TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Korrik 2026, 16:30

Bullgaria shpërfill paralajmërimet e Iranit, ndez dritën jeshile për vendosjen e avionëve amerikanë në bazat e saj

Shkruar nga Pamfleti
Bullgaria shpërfill paralajmërimet e Iranit, ndez dritën jeshile
Foto Ilustruese

Parlamenti i Bullgarisë miratoi sot vendosjen e përkohshme të avionëve amerikanë cisternë (të furnizimit me karburant) në bazën ushtarake Bezmer, pavarësisht paralajmërimit të Iranit se një veprim i tillë do të përbënte përfshirje në një "sulm dhe krime lufte", një akuzë që Sofja e ka hedhur poshtë.

"Në territorin e Bullgarisë nuk do të vendosen sisteme armësh sulmuese të asnjë lloji", deklaroi ministri i Mbrojtjes, Dimitar Stojanov, duke iu drejtuar deputetëve. "Prania e tyre e përkohshme nuk e bën Bullgarinë pjesë të veprimeve ushtarake", shtoi ai.

Sipas Stojanovit, Uashingtoni është zotuar të "minimizojë rreziqet që lidhen me sigurinë tonë".

Pesë kryetarë bashkish të qyteteve që ndodhen përreth bazës Bezmer, rreth 260 kilometra në juglindje të Sofjes, paraqitën kundërshtimet e tyre ndaj planit për vendosjen e avionëve, duke shprehur shqetësime për sigurinë.

Propozimi i qeverisë për të lejuar vendosjen e deri në tetë avionëve të tipit KC-135 në territorin e Bullgarisë, vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s, u miratua me 136 vota pro, 13 kundër dhe 2 abstenime.

Javën e kaluar, Uashingtoni kërkoi vendosjen e një avioni dhe të deri në 250 ushtarakëve për periudhën nga 24 korriku deri më 1 tetor, duke u mbështetur në një marrëveshje që parashikon përdorimin e përbashkët të objekteve ushtarake, tha Stojanov.

"Bullgaria nuk ndërmerr veprime armiqësore kundër asnjë vendi tjetër. Ne përmbushim detyrimet tona kontraktuale me Shtetet e Bashkuara", shtoi ai.

Plani për vendosjen e avionëve amerikanë të furnizimit me karburant shkaktoi dje reagimin e Teheranit. Përmes zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, Irani u shpreh kundër dhënies së lejes që SHBA të përdorin territorin bullgar për operacione ushtarake kundër Iranit, duke deklaruar se një veprim i tillë do ta bënte Sofjen "bashkëpunëtore të agresorëve dhe shkelësve të ligjit".

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë intensifikuar sulmet ndaj njëri-tjetrit që prej dështimit të marrëveshjes së përkohshme të armëpushimit, e cila ishte nënshkruar një muaj më parë, duke rritur rrezikun e një lufte të përgjithshme.

Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara (EUCOM) njoftoi sot se do të vazhdojë të bashkëpunojë me Bullgarinë në çështjet e sigurisë, mbikëqyrjes dhe përballimit të çdo kërcënimi të mundshëm.

bullgaria shpërfill paralajmërimet e iranit

Lini një Përgjigje