Forum 1 Mars 2024, 20:44

Një opozitë që e do drejtësinë si “videomontazhet” e Salianjit

Shkruar nga Mero Baze

Një opozitë që e do drejtësinë si

Plaga e dytë e rënd që zbulon gjyqi ndaj Salianjit është se shantazhi mbi drejtësinë ende po funksion. SPAK dhe Gjykata Speciale duket se nuk janë në një gjatësi vale dhe në të njëjtin standard si gjykatat e tjera.  

Më në fund u pranua që ka një plan për të përdorur amnistinë që të shpëtojë nga gjykimi deputeti Ervin Salianji. Portali i familjes Berisha ka akuzuar sot socialistët se kanë koordinuar me gjykatën e Apelit në Tiranë, që të zhvillohet një seancë më 15 Mars, me qëllim që të mos digjen afatet e vendosur nga amnistia për deputetin Salianji. 

Shqetësimi që ngre tani portali i Berishës, është se mbajtja e një seance më 15 Mars, e bën të pamundur të përfitojë nga amnistia ende e pamiratuar deputetin Salianji. Drafti i PS vendoste afat për dënimet qe uleshin ose faleshin, të ishin bërë të ekzekutueshme deri në 31 janar 2024! Me sa duket ata shpresonin që  votimi i amnistisë të shtyhej me shpresë që ta kapnin afatin. 

Gjykimi në apel i deputetit Ervin Salianji është shtyrë mbi një vit e ca, nën presionin e hapur të Partisë Demokratike e cila në këtë rast për turp është e bashkuar në sallën e gjyqit ku gjykohet Salianji duke protestuar ndaj gjykimit të tij. 
Ervin Salianji është dënuar me një vit burg nga Gjykata e Shkallës së Parë se ka inskenuar një video kundër ish Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj lidhur me histerinë e vëllait të tij i cili kishte probleme me drejtësinë në Itali.  

Për aq sa ishte e vërtet historia e vëllait të Xhafaj, drejtësia bëri punën e saj, por Ervin Salianji shpiku fakte dhe u përpoq të krijojë institucionin e lajmeve të rreme si një mekanizëm politik në Shqipëri. 

Por gjyqi ndaj Salianjit dhe sidomos zvarritja e tij tregon dy plagë të rënda të politikës opozitare në Shqipëri. 

E para që është më e rënda, është se ata duan të institucionalizojnë faktet e rrema si mekanizëm të luftës politike. Ky do të jetë fundi i politikës shqiptare. Edhe kështu Sali Berisha e ka ngritur “në art” luftën politike me qytetarin digjital dhe shpikje mendjesh të sëmura, por së paku ai ua lë burimin në dorë njerëzve anonimë.  

Ervin Salianji ka marr vet përsipër montimin e fakteve dhe është përpjekur të përdor drejtësinë me fakte të sajuara ndaj kundërshtarëve politik. 

Ndaj ky proces nuk duhet parë si thjesht si ndëshkimi i një deputeti periferik, që kërkon të bëj protagonistin herë si bandit, herë si shpifës e herë si i fort. Ndëshkimi i tij ligjor, është një standard që duhet vendosur për të mos institucionalizuar faktet e rrema si instrumente të luftës politike. 

Plaga e dytë e rënd që zbulon gjyqi ndaj Salianjit është se shantazhi mbi drejtësinë ende po funksion. SPAK dhe Gjykata Speciale duket se nuk janë në një gjatësi vale dhe në të njëjtin standard si gjykatat e tjera.  

Fakti që ky gjyq shtyhet vazhdimisht me arsye banale, apo dhe më keq fakti që salla mbushet me deputet solidarë ndaj një mashtrimi tregon se opozita nuk e pranon ende standardin e drejtësisë, kur prek atë. Ajo edhe drejtësinë e do si videot e Salianjit, kundër armikut por jo edhe për veten e saj.  

Dhe kjo është një arsye më shumë pse ia gjyq duhet bërë dhe pse ky precedent nuk duhet amnistuar. 

ervin salianji amnistia penale