TAGS-AT E JAVËS

Forum20 Qershor 2026, 10:17

Mëkati fillestar i Georgia Melonit!

Shkruar nga Massimo Giannini
Mëkati fillestar i Georgia Melonit!
Donald Trump dhe Giorgia Meloni /

Ku ishte Meloni kur Trump priste Putinin me të gjitha nderimet, pasi e kishte trajtuar Zelenskyn si një lypës? Po kur paralajmëronte aneksimin e Grenlandës dhe pushtonte Venezuelën?

Edhe një herë, Donald Trump shfaqet para botës ashtu siç është në të vërtetë: si një djalë rruge që dhunon çdo logjikë. Si pasaniku megaloman i pasurive të patundshme, të cilit një Amerikë e egërsuar i hapi sërish dyert e Shtëpisë së Bardhë, duke e shndërruar atë në një “trumpodrom”, vulgar ku shkrihen bashkë ringjet e mundjes dhe sallat e vallëzimit.

Apo si “Sherifi” i Uashingtonit, i cili ndihet rehat vetëm me tiranët, ndërsa miqtë i trajton si skllevër. Fjalët me të cilat ai poshtëroi Giorgia Melonin gjatë bisedës telefonike në emisionin “L’Aria che tira” në La7, flasin vetë.

Edhe sikur të ishte e vërtetë që kryeministrja bëri çmos për “të shkrepur një foto” me të në G7 - pas atij gjysmë-divorci të shkaktuar nga ofendimet e manjatit ndaj Papa Leonit - toni përbuzës që ai përdori e damkos sërish.

Në këtë histori, nuk të të vjen keq për Melonin por për vetë Trumpin. Mbi degradimin te diplomacia e pacipë të fyerjeve. Për maçoizmin e gënjeshtër dhe burracak që - duke huazuar metaforën e vjetër të Robert Kagan - shkarkon mbi “Venerën” europiane frustrimin e “Marsit” amerikan, i mbetur me gisht në gojë nga dështimi në Iran.

Pavarësisht qëndrimit nënshtrues, nuk mund të trajtohet kështu kryeministrja e një vendi themelues të Bashkimit Evropian. Dhe ndonëse ishte një reagim thjesht formal, indinjata e institucioneve dhe partive ndaj kësaj talljeje ishte më se e drejtë.

Nuk mbeti as kohë për të festuar “paqen e Evianit”. Në gazetën Libero, drejtori dhe biografi i saj Sallusti e kishte festuar ngjarjen me maturinë e tij të zakonshme: “Giorgia-Donald, rikthehet dashuria”.

Siç duket, ajo shfaqje lozonjare në samitin e Shtatë të Mëdhenjve buzë Liqenit Leman ishte thjesht një iluzion optik. Qe vetëm skeçi i radhës i atij “Trump-Show” banal që transmetohet prej një viti e gjysmë.

“Kemi qenë gjithmonë miq…”- shkruante në platformën X “Shamania” që kemi për kryeministre përballë kryetarit të saj të rigjetur të fisit. Dhe tani, ja një shuplakë tjetër. Reagimi i “Motrës së Italisë” në rrjetet sociale është i saktë, përveç një pike: të akuzosh Trumpin se është arrogant me aleatët dhe tolerant me “armiqtë e Perëndimit”, pasqyron një të vërtetë të padiskutueshme.

Por të zgjohesh vetëm tani dhe të vëresh këtë sjellje të marrë e despotike të Komandantit të Përgjithshëm të SHBA-së, tregon një naivitet të padurueshëm.

Pyetjet mbeten të njëjtat. Ku ishte Meloni, kur  Trump priste Putinin me të gjitha nderimet në Anchorage, pasi e kishte trajtuar Zelenskyn si lypës në Zyrën Ovale?

Po kur shpallte aneksimin e Grenlandës dhe pushtonte Venezuelën - operacion të cilin ajo vetë e konsideronte “legjitim”? Ku ishte ajo kur J.D.Vance në Mynih mbronte Rusinë, dhe i trajtonte liderët europianë si “gjobaxhinj” të paaftë për të mbrojtur vlerat themelore?

Po kur presidenti amerikan tallte Gjykatat Penale, shpartallonte OKB-në e NATO-n dhe ndërpriste dërgimin e armatimeve për Ukrainën? Ku ishte ajo kur ai mbulonte pastrimin kriminal etnik të Netanyahut dhe hidhej në kryqëzatën e marrë kundër ajatollahëve, të cilën ajo e komentonte me një stil prej Ponc Pilati: “as nuk e mbështes, as nuk e dënoj’?

Ndërsa Arkitekti i Kaosit po shkatërronte rendin botëror dhe po bënte copë-copë kanunin perëndimor, Tajani shkonte në Këshillin e Paqes me kapelen “MAGA” në kokë. Ndërkohë, Meloni sillej si një Shamane, priftëreshë, duke e kandiduar biznesmenin e Mar-a-Lago-s për çmimin Nobel.

Ajo ëndërronte të ishte një “urë” heroike mbi Atlantik, pa parë që nga bregu evropian nuk po e mbështeste askush, dhe nga bregu amerikan nuk po e priste askush. Prandaj, t'i kujtosh ish-mikut amerikan se “unë dhe Italia nuk lypim kurrë”, tingëllon fallco dhe paksa “fashiste”.

