
Sali Berisha e di më mirë se të gjithë se nisja e gjyqit ndaj tij do të lëkundë pozitat e tij në parti. Ndaj rriti tonet duke sulmuar Altin Dumanin, për të dëgjuar deputetët e tij, të cilët kanë heshtur, sepse presin ndarjen e “tortës” së kreut të grupit dhe drejtuesve të komisioneve parlamentare...
Sfiduesi më i madh dhe politik i Sali Berishës, deri tani duket Ilir Alimehmeti, i cili kërkon që Kolegji Zgjedhor të hapë votat preferenciale brenda PD-së për të parë pozitën e tij reale në zgjedhje.
Ky është një veprim që nuk ka marrë firmën dhe vulën e PD-së, por një akt juridik individual. Aulon Kalaja, kandidat për deputet në Durrës, ka dërguar në SPAK indiciet që ai ka për atë që e quan vjedhje të votave brenda llojit. Ndërkaq, të tjerë kandidatë për deputetë dalin përditë dhe flasin për “friendly fire”.
Kurse pjesa e grupit të deputetëve që u vendosën në listat e mbyllura në këmbim të ardhjes me Berishën nga ish-grupi parlamentar i Lulzim Bashës, sot po heshtin. Janë shumë pak veta që po e mbrojnë Berishën, në mos qoftë vetëm Flamur Noka, i cili jo pa qëllim kërkoi në grupin e Këshillit Kombëtar të PD-së të shkohet në SPAK të hënën në mëngjes. Një provokacion tipik, që kishte synim të marrë pulsin dhe të mbajë shënim kush janë “luajalët” e vërtetë.
Po përse po ndodh kjo situatë tani? Përpos një spontaniteti që mund të vijë nga ndonjë nismë personale, gjithçka ka një arsye; nisja e procesit penal ndaj Sali Berishës.
Procesi, i cili është zhvillimi më i rëndësishëm, edhe pse nuk duan ta quajnë të tillë shumica e televizioneve që bëjnë emisionet politike të mbrëmjes dhe i mbushin me çështje të stisura nga zyrat e propagandës së PD-së.
Vendimi i gjykatësit paraprak, sipas reformës së re në drejtësi, është bazik për kalimin e një çështjeje në gjykim. Kushdo që e njeh sadopak ligjin, do të thotë se kemi të bëjmë me një shpallje 50% fajtor.
Përkatësisht, të tre gjyqtarët që do ta gjykojnë çështjen në themel, do të duhet të marrin për bazë dispozitivin e vendimit të gjyqtarit paraprak.
Ndërkaq, procesi maratonë që do të kthehet në një event mediatik të fuqishëm është krejt ndryshe nga pamjet e hyrjes dhe daljes nga Prokuroria Speciale. Pasi do të ketë një betejë të përditshme mes palëve në proces; provave, dëshmitarëve, luftës proceduriale e hileve për ta bllokuar atë.
Gjyqi, nëse nuk do të bëhet i hapur – që ka gjasa të ndodhë – do të jetë një skandal i madh. Gjithsesi, gjërat do të rrjedhin dhe do të mësohet dinamika e të parit proces për një skandal gjigand siç është marrja e një prone shtetërore, dhënia e saj vajzës së tij, e më pas ndërtimi nga hiçi i 19 kullave në atë territor.
Sali Berisha e di më mirë se të gjithë se nisja e gjyqit ndaj tij do të lëkundë pozitat e tij në parti. Ndaj rriti tonet duke sulmuar Altin Dumanin, për të dëgjuar deputetët e tij, të cilët kanë heshtur, sepse presin ndarjen e “tortës” së kreut të grupit dhe drejtuesve të komisioneve parlamentare.
Ndërkaq, ata që nuk janë zgjedhur deputetë, kërkojnë të vijojnë të qëndrojnë në lojë për zgjedhjet vendore të ardhshme, përkatësisht duke u ofruar si kandidatë të mundshëm për kryebashkiakë.
Lojë, të cilën Sali Berisha ka treguar se e luan krejt ndryshe; pasi cakton gjithmonë ata që nuk bëjnë zhurmë dhe nuk i sheh si një rrezik i mundshëm. Por këtë radhë nuk e ka fuqinë të luajë hapur, pikërisht prej procesit; pasojat politike të të cilit do të duken që në seancën e parë kur prokurorët do të lexojnë aktakuzën dhe prezantojnë listën e dëshmitarëve. E ku, sipas të gjitha gjasave, avokatët e Berishës do të tentojnë lojën proceduriale të të fituarit kohë – por që tani, hapësirën e kanë më të vogël.
Lini një Përgjigje