TAGS-AT E JAVËS

Forum 3 Prill 2025, 11:26

Pakti i ri: Trump Amerikën e Veriut, Putin Evropën

Shkruar nga Robert Zubrin

Pakti i ri: Trump Amerikën e Veriut, Putin Evropën

Sipas kësaj skeme, Shteteve të Bashkuara do t’i jepet Amerika e Veriut, Kina do të marrë Azinë Lindore dhe Jugore, ndërsa Rusia Euroazinë, pra nga Lisbona në Vladivostok. Pjesa tjetër e globit, mund të sigurojë terren të mjaftueshëm për përleshje, që të argëtohen siç duhet diplomatët dhe luftëtarët e deleguar të fuqive të mëdha...

Në 2 muajt e fundit që kur ka marrë detyrën, presidenti amerikan Donald Trump ka nisur zbatimin e një programi të madh të zgjerimit territorial të SHBA-së, duke kërkuar blerjen e Grenlandës, Kanadasë dhe Kanalit të Panamasë.

Ndërkohë, e ka bërë të qartë se nën udhëheqjen e tij, Amerika jo vetëm synon të anulojë mbrojtjen ndaj Evropës, një praktikë e rregullt që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, por do të përdorë fuqinë e saj për të detyruar Ukrainën të dorëzohet ndaj Rusisë, duke e çuar kështu Kremlinin në pozicionin për të sulmuar ish-aleatët e Amerikës në NATO.

Po çfarë po ndodh? Për të kuptuar më mirë metodën e çmendur të Trump, është e nevojshme të ndalemi paksa tek historia. Gjatë viteve 1930, Bashkimi Sovjetik dhe Gjermania naziste dukeshin si armiq të përhershëm për njëri-tjetrin. Ato përkrahnin ideologji totalitare rivale, teksa u angazhuan në përleshje të armatosura ndaj njëri-tjetrin përmes një lufte të deleguar siç ishte Lufta Civile në Spanjë.

Adolf Hitleri i shprehu hapur dhe në mënyrë të përsëritur synimet e tij për të pushtuar të gjitha tokat në lindje të Gjermanisë, me qëllim jo vetëm shfarosjen e hebrenjve, por edhe skllavërimin dhe më pas zhdukjen e popullsisë së saj me shumicë sllave.

Të alarmuar nga një perspektivë e tillë, sovjetikët bënë thirrje për krijimin e një aleance ndërkombëtare për t’i ndaluar nazistët. Pastaj befas, në fundin e gushtit të vitit 1939, u njoftua se dy diktaturat kishin nënshkruar një “pakt mossulmimi”.

Edhe pse u reklamua si një lëvizje drejt paqes, menjëherë u bë e qartë se ajo ishte gjithçka tjetër përveç kësaj të fundit. Sipas kushteve të marrëveshjes, sovjetikët morën gjysmën e Polonisë, shtetet baltike dhe një pjesë të Finlandës. Ndërkohë nazistët, morën gjysmën tjetër të Polonisë, dhe patën dorë të lirë për të pushtuar gjithë Evropën Perëndimore.

Brenda disa javësh nga nënshkrimi i paktit, nisi Lufta e Dytë Botërore. Unë mendoj se tani po shohim saktësisht të njëjtën marrëveshje, vetëm se në një shkallë shumë më të madhe. Në vitet 1990, ideologu rus Aleksandr Dugin sajoi një ideologji të quajtur “e djathta alternative”, duke kombinuar nacionalizmin fisnor me besnikërinë ndaj Rusisë, për të zëvendësuar lëvizjen komuniste tashmë të zhdukur si “kolonën e pestë” ndërkombëtare të Kremlinit.

Një rrjet partish që përputhen me këtë format - përfshirë Frontin Kombëtar Francez (sot Tubimi Kombëtar), AfD-në Gjermane, lëvizjen Trumpiste MAGA dhe parti të ngjashme në Hungari, Austri, Britani, Holandë dhe shumicën e vendeve të tjera evropiane - janë krijuar tani për të mbështetur këtë qëllim.

