Diktatura të përgjonte dhe të mbyllte gojën duke të kërcënuar me shkop, internim, vrasje. Sot administrata ka mbyllur veshët dhe nuk dëgjon...
E thotë bukur Gustave Le Bon se revolucionet shpesh janë përmbysje fjalësh me të cilat shënohet ndryshe e njëjta gjë! Imagjinoni sot të përdoren fjalë që nuk kanë asnjë kuptim pas tridhjetë vitesh gjoja demokraci.
Votim i lirë.
Shanse të barabarta për qytetarët.
Qytetar i mirëinformuar dhe i formuar.
Mirëqenie.
Konkurrim idesh.
Media të lira dhe të pavarura.
Zhvillim teknologjik.
Kulturë kombëtare.
Demokraci lokale.
Hapje kulturore me Perëndimin.
Treg i lirë.Të gjitha këto fjalë janë kthyer në forma bosh, pa përmbajtje. Ato që tridhjetë vite më parë konsideroheshin nga brezi i kohës si ëndërra.Tani nuk flitet fare për qytetarë, por vendin e kanë zënë pjesëtarët në mitingje ulur në karrige plastmasi.Gazetarit të pavarur i thërrasin kadri.
Opozita quhet "tufë qorrash" dhe budallenjsh!
Profesorët janë bandë kopjacësh që meritojnë veting.
Bujqit që kanë rendimente qesharake në prodhime quhen fermerë.
Burri dhe gruaja që rrinë pas banakut të ndonjë kioske quhen biznesmenë familjarë.
Ca vende urbane që ngjajnë si kampe përqendrimi për autovetura quhen parkingje.
Librat që shiten në përsheshe gjithë pluhur dhe me kopertina tejet të lodhura quhen kulturë.
Një megafon që transmeton gjithë ditën këngë të viteve ’70 quhet media publike.
Gjithë ditën dëgjon këngën MARGJELO!Ata që lënë atdheun duke ikur nga sytë këmbët quhen emigrantë ekonomikë të integruar në tregun e lirë.
Njeriu që bosi e vendos në një listë që ua paraqet votuesve të rrallë dhe që ngre e ul dorën sipas uljes dhe ngritjes të syve të shefit quhet deputet.
Ngritja e kullave bina quhet rritje ekonomike.
Dhënia e pasurive kombëtare badjava privatëve quhet partneritet.
Letra pa asnjë vlerë në tregun e punës quhen diploma. Ne kemi shkuar në fis! Vendimarrja në kohën e diktaturës varej nga njëzet a tridhjetë veta. Nga sa veta varet sot?
Këmbë artisti i huaj nuk shkelte dot në Shqipëri në diktaturë? Sa artistë në vit vijnë nga jashtë në skenat tona sot? Bëheshin ndoca dhjetra filma me metrazh të gjatë shqiptarë. Sa filma shqiptarë, drama, etj., prodhohen sot me markën shqiptare?
Në diktaturë punohej kot në jo pak raste, por edhe bëheshin vepra të mëdha. Sot rrihet kot. Diktatura të përgjonte dhe të mbyllte gojën duke të kërcënuar me shkop, internim, vrasje. Sot administrata ka mbyllur veshët dhe nuk dëgjon.
Nuk kishte në diktaturë media të lira dhe pluralitet mediash dhe diversifikim opinionesh në media. Çfarë qëndrimi mban pushteti ndaj mediave sot? Nuk jemi kthyer në fis? Ku është tregu i lirë sot? Po njësoj si në kohët e vjetra ku pushteti e kontrollonte ekonominë. Në fis! Kthyer atje ku ishim! Fjalët ndryshojnë!
Lini një Përgjigje