
Berat, nuk ka asgjë fisnike në një shtet që vjen e shemb pa transparencë, pa plan, dhe mbi të gjitha, pa ndershmëri...
Berat Buzhala, e ke gabim!!!
Në shkrimin tënd për Thethin, i ke dhënë vetes rolin e një udhëtari nostalgjik që kujton netët në bujtinat e gurta dhe idealizon shtetin që “po mbron Kishën”. Por në përpjekjen për të dukur i paanshëm dhe i drejtë, ke devijuar rëndë nga faktet.
Së pari: nuk bëhet fjalë për “dy-tri vila të ndonjë të forti”. Vila e atillë, për të cilën flet, është hequr që ditën e parë. Bëhet fjalë për rreth 120 ndërtime të tjera, shumica e të cilave bujtina, apo struktura turistike që janë ngritur nga vetë banorët e zonës, gjatë viteve të fundit. Jo ndërtime mafioze, por investime të vogla nga njerëz që kanë kërkuar të mbijetojnë aty ku shteti nuk shfaqet kurrë, përveç kur vjen me fadromë.
Së dyti: kryeministri që sot shemb, është po ai që para zgjedhjeve i "legalizoi". Lexo Berat. Mos merr kot! Ishte vetë Kryeministri që u tha banorëve “rrini, se do t’ua rregullojmë me ligj, madje do u falim edhe gjobat.” E ke gjithandej videon e tij të premtimit.
Pra, njerëzit që sot i sheh në përplasje me policinë, janë të njëjtët që vetëm pak muaj më parë u mashtruan për votën. Prandaj, pyetja nuk është “pse i shembin?” por “pse tani, në kulmin e sezonit turistik, kur Thethi është plot me turistë të huaj, që do ta kujtojnë Shqipërinë si vendin ku dëbohet banori dhe shembet me dhunë?”
Së treti: këto nuk janë ndërtimet e komunizmit, nuk janë kooperativa ku të gjithë kanë hise, por janë po aq pak “Disneyland” saç është Parisi një gërmadhe. Aty ka njerëz me emër, mbiemër, familje, investim dhe shpresë. Shembja e tyre është jo vetëm selektive, por edhe mizore. Sepse s’po shembet asnjë hotel 5 yjesh me helikopter padroni, as resortet në bregdet, po shemben njësi tursitike që u bënë bujtinë me kredi të vogla.
E fundit: ky aksion nuk i sjell Ramës pikë, as në Dukagjin e as në veri, përkundrazi, zbulon fytyrën e një shteti që kujtohet për malësorët veç kur do t’u japë leksione "ligji". Po të donte pikë, do t’i ftonte në tryezë, do të hapte dialog. E jo t'u shkonte me kallash, fadroma, forca të shumta policie.
Berat, nuk ka asgjë fisnike në një shtet që vjen e shemb pa transparencë, pa plan, dhe mbi të gjitha, pa ndershmëri.
Nëse doni me të vërtetë të ruani Kishën e Thethit, fillimisht ruani njerëzit që e kanë ruajtur atë Kishë ndër breza.
Lini një Përgjigje