Forum15 Maj 2023, 12:09

Njerëzit duhet të protestojnë që sharlatanët të ikin nga Opozita

Shkruar nga Agron Gjekmarkaj

Njerëzit duhet të protestojnë që sharlatanët të

Duhet kërkuar gjithçka tek vetja, tek vetëshkatërrimi për interesa personale, tek shkolla politike, tek dominimi i se vjetrës, tek gjuha antiperëndimore, tek të njëjtët që vërtiten në oborr pa mirësinë për t’u hapur vend të rinjve dhe të rinjtë pa kurajo për t’u rebeluar, duhet kërkuar përgjegjësia tek Sali Berisha dhe Lulzim Basha e tek secili prej nesh që nuk u dolëm ballazi sa duhet e kur duhej vit pas viti. Partia domen i bën me faj të gjithë aksionerët e PD shumë më tepër trupën e saj politike

 

Katastrofa elektorale e Opozitës është e pazakonte në përmasa deri në kufijtë e asgjësimit por jo e pa paralajmëruar. Kryeqyteti, qytetet e mëdha, Shkodra, bastionet po bien të gjitha një e nga një.

Marrëzia dhe poshtërsia krah për krah u serviren si shpresë, si alternativë, si fitore, kur në fakt me zhurmën si teneqe rrugëve kishin në ballë humbjen dhe shkatërrimin.

Tek dhuna e fjalës gjeje mungesën e fisnikërisë. Zhgënjimi është i madh, zemërimi po kaq. Gjuetia për fajtore jashtë vetes s’ka asnjë vlerë, nuk shëron askënd. Në një hartë të tillë ndëshkimi nuk ka dobi të akuzosh kundërshtarin, do të ishte insistim në marrëzi.

Duhet kërkuar gjithçka tek vetja, tek vetëshkatërrimi për interesa personale, tek shkolla politike, tek dominimi i se vjetrës, tek gjuha antiperëndimore, tek të njëjtët që vërtiten në oborr pa mirësinë për t’u hapur vend të rinjve dhe të rinjtë pa kurajo për t’u rebeluar, duhet kërkuar përgjegjësia tek Sali Berisha dhe Lulzim Basha e tek secili prej nesh që nuk u dolëm ballazi sa duhet e kur duhej vit pas viti. Partia domen i bën me faj të gjithë aksionerët e PD shumë më tepër trupën e saj politike.

Një degradim i tillë nuk është meritë negative vetëm e dy personave por e kujtdo qe lejoji këtë mentalitet të shndërrohej në rregull.

Kjo fundosje nuk është e një viti ajo ka rrënjë të thella. Ngjarjet e kësaj kohe, çarja, përçarja, egërsia e gjuhës, thyerja me SHBA, përdorimi i njerëzve si të ishin turma pa shpirt, paaftësia për të rigjeneruar ide, krijuan dritare të shumta, ku secili mund të shihte tragjedinë e opozitës, e ndarë në “Foltore” e “Vulë” të dyja të pandershme: e para në revansh, e dyta në mbrojtje në paaftësi për të ndërtuar konceptin e një opozite të re mospërdoruese  e një vule që i ra sipër si rrasë varri.

Deputetët janë produkte të votës, unë njëri prej tyre. Nuk e besoja kurrë që të mpihesha, te rrotullohesha mes dilemash, si mijëra të tjerë të djathtë shqiptarë, të nisesha e të kthehesha, të mos votoja produktet e një procesi, fëmijë të përdhunimit dhe gjuhës kunder SHBA dhe Perëndimit, të strehuar tek sigla e Ilir Metës, kaq shumë të akuzuar prej tyre e po kaq nga kundërshtarët për të kaluarën,  të refuzoja paaftësinë e vuleës për t’i dhënë vendit dhe opozitës një model të ri, kantidat dinjitoz.

Kjo nuk ka të bëjë me Pashk Gjonin, i cili mbetet një person i denjë për respekt si qytetar e si mjek, që në plan individual do e merrte votën time.

Po pluralizmi është në rrezik sepse ne si opozitë po vetëvritemi. Shoqëria po ecën me shpejtësi, ne nuk po dimë ta lexojmë atë. Vendi ka nevojë për një opozitë të re, pa humbur mbështetësit e së vjetrës. Opozita duhet të rithemelohet. Foltorja me revanshin e saj dhe Vula me skuthërinë e vet duhet ta ulin siparin. Kjo nuk bëhet me fytyrat si shollë kundrejt që, as nuk skuqen e as nuk zverdhen, duhet të vendosë qëllimet e veta në kontekstin e modernitetit shqiptar, duhet të çlirohet nga varrmihësit e saj të vjetër apo të rinj, duhet të rivendosë miqësinëdhe dialogun me SHBA-në, ndryshe fatkeqësitë nuk do të na ndahen deri në pikën që tragjikja të shndërrohet në komike. Jemi afër kësaj pike. U mund “opozita e vërtetë” shumë më tepër se “opozita e shitur”. Por janë mundur të dyja. Njerëzit duhet të protestojnë që sharlatanët të ikin nga Opozita. Pasi të na bjerë zemërimi duhet t’i kthehemi arsyes, tolerancës, përkufizimit të një vizioni qe i rikthen vendit pluralizmin, demokracisë ekuilibrin, Shqipërisë një alternativë.

Çdo qasje tjetër ka vetëm një horizont: asgjësimin, që i shpie individët një nga një të bëjnë mënjanë, si femijë që nuk rrinë dot pa e thënë: “Mbreti është lakuriq”.

agron gjekmarkaj protesta opozita largim