Fiksimi ynë për të përcaktuar rendin global në zhvillim fsheh kompleksitetin e vërtetë të momentit tonë neo-mesjetar
Është bërë e zakonshme të përshkruhet epoka jonë si post-perëndimore ose ndoshta post-amerikane. Problemi nuk qëndron domosdoshmërisht te fakti që këto terma janë të gabuar. Përkundrazi, problemi është se ato fokusohen te ajo që po zëvendësohet, dhe jo te ajo që po e zëvendëson.
Edhe unë kam qenë fajtor në këtë drejtim. Disa vite më parë, një redaktor i imi i vendosi titullin e një prej librave të mi “E ardhmja është aziatike”. U entuziazmova nga ky formulim i guximshëm. Por kishte një problem: “E tashmja është aziatike për shumicën e njerëzimit”, i thashë.
Një nga vështirësitë më të mëdha për të gjetur termin e duhur për botën ku jetojmë është fiksimi me rendin. Teoria perëndimore e marrëdhënieve ndërkombëtare, së bashku me konventat e analizës së politikës së jashtme, i kanë shtyrë të gjithë të kërkojnë rregullat dhe institucionet që përcaktojnë rendin global në zhvillim.
Por asgjë në natyrën e historisë apo të gjeopolitikës nuk kërkon që të ekzistojë një rend i qëndrueshëm dhe i përcaktuar. Gjeopolitika është shkenca e thellë e dinamikave hapësinore të pushtetit, jo një garë popullariteti për të parë se kush bëhet sekretar i përgjithshëm i NATO-s apo i Kombeve të Bashkuara.
Gjeopolitika përfshin shumë nivele dhe fusha, qoftë territoriale, financiare apo digjitale. Ka mjaft dëshmi se peizazhi i sotëm përbëhet nga regjime shumë heterogjene që ndërveprojnë në mënyra të shumta, pa asnjë alternativë të besueshme në horizont për t’i zëvendësuar. Nuk ka fuqi që ruajnë status quo-në dhe nuk ka institucione domethënëse të qeverisjes globale. Në këtë botë, nocionet si “heteropolariteti” i James Der Derian dhe “bota multiplekse” e Amitav Acharya i afrohen më shumë përshkrimit të realitetit kompleks global, duke shmangur pyetjen e thjeshtuar “kush është numri një?”.

Nuk është rastësi që të dy këta studiues janë përkrahës të lëvizjes “Global IR”, e cila ka rrënjë në përballjen me veprën e profesorit të Oksfordit Hedley Bull. Në veprën e tij të rëndësishme të vitit 1977, “Shoqëria Anarkike”, Bull argumenton për një “mesjetë të re”, me autoritete të mbivendosura dhe besnikëri të kryqëzuara që tejkalojnë sistemin shtetëror vestfalian. Para krijimit të sistemit modern evropian të shteteve, pushteti në kontinent ndahej mes feudalëve, mbretërve dhe Papës, ndërsa struktura komplekse përfshinte dukate, principata dhe Perandorinë e Shenjtë Romake. Në zona të rëndësishme si rajoni i Baltikut dhe Detit të Veriut, konfederata qytet-shtetesh si Liga Hanseatike vendosnin rregullat e tregtisë ndërkombëtare më shumë se çdo shtet apo autoritet supranacional.
Edhe pse sot jetojmë në një botë të ngjashme me atë të përshkruar nga Bull, me dinamika shumë-nivelëshe dhe shumë-aktorëshe që përfshijnë shtete, korporata shumëkombëshe dhe komunitete digjitale pa territor, diskursi dominues vazhdon të përdorë modele të thjeshtuara, sikur bota e vitit 2050 të mund të shpjegohet si një zgjedhje mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Në vend të kësaj, duhet të pranojmë pluralizmin, të zvogëlojmë rolin e ideologjive universaliste dhe të eksplorojmë lidhjet mes fuqive në nivele nën-globale.

Nxënësi më i njohur i Bull, Barry Buzan, ka kritikuar eurocentrizmin e tij dhe ka zhvilluar konceptin e “komplekseve rajonale të sigurisë”. Një qasje rajonale ndihmon për të kuptuar mungesën e një strukture uniforme globale. Sa më thellë të analizohet një rajon, aq më shumë shemben përgjithësimet për hierarkitë e pushtetit dhe aq më qartë shfaqet natyra jolineare e botës së sotme. Në vend që debatet të fokusohen te pyetja “kush bëhet superfuqi?”, vëmendja duhet të përqendrohet te mënyra dhe vendi ku ushtrohet ndikimi.
Në Amerikën Latine, për shembull, Kina ka rritur ndjeshëm ndikimin përmes investimeve në infrastrukturë dhe marrëdhënieve tregtare. Megjithatë, politika e administratës Trump ndryshoi shpejt këtë dinamikë, duke rikthyer ndikimin amerikan në hemisferë.
Në Evropë, situata është ndryshe. Pas dekadash hezitimi, Bashkimi Evropian po ndërmerr hapa për të forcuar autonominë strategjike, duke investuar në mbrojtje, teknologji dhe integrim financiar, me synimin për të ulur varësinë nga SHBA.
Rajoni Indo-Paqësor tregon gjithashtu një dinamikë të ndryshme, ku India po rrit ndikimin e saj detar dhe strategjik, ndërsa siguria detare po organizohet në mënyrë më fleksibile dhe kolektive, jo vetëm nën drejtimin amerikan.

Ndërkohë, SHBA mbetet një aktor kyç në ndërtimin e aleancave teknologjike dhe ekonomike për të kufizuar ndikimin e Kinës, veçanërisht në zinxhirët e furnizimit të teknologjisë së avancuar.
Në disa pjesë të botës, shtetet janë më të fuqishme se kurrë, sidomos në Azi. Në të njëjtën kohë, qytetet globale si Singapori dhe ato të Emirateve të Bashkuara Arabe po tërheqin kapital dhe talente, duke fituar ndikim përtej madhësisë së tyre territoriale.
Bota nuk po kalon drejt një rendi të ri të qartë dhe të unifikuar. Përkundrazi, ajo po zhvillohet drejt një sistemi kompleks dhe të fragmentuar, ku fuqia është e shpërndarë dhe vazhdimisht në ndryshim. Kjo epokë, sipas tij, mund të përshkruhet si një “Mesjetë e re” që tashmë ka filluar. /Përshtatur nga ForeignPolicy/
Lini një Përgjigje