
Po mirë, çfarë i gjeti qytetet e tjera të Shqipërisë qe tash 31 vite, ndrruan pushtetet vendore, herë nga demokratët te socialistët, asnjë traumë, prosperuan kur gjetën ekulibrin dhe njeriu e duhur për ti qeverisur, sidomos kur politikat e qeverisë u përputhen me ato vendore?!
Po, Shkodra asht bastion i qytetërimit shqiptar. Etnologia angleze, në fillim të shekullit XX, shkruante tek “ Brenga e Ballkanit “: “ Sidoqoftë për një pikë unë kam të njëjtën ndjenjë të përbashkët me shqiptarin, Shkodra më mrekullon. Kur nuk jam atje, po jua rikujtoj që vetëm atëherë, jam thuaj gadi të betohem bashkë me shqiptarin se ajo është qyteti më i mirë në botë “.
Edhe në agun e atij shekulli, rilindasi shkodran Filip Shiroka, shkruante te “ Dallëndyshe eja “:
N’Shkodrën time të Shqipnisë
Burrat lejnë që s’dinë ç’asht friga
Vajzat e bukra t’urtisë
Atje lejnë që s’dinë ç’asht flliga
Atje, n’paç vijtë fluturim
Aty asht qyteti im.
“Qendra kryesore tregtare e Shqipërisë së veriut e ndoshta e tërë Shqipërisë, ishte Shkodra “ Kryeqyteti i Shqipërisë Ilire “, shkruan anglezi Eduard Lear.
Për këtë Shkodër shkruan bijtë e saj, nga Barleti, Budi e Bardhi, te Fishta e Koliqi, Camaj e Migjeni, Drini e Draçini e shumë të tjerë, “ Shkodra dhe motet “ vepra e H. Bushatit, seminari ndërkombëtar “ Shkodra në shekuj “ nën kujdesin e M. Qukut, e së fundmi, “ Jetë Shkodrane “ e C. Simonit dhe “ Po shkruej për vedi e Shkodren “ e piktorit Simon Rrota, janë pak nga të shumtat vepra të të tjerëve që na ushqejnë ndjenjën qytetare me e dasht Shkodren se ajo asht vetëm dashni.
Pra, kjo asht Shkodra, qyteti im, i yti, i të gjithëve, i të parëve dhe i brezave që do të vijnë.
Shkodra, ka fituar të gjitha “ Medaljet si pionere “, që nga qeverisja 75 vjeçare e vezirëvë famëmëdhenj bushatllinj, nga shkolla e parë shqipe, nga Teatri i parë, nga Marubi i parë, nga biçikleta e parë, nga futbolli i parë, nga opera e parë, nga kinemaja e pare, nga Shtëpia e parë botuese jezuite, e sa e sa sish.
Gjithëkund e para.
Natyrisht, edhe qytetet kanë jetën e tyre të gjallë, ato frymojnë çdo ditë, kanë pulsin e tyre, kanë syrin e tyre, japin e marrin e kështu, ndjejnë edhe lodhje, mërzitje, pakënaqësi e gadi humbje të besimit, por kurrë humbje të dashnisë.
Jemi në prag të 14 Majit 2023, janë zgjedhjet e 8-ta pluraliste vendore, bash 31 vite qëkur filluan si të tilla.
Shkodra, është qyteti i vetëm në Shqipëri që pushteti vendor ka qëndruar në anën e PD-së. Është vullnet i zgjedhësve, kështu funksionon demokracia.
Gjithmonë në Shkodër, në çdo fushatë përsëritet togfjalëshi “ bastion i demokracisë “ për Shkodrën. Po, kush e emërtoj kështu, vallë u vetquajt kështu apo e emërtuan ato që e përdoren për të tillë, si “ hambar votash “, si “ antikomuniste “, si nevojë e pushtetit të tyre dhe në këmbim, thuajse asgjë për të, si qyteti që rrëzoj sistemin komunist etj., por që, tre dekada pas, mbetët qyteti më pak i zhvilluar nga ana ekonomike, urbanistike dhe infrastrukturore. Ky asht fakt që preket e shikohet.
Vallë, mendon njeri se Shkodra ashtë mà “ demokratike “ se e gjithë Shqipëria dhe poashtu, ashtë mà “ antikomuniste “ se e gjithë Shqipëria?!.
Jo, asnjëra dhe as tjetra, Shkodra ashtë si e gjithë Shqipëria, antikomuniste dhe europiane. Shkodra ka rritur shtatin e saj si pjesa arbnore e Europës, flet historia e saj, dëshmitë dhe librat, që nga “ Statutet e Shkodrës “ në gjysmen e parë të shekullit XIV .
Veçimi i Shkodrës ashtë i qëllimshëm, për ta parë si “ delja e zezë “, si e përsekutuar skajshëm nga rregjimi i kaluar.
