TAGS-AT E JAVËS

Forum25 Tetor 2024, 14:32

Sa afër dhe larg Evropës jemi

Shkruar nga Dimitar Bechev & Iliriana Gjoni

 Sa afër dhe larg Evropës jemi

Vonesa e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, vendet e rajonit po kthejnë kokën nga alternativat

Duket sikur procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor ka rinisur me vrullin e tij të dikurshëm. Megjithatë nëse shkojmë përtej fasadës, atëherë përpara na shfaqet një panoramë shumë më pak rozë.

Dhe do të vëmë re se nuk po funksionon më “magjia” e ofertës së BE-së, se po rritet numri i vendeve në rajon që po reflektojnë edhe mbi alternativat ndaj anëtarësimit në bllok. Liderët politikë të këtyre vendeve, besojnë se ekziston edhe një rrugë e tretë, përmes të cilës ata mund të përfitojnë nga lidhjet e ngushta ekonomike me BE-në, pa i pranuar megjithatë kërkesat e saj lidhur me anëtarësimin.

Ky model, i përkrahur fillimisht nga Serbia, është duke u kopjuar edhe diku tjetër në rajon. Ballkani Perëndimor, nuk mund të ankohet për mungesën e vëmendjes nga BE-ja. Më 14 tetor, kancelari gjerman Olaf Scholz priti samitin e 10-të vjetor të Procesit të Berlinit, një platformë e bashkëpunimit të ngushtë midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Gjashtë vendet e rajonit - Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia - nënshkruan një plan veprimi për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal. BE-ja po siguron përparimin duke promovuar integrimin midis Ballkanit Perëndimor, si një parakusht për pranimin e në bllok.

Ky ishte edhe vizioni i Procesit të Berlinit, i paraqitur nga ish-kancelarja gjermane Angela Merkel plot një dekadë më parë. Scholz deklaroi se 6 vendet e Ballkanit Perëndimor mund të hyjnë në BE brenda 10 viteve të ardhshme. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen ishte në të njëjtën linjë, teksa prezantoi planin e rritjes ekonomike prej 6 miliardë eurosh, që synon përmirësimin e lidhjes së rajonit me bllokun dhe nxitjen e reformave që kërkohen për anëtarësimin në BE.

Megjithatë, këto shfaqje mund të jenë mashtruese. Sepse në rastin më të mirë, dinamika politike midis Brukselit dhe rajonit është e përzier. Ndërsa disa vende po bëjnë hapa drejt BE-së, të tjerat kanë ngecur në vend. Më 15 tetor, Shqipëria dhe BE-ja mbajtën në Luksemburg konferencën e tyre të dytë ndërqeveritare (IGC), një moment historik dhe thelbësor në bisedimet e pranimit.

Tirana ishte në gjendje të hapte 5 kapitujt e parë të negociatave, që kanë të bëjnë me çështje si reformimi i gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe rishikimi i sektorit të prokurimeve publike, të cilat janë jetike për ruajtjen e demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Megjithatë, një vend binte në sy për mungesën e tij: Maqedonia e Veriut. Shkupi mbetet në harresë. Në vitin 2022, Maqedonia e Veriut mbajti IGC-në e saj të parë, së bashku me Shqipërinë, për të nisur zyrtarisht negociatat e saj të pranimit.

Dy vjet më vonë, të dyja shtetet po ecin përpara të ndara, sepse qeveria e Maqedonisë së Veriut ngurron të përmbushë një kërkesë të BE-së:që Shkupi të fusë në kushtetutën e tij një referencë për pakicën bullgare. VMRO-DPMNE, partia nacionaliste e krahut të djathtë që fitoi zgjedhjet parlamentare të këtij viti, është kundër asaj që e quan shantazhi bullgar. Maqedonia e Veriut ndryshoi më herët emrin e saj nga Maqedonia pas presionit nga Greqia, dhe priste një rrugë të shpejtë drejt anëtarësimit në BE. Por gjithçka që mori në këmbim Shkupi ishte një veto nga një fqinj tjetër. Dhe skeptikët thonë se ndoshta ai nuk do të jetë i fundit. Ndaj kryeministri aktual i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski dëshiron që të negociojë sërish me Sofjen.

Le të kalojmë amendamentin kushtetues, argumenton ai, por ta shtyjmë zbatimin e tij, derisa të gjithë anëtarët e BE-së të kenë ratifikuar traktatin e pranimit të Maqedonisë së Veriut.

Reagimi i Bullgarisë, është se amendamenti është sa i panegociueshëm, po aq edhe pjesë e një qëndrimi të përbashkët të BE-së, dhe jo thjesht një çështje dypalëshe.

Merre ose lëre, thotë Sofia. Më 15 tetor, Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock la të kuptohet për një kompromis që mund të arrihet së shpejti. Megjithatë, s’ka asnjë ndryshim thelbësor në qëndrimin e Brukselit. Ndërkohë, Mickoski dhe të tjerët po shqyrtojnë alternativat.

Shembulli i Serbisë fqinje i josh jo pak. Për shkak të mosmarrëveshjes së pazgjidhur me Kosovën, as Beogradi nuk po ecën përpara me qëllimin e tij të deklaruar për t’u futur në BE. Por presidenti serb Aleksandar Vucic, ka ndërtuar një marrëdhënie fitimprurëse me shtetet dhe politikanët kyç të BE-së, përfshirë Scholz, presidentin francez Emmanuel Macron dhe sidomos kryeministrin populist të Hungarisë, Viktor Orbán.