Dugin shpalli një doktrinë gjeopolitike, të njohur si “bota shumëpolare” për të mbështetur si Kremlinin, ashtu edhe kukullat e tij. Sipas kësaj motoje, “bota unipolare” e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj demokratikë (ndonjëherë quhet “rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla), i bazuar në sigurinë kolektive dhe tregtinë e lirë, është e padrejtë dhe duhet të zëvendësohet nga një “botë shumëpolare”, në të cilën globi do të ndahet në sfera të kontrollit, nën sundimin e 3 fuqive të mëdha.

Sipas kësaj skeme, Shteteve të Bashkuara do t’i jepet Amerika e Veriut, Kina do të marrë Azinë Lindore dhe Jugore, ndërsa Rusia Euroazinë, pra nga Lisbona në Vladivostok. Pjesa tjetër e globit, mund të sigurojë terren të mjaftueshëm për përleshje, që të argëtohen siç duhet diplomatët dhe luftëtarët e deleguar të fuqive të mëdha.

Është e qartë se administrata Trump e ka përqafuar këtë koncept. Jo vetëm që lëvizjet e Trump përputhen saktësisht me këtë plan, por Sekretari i Shtetit i Trump, Marco Rubio i është referuar haptazi konceptit të “botës shumëpolare”, si një bazë për të kuptuar realitetet e supozuara të së ardhmes strategjike.

Kjo nuk është një formulë për paqen. Në radhë të parë, kjo nënkupton asgjësimin e Ukrainës dhe shtetet baltike. Franca, Gjermania dhe Polonia duken më të afta për të rezistuar, por janë të dyshimta pozicionet e tyre në terma afatgjatë.

Sigurisht, Gjermania do të riarmatoset. Dhe këtë po e shohim tashmë. Por ku e lë kjo Poloninë, nëse dhe kur ultranacionalistët AfD, të lidhur me Kremlinin, do ta marrin pushtetin? Pjesa më e madhe e Polonisë së sotme, ndodhet në atë që dikur ishte Prusia.

Arritja e marrëveshjeve për ndarjen e Polonisë me Rusinë, ka qenë një parakusht i vazhdueshëm gjatë rrjedhës së historisë gjermane. Dhe është thuajse e sigurt, që një Gjermani e riarmatosur nën udhëheqjen e AfD-së, do ta shfrytëzonte mundësinë për ta bërë sërish atë.

Prandaj po rikthehemi në vitin 1939. Këtu po na çon Donald Trump. Bota shumëpolare nuk është një formulë për paqen botërore, por për luftën e re botërore. Vetëm dy grupime njerëzish, mund ta ndalojnë këtë plan të çmendur. Të parët janë republikanët në Kongres.

Por për fat të keq, ata duket se janë aq shumë të terrorizuar nga njerëzit pranë Trump, sa që nuk do ta kundërshtojnë për asgjë këtë të fundit. Madje edhe luftën e tij të çmendur tregtare, që po plaçkit dhe shkatërron në një shkallë rekord kursimet e zgjedhësve republikanë.

Të tjerët janë liderët e fuqive të mbetura demokratike të Evropës. Këta duhet të heqin dorë nga qëndrimet e tyre në lidhje me forcën hipotetike paqeruajtëse në Ukrainë pas arritjes së një marrëveshje paqeje që nuk ekziston, dhe t’i dërgojnë Ukrainës armët që i nevojiten për ta zmbrapsur tani pushtimin rus./Në shqip: Pamfleti

Shënim: Dr.Robert Zubrin, inxhinier amerikan i hapësirës ajrore. Libri i tij më i fundit, titullohet “Bota e Re në Mars: Çfarë mund të krijojmë në planetin e kuq”.

pakti i ri trump putin amerika e veriut

Lini një Përgjigje