën teposhtë në humnerë, ose të shtrihet kulaç në shkarkitë e veta që nuk janë pastruar prej 10 vitesh. As gomarët që zgjodhi Babloku mes njëthundrakëve të fshatit, nuk kanë kurriz të fortë ta tërheqin qerren e vullneteve mafioze për nga shpresa, jo se nuk janë të sojit, por se mbi samar kanë barrë të rëndë ushqimi. Kanë vjedhur aq sa të sigurojnë kërriçët e vet disa brezni dhe ndërkombëtarëve t’ua mbushin “grazhdin” sa të shkelin e të shgërryhen mbi dollarë e prona.

Po ne që shkruajmë ç’bëjmë?

Shumica jemi bërë palë me mafien dhe pak, fare pak, kemi ngelur duke masakruar një coftinë që jo vetëm nuk ka shanse të bëjë rotacion pushteti, por as të dalë nga terr-ferri, ku trungu më i trashë që mbahet opozita, është një hu i kalbur nga sëmundjet që mos i paste as armiku yt.

Sali Berisha, i kërrusur nga pesha e mëkateve, është thjeshtë një gërdallë që nuk gjeneron degë për liri kompetencash dhe vendimmarrjesh, as minimalisht të pranueshme, në mes të këtij pylli tropikal, ku Babloku e ka kurorën mbi re. Edhe ndonjë “kulpër” si ambasadorja amerikane Yuri Kim, i është ngjitur “plepit”, diku deri poshtë mesit. As ajo nuk arrin t’i ngejë sytë gjysëm të mbyllur lart, për nga “retë” që janë gati të lëshojnë rrebeshe.

Retë janë nxirë shkurret nuk rriten...

Kërcellin e kanë të kalbur, degëzimet e memories ekologjike pa oksigjen, pa vaditje, dhe më e keqja, pa ushqim.

Plepi i lartë i ka rrënjët në pleh dhe kokën mbi re. Zyrtarët që paguhen kaq pak, kanë vënë mënjanë pasuri miliona dollarëshe, e prapë rrinë në Olimp si Perëndi që gjuajnë me rrufe këdo nuk u nënshtrohet.

Të nënshtruarit me presion për mos “krasitje” degësh, xhuxhat që bëjnë trimat e xhunglës së Ballkanit, përveç vemëndjes së perëndimit që kujdeset t’u humbë farën, nuk kanë takat as të marrin frymë lirisht, jo më të lëshojnë shtat.

Nëpër këtë xhungël, ku edhe Yuri Kim mund të shpohet nga shkurret, sa ç’është anormale të sjellësh sekuenca për vizione politike që aspirojnë të ardheme, është logjike të pyesësh, more se po rritet frikshëm Babloku, a del kush t’ja “krasitë” degët “plepit” Edi Rama?!/Pamfleti

plepi edi rama krasitja e degëve