
Kjo është agjencia turistike presidenciale që mbahet nga taksapaguesit shqiptarë mes flokëve dhe tullave, mes mediokritetit dhe vulgaritetit.
Mënyra si trajtohen departamentet e Marrëdhënieve me Jashtë në institucionet shqiptare lë shumë për të dëshiruar. E ke të vështirë të bësh dallimin mes një agjencie turistike dhe një departamenti të Marrëdhënieve me Jashtë. Thënë shkurt,e ke të vështire të kuptosh në ke të bësh me një udhëtim në grup të organizuar nga një agjenci, apo me një grup njerëzish që përfaqësojnë një shtet në një aktivitet të nivelit ndërkombëtar.
Presidenti Bajram Begaj është ftuar në SHBA, për të marrë pjesë në punimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York. Krejt mirë deri këtu.
Presidenti do të shoqërohet nga një grup prej 22 vetash. Ajo çka t'i vret sytë dhe e redukton Presidencën në një Agjenci Turistike është prania e 3 emrave.
Lili Ismaili është një parukiere e njohur në kryeqytet. Përveç aftësisë si parukiere na rezulton se zonja në fjalë ka aftësi edhe si këshilluese për presidentin, pasi ka udhëtuar bashkë me të në cilësinë e këshilltares. Përveç këshillave presidenciale rezulton se Lili Ismaili kujdeset dhe për pamjen e zonjës së parë të vendit sistematikisht.
Pra, mjafton të krehësh flokët e zonjës së parë dhe përfaqëson Shqipërinë në punimet e Organizatës së Kombeve te Bashkuara si këshilltare e presidentit.
Meqënëse çështja e flokëve u sistemua, hidhemi te çështja e tullave. Dikush mund të pyesë me të drejtë se ç'hyjnë tullat në këtë mes.
Asllan Baraj dhe Zhaneta Hashorva janë dy emra të tjerë të agjencisë turistike presidenciale. Sipas listës Baraj është Këshilltar i Jashtëm, por në faqen zyrtare të Presidencës emri i tij nuk shfaqet kund. Ndërsa Zhaneta
Hashorva është shoqëruesja e zonjës së Parë. Rezulton se Baraj dhe Hashorva janë çift dhe zotërojnë një kompani me emrin “Euro Ceramica”.
Kjo është agjencia turistike presidenciale që mbahet nga taksapaguesit shqiptarë mes flokëve dhe tullave, mes mediokritetit dhe vulgaritetit.
Post Scriptum- Agjencia turistike presidenciale është provë e një mjerimi institucional dhe shtetëror.