Duke ndjekur një politikë të jashtme të shumanshme, Serbia përfiton shumë investime kineze, dhe mban lidhje të ngushta me Rusinë. Pra, shihet që ka jetë edhe jashtë procesit të anëtarësimit në BE. Qeveria e Maqedonisë së Veriut, duket se është dakord me këtë qasje. Ndaj muajin e kaluar, vendi shtroi tapetin e kuq për Orban, që vizitës së tij njoftoi dhënien e një huaje prej 500 milionë eurosh. Ka shumë dyshime se paratë vijnë në fakt nga Kina, dhe jo nga Hungaria, situata fiskale e së cilës nuk është aspak optimale.

Një pjesë e fondit, do të investohet në korridorin e transportit veri-jug që lidh Maqedoninë e Veriut me Serbinë dhe Hungarinë. Pjesa tjetër e korridorit është hekurudha me shpejtësi të lartë Beograd-Budapest e financuar po nga Kina. Disa nga paratë e mbetura do të investohen në komunat e Maqedonisë së Veriut, duke e forcuar ndikimin e VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Miqësia me Serbinë dhe Hungarinë, është e mirëpritur nga shoqëria e Maqedonisë së Veriut, sidomos nga votuesit etnikë maqedonas. Këto raporte të ngushta, ecin paralelisht me zhgënjimin ndaj BE-së, vlerësimet për të cilën në sondazhet lokale, kanë rënë si pasojë e pengesave të vazhdueshme në rrugën e anëtarësimit.

Ndërkohë po rriten kreditet e Serbisë në rajon. Vucic është në rregullisht në krye të listës së liderëve të huaj më popullorë. Njerëzit që drejtojnë Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, janë në pritje të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në SHBA.

Nuk aspak sekret që ata po shpresojnë në një fitore të Donald Trump, ashtu si Orbán, i cili është i famshëm në mesin e fraksionit Trumpist të Partisë Republikane në SHBA. Loja e pritjes po e dobëson ndjeshëm ndikimin e BE-së në rajon. E përse liderët e Ballkanit Perëndimor duhet t’u kushtojnë vëmendje thirrjeve të Brukselit, Berlinit ose Parisit sot, nëse Shtetet e Bashkuara mund të ndërhyjnë dhe ta anojnë nesër balancën e fuqive?

Sigurisht, ekzistojnë rreziqe edhe për Maqedoninë e Veriut. Një ngërç i vazhdueshëm me BE-në mund t’i tensionojë marrëdhëniet ndëretnike. Shqiptarët etnikë po ngrenë tashmë alarmin për një vendim të fundit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, për të anuluar kuotat e përfaqësimit etnik në institucionet publike të vendit.

Shqiptarët kanë frikë se të njëjtin fat mund të pësojë edhe ligji historik i vitit 2017, që e bëri shqipen gjuhën e dytë zyrtare të Maqedonisë së Veriut. Për momentin, Koalicioni VLEN, një grupim i partive politike shqiptare etnike, vazhdon të qëndrojë në koalicionin qeverisës të Maqedonisë së Veriut dhe të përfitojë nga mundësitë që sjell pushteti.

Por presioni nga Bashkimi Demokratik për Integrim, partia më e madhe e shqiptarëve në vend, aktualisht në opozitë, mund ta detyrojë VLEN që të kërkojë lëshime të reja nga VMRO-DPMNE. Dhe në një skenar të tillë, tensionet do të rriteshin, duke e ngritur alarmin në Bruksel.

Nga ana tjetër edhe koncepti se ka një alternativë ndaj anëtarësimit në BE, mund të përballet me një realitet të hidhur. Maqedonia e Veriut, ka qenë edhe më parë në një situatë të ngjashme. Gjatë viteve 2006-2016, vendi përjetoi një dekade harrese. Aspiratat e tij për në BE u bllokuan nga Greqia.

Nuk pati asnjë vërshim të investimeve të huaja nga jashtë BE-së, që mbetet deri më sot partneri më i madh ekonomik i Maqedonisë së Veriut. Kapja e shtetit arriti në përmasa të frikshme, ndërsa fërkimet midis maqedonasve dhe shqiptarëve, shpërthyen periodikisht në të gjithë segmentet e shoqërisë.

Presioni vazhdoi të rritej në formën e protestave popullore, derisa sundimi i VMRO-DPMNE mori fund në fillim të vitit 2017. Një skenar i ngjashëm, mund të shpaloset sërish dhe shumë lehtë, veçse këtë herë Maqedonia e Veriut nuk ka luksin të humbë edhe një dekade tjetër.

Është më se e qartë se BE-ja nuk ka një shkop magjik për të rregulluar problemet e Maqedonisë së Veriut, nga korrupsioni në postet e larta deri tek marrëdhëniet e paqëndrueshme ndëretnike. Ajo që do të ndodhë në të ardhmen, do të varet nga zgjedhjet e qytetarëve në kutinë e votimit. Por është gjithashtu e qartë se siç qëndrojnë punët aktualisht, anëtarësimi në BE është oferta më e mirë në dispozicion.

Qeveria në Shkup mund ta refuzojë atë, qoftë edhe për arsye thjesht instrumentale apo morale. Por refuzimi i BE-së, do të sillte humbje si për unionin, Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe për pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor./Përshtati Pamfleti nga “Carnegie Europe”

larg dhe afër evropës zgjerimi i be ballkani perëndimor

Lini një Përgjigje