Kjo është si e shtëna në zbrazëti e një regjimi të vogël trengjyrësh - “të besosh, të bindesh, të luftosh” - që nuk përkon me realitetin e fakteve. Përballë perandorisë së yjeve dhe rripave, SHBA-së, në epokën e kombinatit ushtarako-industrialo-dixhital dhe të shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare, edhe nëse nuk kemi lypur, jemi gjunjëzuar njëherë e gjithmonë.

Kemi rënë në atë që presidenti ynë Sergio Mattarella e quajti “vasalitet i lumtur”, duke hequr dorë nga loja në gjysmëfushën tonë, nga ajo ku nuk duhej të dilnim kurrë: Evropa.

Në fakt, kryeministrja bëri pikërisht të kundërtën: investoi te Trumpi dhe la pas dore Bashkimin Europian, i cili ndërkohë përpiqej me mundim të mbijetonte me formulën e “të vullnetshmëve”.

Por ajo u vetëpërjashtua edhe nga kjo e fundit. Samiti i fundit në Mal të Zi, të cilin ajo e shkëmbeu me një panair filatelik në Reggio Calabria, është një akt vetëflijimi që të therr në shpirt. Dhe tani po paguajmë çmimin e këtij nënshtrimi.

Askush nuk i kërkonte ish-militantes së MSI-së të prishte marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, një opsion ky i pamendueshëm për çdo qeveri. Por të kundërshtonte me dinjitet dhe vendosmëri po, këtë po.

Tani, mbasi mori solidaritetin e merituar për fyerjen e pësuar, por pasi humbi turpshëm bastin amerikan, Meloni duhet të njohë gabimin dhe t’u thotë italianëve se si synon ta ndreqë atë.

Harrojeni kthimin e vendit “në qendër të skenës ndërkombëtare”, siç propagandojnë prej 4 vitesh bardët e pallatit dhe oborrtarët e lajmeve televizive. “Shamania” e ka çuar Italinë në “tokën e askujt”.

Ajo mund të kënaqet me atë përqafim si në telenovela me Macronin, i cili qarkullon në rrjet nën ritmet e Al Banos dhe Romina Power. Por kështu nuk do të shkojë larg.

Nëse nuk mjafton diplomacia e rrahjes së shpatullave, imagjinoni sa mund të funksionojë ajo e bisedave të ëmbla si çokollatat “Perugina”.

Kryeministrja është mbytur në Oqean dhe ka mbetur e izoluar në Kontinent. Ajo vazhdon të dërdëllitë mbi “interesin kombëtar”, pa pasur më asnjë ide se cili është ai, përtej 7.400 ushtarëve italianë të angazhuar në 39 misione nga Lindja e Mesme në Ballkan, dhe 34 mijë ushtarëve amerikanë të vendosur në territorin tonë.

Dhe tani, mes të gjitha këtyre uniformave të shpërndara, vjen një gjeneral që qëllon me “zjarr mik” mbi Palazzo Chigi-n. Sulmet nga e djathta të Vannacci-t, po e destabilizojnë koalicionin pikërisht në frontin më të ndjeshëm të politikës së jashtme: ndihmat për Kievin dhe shpenzimet për mbrojtjen.

Në “Armatën Branca-Meloni” (sipas epitetit të Dagospia), bombardimi i përditshëm i “nacional-futuristëve” po hedh në erë ato pak pika të qëndrueshme të kësaj legjislature. Siguria e barkës i ka mbetur vetëm të shkretit Crosetto - “japonezi” i fundit në ishull, të cilit Salvini dhe Giorgetti nuk i kanë thënë ende se lufta ka mbaruar dhe se LEGA kërkon vetëm gjalpë dhe jo topa.

Dhe tashmë, madje edhe për këtë, kryeministrja zgjedh taktikën dinake: bën sikur ka marrë fund politikisht. Por tani, qoftë problemi te Trump apo te Vannacci, kjo gjë nuk i lejohet më.

Qasja e saj e zakonshme prej kameleoni, e maskuar pas qëndrimit muskuloz të dikujt që nuk gabon kurrë dhe nuk duhet të kërkojë kurrë falje, ka marrë fund. Në Republikën e Parë kishte burra shteti që ndryshonin strategji dhe hapnin etapa të reja: “Preambula” apo “Solidariteti Kombëtar”, “Kompromisi Historik” apo “Alternativa Demokratike”.

Çdo kthesë paraprihej nga një reflektim autokritik mbi gabimet e së kaluarës dhe nga një shpjegim publik mbi skenarët e së ardhmes. Sot, oportunistët me kostume formale dhe populistët me uniforma militantësh, jetojnë ditë pas dite, duke kaluar nga një ekstremizëm në tjetrin pa asnjë lloj koherence.

E megjithatë, parabola e Melonit, që nga Tezat e Triestes në vitin 2017 e këtej, flet qartë: nëse lind Shamane, mbetesh e tillë përgjithmonë. Siç thotë ajo karikatura e Stefano Disegni-t, ku një Giorgia e përhumbur bërtet: “O njerëz, nuk mund të më kërkoni të mohoj Trumpin, kur akoma s’kam mbaruar punë duke mohuar Musolinin!”./Pamfleti nga “La Repubblica”

trump meloni mëkati fillestar

Lini një Përgjigje