TAGS-AT E JAVËS

Forum28 Qershor 2025, 14:41

Non gratën Berishës as ia ka bërë Soros, as ia heq dot La Civita

Shkruar nga Preç Zogaj

Non gratën Berishës as ia ka bërë Soros, as ia heq dot La

Rinovimi i Udhrave të kundërshtarit të tij nga Tramp pohon të njëjtën gjendje dhe problematikë të antiamerikanizmit, ekstremizmit dhe minimit të demokracisë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Akti i Tramp për Ballkanin Perendimor tregon se rreziku shqiptar për sigurinë kombëtare amerikane është akoma në veprim –
Gjatë kësaj jave u publikua në SHBA vendimi i Presidentit të SHBA, Donald Tramp për të mbajtur në fuqi katër urdhra ekzekutivë të dy presidentëve të mëparshëm, përkatësisht të Presidenti Bush i Riu (2001-2009) dhe Presidentit Biden (2020-2024), në të cilët është shpallur gjendja e emergjencës kombëtare përkundrejt rreziqeve të stampës ballkanike.

Sipas vlerësimit të Presidentit Tramp, veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet për stabilizim ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor, vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim të pazakontë dhe jashtëzakonisht serioz ndaj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.
Për këtë arsye, gjendja e emergjencës kombëtare e shpallur në urdhrat e mëparshëm “duhet të vazhdojë të jetë në fuqi përtej datës 26 qershor 2025. Prandaj unë po e vazhdoj për 1 vit”, konkludon ai.

Po çfarë janë në thelb urdhrat ekzekutivë të mëparshëm? Në ato të presidentit Bush i Riu në vitet 2001 edhe 2003 shpallej gjendje e emergjencës kombëtare në lidhje me kërcënimet e pazakonta dhe jashtëzakonisht serioze nga individë dhe grupe ekstremiste në vendet e ish-Jugosllavisë…

Në vitin 2021 presidenti Biden e zgjeroi gjeografisht me Shqipërinë dhe tematikisht me korrupsionin urdhrin e Bush-it, duke e cilësuar korrupsionin e lartë si një fenomen që, njëlloj si terrorizmi dhe ekstremizmi, përbën një kërcënim për sigurinë kombëtare amerikane. Dhe për demokracinë në këto vende.

Ky urdhër i zotit Biden ka formuar mbështetjen e fortë të SHBA-ve për SPAK-un dhe GJKKO sot e kësaj dite.

Nga fundi i mandatit të tij në janar të këtij viti Presidenti Biden e rimori Urdhrin e tij duke shtuar në listën e rreziqeve dukurinë e shmangies së sanksionimeve amerikane në këto vende.
Tramp i rinovoi siç janë këto urdhëra.

E dinë të gjithë se Presidenti Tramp ka shfuqizuar shumë urdhra të presidentit Biden.

Por jo ato që kanë të bëjnë me shtyllat e demokracisë dhe sigurisë kombëtare. Që trashëgohen, pasurohen, forcohen në varësi të madhësisë së rreziqeve që duhet të mposhtin. Këto janë SHBA-të. Ky është shtetndërtimi amerikan që ruhet si vlerë e shenjtë me risitë përkatëse nga një administratë në tjetrën.

Rinovimi i Udhrave të kundërshtarit të tij nga Tramp pohon të njëjtën gjendje dhe problematikë të antiamerikanizmit, ekstremizmit dhe minimit të demokracisë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Te këto urdhra të rinovuar Shqipëria e gjen veten konkretisht te korrupsioni dhe shmangia e sanksioneve.

Korrupsioni megjithë goditjet që ka marrë e po merr vazhdon të mbetet një problem i madh. Falë rezistencës së fuqishme të kastës plurale solidare të korruptuar ndër vite, që s’lë mjet pa përdorur për të dobësuar e shmangur drejtësinë. Por edhe për shkak të ngadalësisë së organeve të reja të drejtësisë për finalizimin e hetimeve dhe proceseve gjyqësore.

Lini një Përgjigje