TAGS-AT E JAVËS

Forum27 Tetor 2025, 19:40

Pse opozita s’prodhon liderë, por influencëra?

Shkruar nga Ylli Pata

Pse opozita s’prodhon liderë, por influencëra?

Por në realitet, gjithë ky operacion, që me gjasë edhe ka koston e vet të lartë, rezultoi një pesë me hiç, pasi në vend që të shtonte votuesit, i pakësoi ata.

Debati i sotëm me krerët e dy prokurorive në Kuvend, sikur e futi politikën shqiptare me sforcim, në hullinë e shinave të saj për të bërë politikë.

Pasi prej kohësh, politika shqiptaret sidomos opozita, e ka deleguar misionin e profesionin e saj tek influencërat me shumë “K” në rrjetet sociale.

Të cilët me një postim me fjalë zhargoni, një fotomontazh dhe një muzikë të dhimbshme, bëhen virale në botën virtuale të kosmozit të frustruar, të pakënaqur, të mërzitur me gjendjen në vend, qeverinë, apo shumë të tjera telashe që këtu tek ne nuk mbarojnë, por shtohen përditë, sidomos për pjesën më të madhe të popullsisë.

Në një logjikë normale, politika, duhet të dëgjojë zërin e njerëzve, ta përthithë sa më shumë, ta përpunojë si platformë, të bëhet përfaqësuesja e tyre dhe të krijojë një alternativë qeverisëse, pikërisht në bazë të këtyre perceptimeve.

Por siç ka ndodhur me daljen e epokës së rrjeteve sociale, të parët që i shfrytëzuan mundësitë e kësaj bote të pafund ishin jo njerëzit që kanë më pak mundësi e mjete financiare, pra halle më shumë, por pikërisht më të fuqishmit, më të pasurit, më të pushtetshmit, më të frikshmit, e më mitomanët.

Bota virtuale u bë shpejt një territor ku lundrojnë çakejtë e gjithëpushtetshëm, nga krimi te politika, financa apo showbiz-i, pasi ata kanë mjetet e mundësitë për ta shfrytëzuar këtë platformë, duke i dhënë tagji e marrë qumësht në prodhim serie.

Kjo botë virtuale u përdor suksesshëm në vitin 2013, pas zgjidhjeve kur shpërthyen të ashtuquajturat protesta për armët kimike. Ku me anë të sponsorizimit të jashtëm pamë një shtytje, një krijim fenomeni, që në realitet e në territori nuk ishte aq i madh.

Më vonë, rrjetet u përdorën si një armë e fortë politike për të sulmuar e bombarduar ambasadorët e SHBA dhe vendeve të Bashkimit Europian në Tiranë, të cilët mbështesnin instalimin e një reforme në drejtësi.

Edhe sot po të shikosh faqet e ambasadave të SHBA dhe BE, mund të gjesh në postimet e vjetra nga 2016-a deri 2023, ku një lukuni llogarish pa emër e pa fytyrë, përdorin arsenalin më të egër të shqipes ndaj Donald Lu-së, Yuri Kim, Romana Vlahutin, apo edhe diplomatëve të tjerë të BE-së.

Ndërkaq, shumë politikanë përdoren si mbështetës jo njerëz të aftë e energjikë në partitë e tyre, por influencera të marrë nga bota e shoëbiz-it. LSI-ja e Ilir Metës ishte mjaft aktive në këto operacione, ku komedianë, apo kronikanë rozë, u përdorën si “kapitenë” PR për të tërhequr sa më shumë ndjekës.

Këta influencëra, natyrisht që bën mjaft depërtim në rrjete, bënë efekt dhe zhurmë thuajse të përditshme në opinion. Pasi edhe mediat e zakonshme, si gazetat online apo edhe televizionet në rrjeti sociale e marrin ushqimin e zakonshëm. Raportimi klasik ka humbur prej kohësh dhe gjithçka është bërë uniforme si fytyrat tashmë gjithanjësoj të personazheve vip që mbulojnë ekranet tona.