Vertetë Shkodra, pas vitit 1945 ka pësuar kalvarin e saj më të randë nga rregjimi komunist, por kjo ka të vertetën e saj, Enver Hoxha nuk mund të qeveriste gjatë me prezencën e klerit katolik në Shkodër, me françeskanët dhe jezuitët me 8 shekuj studime universitare të gjithë sëbashku, prandaj Shkodra, si dritën që mori nga ato, pësoj edhe mundimet për shkak të tyre, e me rradhë, i gjithë qyteti.
Kryetari i parë i Bashkisë së Shkodrës në vitin 1992-19996, zoti Filip Guraziu, që për mua ishte kryetari më funksional, më demokrat, më i shkolluar, më i përsekutuar, i vetmi nga të tjerët pas tij, që babain ja pushkatuan dhe nuk vdiq në shtrat, i diplomuar si matematicien në Universitetin e Tiranës e kësisoj, edhe administrator racional i Shkodrës së fillimviteve të ’90-ta, bëri çmos aq sa mundej që ta kaloj situatën mbarë. Ai, në librin e tij të fundit “ Për nji demokraci të vertetë Shqiptare “, në artikullin “ Hupja e identitetit politik të P.D. e pasojat “, faqe 145 shkruan, .......” As edhe nji herë të vetme në mitingjet e fushatës nuk u përmend programi politik i PD ndaj kësaj shtrese ( për të përndjekurit. shën, i imi ), nuk u ba autokritikë për përkujdesjen e paktë që qeveria e PD aplikoj në periudhën që ishte në pushtet e nuk u shpall as një premtim që do të jepte shpresë për të ardhmen.! Ende nuk kuptohet se pse ndodhi që për herë të parë në këto 27 vite, politika e PD “ asgjësoi “ deri në zero bazën e sajë historike, mbështetsen e saj, të cilen e defaktorizoi, sikur nuk egziston!”. ( Mbyllet citimi ).
Pra, Shkodra tash 31 vite mbetët nën pushtetin vendor të PD. Godina e Bashkisë, më e bukura ndër reliket që i ka mbetë Shkodrës, e ndërtuar që në kohen e administratës turke në fillim të viteve 1900, duket si e “ përgjumur “, as hije e as shije, me të njëtën administratë qyshkur, tridhjetvjeçarët e fillimit, po dalin në pension ende aty, unë nuk them se nuk ka djem e vajza të mirë, njoh disa sish, por nuk ka dinamikë dhe qendrojnë aty si vendqendrim për nipa e mbesa sapo të rriten.
Në disa zgjedhje vendore pas vitit 1996, PS e kohës, vendosi përballë kandidatëve demokrat, disa figura të spikatura të saj, të gjithë të shkolluar për administrator vendor, me arsim ekonomik dhe inxhinierik, të sprovuar në bizneset e tyre si E. Uruçi, Gj. Leqejza dhe N. Kopliku që përballë kundërshtarëve të tyre do ti kishin sjellë qytetit prosperitet të padiskutueshëm, “ bastioni “ i zbrapsi pa arësyetuar dhe pa mendë në kokë.
Koabitacioni në botën perëndimore është nji bashkëqeverisje e suksesshme politike në mes forcave me vizione jokomplementare, shembulli tipik është Franca, në mes Mitterand president dhe Shirak kryebashkiak i Parisit.
Po mirë, çfarë i gjeti qytetet e tjera të Shqipërisë qe tash 31 vite, ndrruan pushtetet vendore, herë nga demokratët te socialistët, asnjë traumë, prosperuan kur gjetën ekulibrin dhe njeriu e duhur për ti qeverisur, sidomos kur politikat e qeverisë u përputhen me ato vendore. Shembujt e Korçës, të Durrësit, të Vlorës, të Elbasanit, të Lezhës, të Beratit, të Pukës, të Malësisë së Madhe, të Belshit etj., janë në sytë e të gjithëve për mirë dhe rritje ekonomike, urbanistikë dhe infrastukturë për shembull. A duhet ma shumë, natyrisht po!.
Edhe njëherë që kryebashkiaku i Shkodrës në vitin 2000, z. O. Rusi tentoi të vendoste ura komunikimi me Qeverinë, e “ mbyten “ gadi, e shpallen heretik!.
Në garë për zgjedhjet e 14 Majit, Shkodrës ju afrua për ta qeverisur një figurë pa “ dangë “, pa parti, administartor i sukseshëm, i arsimuar enkas për punë, i qytetëruar, i edukuar me aftësi komunikuese të admirueshme, shkodran denbabaden, fis i mirë, familjar shembullor, se të gjithëve që e ndjekin, i banë përshtypje, me projekte të iniciuara për tij, të kopsitura mirë, artistikisht estetike dhe funksionale, është shansi i fundit që Shkodrës i ofrohet për t’ja zbardhur faqen dhe për të porsperuar, për t’u bërë si shoqet e saj, për të dalë nga “ djepi “ e hedhur në shinat drejt Europës.
O sot, o kurrë, jeta ka një fund për një brez dhe një shteg për pasardhës !
Shkodër me, 9 Maj 2023, Dita e Europës.”
Lini një Përgjigje