TAGS-AT E JAVËS

Forum11 Korrik 2025, 17:38

Shqipëria ka ngecur në vendnumëro!

Shkruar nga Spartak Ngjela

Shqipëria ka ngecur në vendnumëro!

Karriera politike është monopol i klaneve drejtuese në PS dhe PD.

Sot në Shqipëri, historia e shkruar nuk i përfshin të gjitha faktet historike. Lajmet në televizione nuk pasqyrojnë me përpikmëri ngjarjet e ndodhura. Televizionet private nuk mund të dalin nga egoizmi i pronarëve të tyre. Televizioni shtetëror nuk mund ta transmetojë si lajm një fakt të vërtetë që dëmton figurën e kryeministrit. Edhe shtypi i shkruar ndjek të njëjtin model.

Ndërkohë, koha ecën sipas vetëdijes arbitrare të kryeministrit. Individi nuk është i mbrojtur, sepse pushteti gjyqësor është ose i korruptuar, ose i drejtuar nga kryeministri i vendit.

Televizionet nuk e trajtojnë lajmin në thellësi. Atëherë?
Asgjë.

Gjendja është ende te hiçi, sepse konkretja mund të dëmtojë kryeministrin. Puna mbetet ende e pambrojtur juridikisht në Shqipëri. Kapitali privat nuk ka mundësi të investojë, sepse Shqipëria nuk qeveriset me një drejtim shkencor për tregun e lirë.
Karriera politike është monopol i klaneve drejtuese në PS dhe PD.

Koha ecën drejt abstraktes, prandaj askush nuk e kupton se ku ndodhet. Qeveria është e gëzuar, sepse nuk ka opozitë që të përkrahet nga populli.

Në Shqipëri ende nuk ka një pushtet gjyqësor të pavarur. Prandaj, qeveria që drejton vendin nuk e ka mendjen te vendi, por te karriera dhe korrupsioni.

Arti në Shqipëri thuajse nuk ekziston. Shtypi kontrollohet nga qeveria përmes pronarëve të gazetave dhe televizioneve. Arsimi i lartë është privatizuar dhe po lundron në mediokritet joshkencor.

Universitetet shtetërore janë zhytur në krizën e mungesës së profesorëve. Po Shqipëria, ku po shkon?

Shqipëria nuk po shkon askund, sepse nuk ka ecje dhe po qëndron në vend. Atëherë, çfarë mund të themi?

Ne, shqiptarët e Shqipërisë, na duhet të pyesim: Ku po shkojmë?

Dhe përgjigjja mbetet vetëm një fjalë: ASKUND.

Lini një Përgjigje

Forum