Por në realitet, gjithë ky operacion, që me gjasë edhe ka koston e vet të lartë, rezultoi një pesë me hiç, pasi në vend që të shtonte votuesit, i pakësoi ata.

Influencërat, nuk u shpikën tek ne në përdorimin politik. Madje ata vijojnë të jenë aktivë dhe të zëshëm në vendet e mëdha perëndimore, duke filluar me SHBA. Por shpesh bënë efektin e kundërt. Në SHBA, Partia Demokratike, jo vetëm që nuk përfitoi asgjë nga influencërat big të hollyvvood-it, por u sulmua dhe u ndëshkua si elitare.

Ndërkohë MAGA e Donald Trump, përdori me zgjuarsi influencëra të rinj dhe që nuk shquheshin për jetën luksoze. Njerëz me energji dhe me talent politik si i ndjeri Charlie Kirk, ishte një uragan influence për republikanët. Ndërkohë në krye të listës është vetë Donald Trump, një përbindësh komunikimi, që e ka përdorur median që në fillimet e tij dhe ka arritur ta kthejë në strategji për të hyrë në politikë. Fëmijët e Presidentit Trump, kanë ndarë rolet me një perfeksion kirurgjikal në influencën e tyre në rrjetet sociale. Njëri është më radikal për ndjekësit e fortë të MAGA, tjetra është më e qetë dhe aristokrate, tjetra i flet publikut më të thjeshtë e më i vogli rinisë dhe botës së adoleshentëve.

Në Europë gjithashtu ka liderë që janë mjeshtra komunikimi, sidomos në epokën e re digjitale. Lëvizja 5 Yje e Beppe Grillos e krijuar në trurin e kompjuterit të Gianroberto Casaleggio-s u kthye në një uragan politik që udhëhoqi Italinë për 4 vite. Ama sot pikërisht se nuk ishte parti por një fenomen social, 5 Yjet janë në krizë, ndaj Giuseppe Conte, pas sherrit me Grillon po e kthen në parti me struktura të qarte dhe orientim të majtë.

Edhe ne këtu kemi realisht influencera të fuqishëm në politikë. Edi Rama është më i rëndësishëm në depërtimin e tij viral në rrjet, pastaj vjen Sali Berisha. Një talent i padiskutueshëm në aftësinë e tij si një influencër invaziv dhe efikas.

Por influence është tjetër gjë dhe realiteti politik është tjetër. Sali Berisha ka një fuqi komunikimi e depërtimi të madh jo vetëm tek ndjekësit e tij besnikë, pore dhe të kundërshtarët.

Influenca është tjetër gjë, popullariteti tjetër dhe aftësia për të drejtuar edhe më tjetër. Albin Kurti edhe sot që është i rrënuar ka një influencë të madhe, më të madhen se të gjithë liderët e tjerë. Madje u tregua dhe i shkathët politikë para 4 vjetësh për të gllabëruar votat e një fete të LDK-së kur mori 51% të votave, madje edhe më shumë se Ibrahim Rugova. Por në drejtim doli se ishte një katastrofë e vërtetë. Lidera si Viktor Orban apo Rexhep Tajip Erdogan, nuk janë influencëra viralë në rrjeti sociale, por në politikë po rezultojnë se janë mjeshtra të klasit më të lartë.

Ndërkaq, edhe në zgjedhjet lokale të pjesshme, realisht vetëm në Tiranë se në 6 bashkitë e tjera nuk duket se merr pjesë, opozita ka lëshuar në territor dhe betejë influencërat. Duket se gjithçka ndodh ngaqë po përdoret si lojë provizore për të fshehur një plan që ka frikë nga politika reale, ajo e diskutimit dhe e nxjerrjes së liderëve jo nga “K”-të e ‘likeve’ dhe komenteve, por nga idetë dhe aftësia e zbatimit të tyre.

Lini një Përgjigje