Forum19 Maj 2023, 17:58

Për avokatët e rremë të Berishës dhe mbështetësit idealist të tij

Shkruar nga Mero Baze

Për avokatët e rremë të Berishës dhe

Biznesi i tyre i vetëm është ta mbajnë opozitën të përçarë dhe t’i japin kurajë Berishës ta bëjë sa më mirë këtë punë, me qëllim që ata të jenë të dobishëm për një familje të korruptuar shqiptare që mund t’i mbajë me pagesa për hallin e vet...

Ka një hendek të thellë qoftë dhe mes mbështetësve më të zjarrtë të Berishës në shoqëri dhe mbrojtësve publik të Berishës pas shkatërrimit elektoral të 14 Majit.

Edhe mbështetësi më i flaktë i Berishës që e ka votuar atë, ka sot rezerva dhe një sërë dyshimesh për të ardhmen e tij me Sali Berishën në krye. Shikoni njoftimet për shtyp të Berishës kur poston daljet në konferenca në Facebook dhe do të shikoni se mbi 70 për qind e fansave të tij kryesorë e këshillojnë të japë dorëheqjen dhe të ikë në shtëpi.

Pastaj shikoni analistët që mbledh me pagesë djali i tij tek televizioni i vet, se si e quanin fitore 14 Majin, se si mbledhin gjithë votat e partive opozitare dhe ja quajnë Berishës 500 mijë, ndërkohë që ai ka marrë vetëm 250 mijë dhe ka humbur 350 mijë të tjera. Shikoni si i bëjnë thirrje Sali Berishës të qëndrojë në krye të PD deri në vdekje, duke sulmuar gjithkënd që i thotë ik në shtëpi.

Po përse gjithë ky hendek mes mercenarëve me pagesë të Sali Berishës dhe mbështetësve idealistë të tij?

Mbështetësit e Sali Berishës në elektorat, ata që mund të quhen karburanti i tij i fundit elektoral, sot janë jo vetëm të shokuar, por edhe të qartë se me atë nuk kanë për të ardhur kurrë në pushtet. Ata kanë vetëm një ëndërr dhe ëndrra e tyre është të rikthehen në pushtet dhe ta shikojnë veten fitues. Këtë ëndërr Sali Berisha ua ka vrarë përfundimisht, pasi atij i duhen ata thjeshtë si ushtarë për hallin e tij.

Ndaj ata janë zhgënjyer prej tij dhe po bëjnë thirrje dëshpëruese për bashkim.

Mercenarët publik të Sali Berishës, kanë një objektiv krejt të ndryshëm. Ata e kanë pushtetin e tyre publik dhe pagatorin e tyre. Interesi i tyre është kriza e pafundme e opozitës dhe dalja e tyre gjithmonë si shpëtimtarë me ide se si mund të zgjidhet.

Hapni me qetësi arkivat dhe shikojini çfarë kanë thënë.

Janë ata që në vitin 2017 thërrisnin fitore për marrëveshjen e Bashës me Ramën, që në fakt ishte një fitore për Bashën dhe më 2021 e quanin atë tradhti.

Janë ata që në vitin 2019 ulërinin se PD duhet të djegë mandatet dhe të dalë nga Parlamenti dhe janë të njëjtët tani që thonë se djegia e mandateve ishte idiotësi. Më duket vetja sikur kam thënë unë digjini mandatet dhe ata kanë qenë kundër.

Janë të njëjtët që më 2019 këshillonin opozitën, madje e urdhëronin të bojkotonte zgjedhjet lokale se nuk fitohej me Edi Ramën dhe tani thonë se katastrofa erdhi se PD bojkoti zgjedhjet lokale më 2019. A thua ne të tjerët i këshilluam të bojkotonin dhe ata ishin kundër.

Janë të njëjtët që këshilluan Sali Berishën në vitin 2021 të mos bënte një Kuvend Bashkimi dhe ta zgjidhte çështjen e legjitimitetit brenda PD në një Kuvend më 18 Dhjetor, por e shtynë te bënte një miting në stadium me 11 dhjetor dhe ta merrte PD me dhunë në mënyrë arbitrare dhe sot ankohen pse nuk kanë vulë.

Janë të njëjtët që këshilluan Sali Berishën të rrëmbente vare, çekiçë e gaz lotsjellës për të sulmuar PD më 8 Janar dhe sot akuzojnë Edi Ramën se ka përçarë PD.

Janë të njëjtët që këshilluan Sali Berishën të futet nën siglën e Ilir Metës dhe të pranojë më lehtë Partinë Komuniste të Marko Dajtit sesa Enkelejd Alibeajn më 2023 dhe sot thonë humbën se nuk kishim vulë dhe sigël.

Biznesi i tyre i vetëm është ta mbajnë opozitën të përçarë dhe t’i japin kurajë Berishës ta bëjë sa më mirë këtë punë, me qëllim që ata të jenë të dobishëm për një familje të korruptuar shqiptare që mund t’i mbajë me pagesa për hallin e vet.

Dhe për ironi të fatit janë në shumicë të gjithë gazetarë apo propagandistë që vijnë nga e majta shqiptare, kryesisht ish shok të mërzitur me Edi Ramën, të cilën gjithë këtë avokati për Sali Berishën e bëjnë vetëm, që herë pas here, të marrin në telefon Edi Ramën në ndonjë drekë apo darkë e ta informojnë se si po shkojnë punët në opozitë. Janë sekserët më të pacipë të historisë së Shqipërisë, që për tu ndjerë të dobishëm vetë, bëjnë sikur mbrojnë Sali Berishën, pasi është i vetmi që mund ti bëjë të dobishëm në këtë situatë anormale politike në opozitë.

Është kjo arsyeja që dhe kur i shikon të flasin apo të mbrojnë Berishën nuk kanë emocion, nuk janë të mërzitur, nuk janë të frustruar nga humbja. Janë gati, gati, të lumtur që ai ka një hall dhe ata i gjenden pranë.

Ata të mërziturit e vërtet, ata që duan të reflektojnë, ata që duan vërtet që opozita një ditë të fitoj në këtë vend, janë mbështetësit në bazë të Sali Berishës, që secilin kur e takon apo flet me ta, thotë se me këtë nuk kemi asgjë në terezi. Dhe nuk kanë vërtet se ata duan që një ditë të fitojnë. Kurse ata avokatët e rremë të tij në publik, janë duke fituar përditë nga humbja e tyre.

berisha baze