
Atëherë ndërsa ndërtimi na rezulton me goxha paqartësi si sektor, përse investohet, çfarë dhe kush po përfiton?
Sot në Shqipëri ka shërbime të larmishme nga më të voglat deri te më të ndërlikuarat. Shqipëria e çokollatave Hilal turke të viteve ’90, karrocave me qofte dhe kioskave me hekura mbyllur si burg, sot është vitrinë luksoze e investimeve në shërbime, ndërtim, tregti, bujqësi, blegtori, turizëm, zejtari etj. Dhe të gjitha këto janë një fakt dhe fryt i egos për zhvillim të vetë shqiptarëve, që me mënyra të ndryshme kanë shtyrë përpara zhvillimin individual, për rrjedhojë edhe atë komunitar dhe më gjerë në dimension kombëtar.
Por a ka themel apo dysheme solide ky zhvillim që më shumë është instiktiv dhe intuitiv, se sa strategjik dhe i planifikuar?! Sot Shqipëria nuk është as vend industrial, as vend bujqësor, thuhet se është vend me turizëm të zhvilluar dhe me industri ndërtimi të përparuar. Por a mund te mbështesim te ardhmen dhe peshën e buxhetit të shtetit në këta dy sektorë?!
Zakonisht shtete me tradita dhe akademi të zhvilluar shkencash dhe njerëz të mendjes, i kanë përcaktuar qartë objektivat afatgjatë se çfarë do të jenë këto shtete, çfarë do të prodhojnë dhe ku do mbështeten për ekonominë e tyre. Ne jo vetëm që nuk kemi një strategji të qartë, të mirëpërcaktuar dhe mirëorientuar, por kemi mbetur ende në inercinë e improvizimit që ec dhe vepro se rrugës shohim çfarë do ndodhë.
Ky nuk është me vizion, ky është iluzion. Dhe të ecësh me iluzione, ato mund të jenë të bukura nëse bëhen realitet, por mund të jenë edhe të humbura nëse dështon. Vetëm se nëse qëllon kjo e dyta pasojat janë katastrofale për ekonominë dhe popullin. Prsh sektori ndërtimit ku raporti mes ofertës dhe kërkesës është me një hendek te frikshëm, është treguesi më i fortë i inercisë dhe improvizimit.
Sot po rendim me shpejtësi drejt vlerës 60 mijë njësi banimi bosh dhe po jepen me shume leje ndërtimi, pasur sens dhe logjikë përse dhe për çfarë duhen? Tregu nuk e imponon këtë kërkesë të madhe për ndërtime të reja, pasi stoku i tyre vijon të rritet, paralel me të edhe kërkesa për ndërtime të reja, veçanërisht kulla.
Po kush është i interesuar për te ndërtuar kulla. Analistët e tregut dhe ekonomistët besojnë se bota kriminale po tenton të pastrojë paratë në këtë sektor. Por edhe nëse marrim këtë tezë ai që fut paratë në një kullë, prsh 5 ml euro, si do t’i marrë mbrapsht të pastra? Si apartamente nga ndërtuesi, ligji i ekspozon të dy në këtë rast, operacioni është i dështuar që në koncept, pra është e pamundur të funksionojë si skemë pastrimi parash kjo mënyrë e cila është e vetmja, por duke rriskuar konfiskimin dhe burgun bashkë me të.
Atëherë ndërsa ndërtimi na rezulton me goxha paqartësi si sektor, përse investohet, çfarë dhe kush po përfiton? Se i vetmi që duhej të përfitonte nga kjo larmi tregu është individi i shtresës së mesme dhe të ulët. Por praktikisht pakkush mund të blejë një shtëpi pasi, nuk ja del dot as me pagë dhe as me punë të ndershme të marrë e shlyej një kredi e cila në rastin më të mirë mund do t’i kushtojë 25 vjet punë nga jeta e tij. Pra, një 25 vjeçar që krijon familje do të duhet të punojë deri 50 vjeç pa ndërprerje që të shlyejë kredinë e shtëpisë, gjithnjë nëse banka e krediton dhe ai është me fat që të ruajë marrëdhënie pune pa ndalim.
Në këto kushte gjithçka duket thuajse e pamundur. Por ndërkohë nuk duhet të harrojmë dy pyetje shoqëruese, përse vijojmë të ndërtojmë dhe kush po blen ose do blejë shtëpi në Shqipëri? Disniveli social e shoqëror po rritet, presioni shtyn të pamundurit drejt ikjes nga vendi.
Popullata po plaket, vendi përballet me rrezikun e përthithjes nga falimentimi i skemës së pensioneve, pasi raportet kontributorë/përfitues po thellohen në favor të të dytëve me shpejtësi. Atëherë ndërtimi nuk duket se është as alternativë për t’u mbështetur si industri, as alternativë për të krijuar bazën që njerëzit të mos largohen nga vendi.
Bujqësia është një alternativë për t’i dhënë Shqipërisë një fytyrë si vend prodhues bujqësor, me fuqi për mbështetjen e buxhetit të shtetit. Por edhe këtu nuk kemi bindje afatgjatë, megjithë kontributin e madh të bujqësisë në prodhimin e përgjithshëm bruto GTP. Sërish dhe në këtë sektor ka angazhim dhe shembuj suksesi, por jo aq sa për të thënë se ky është themeli i ekonomisë dhe mund të jetë ne vazhdimësi. Të rinjtë nuk preferojnë më të punojnë toka në sera se kanë shembuj të tjerë referencialë, me kontributin fatal edhe të medias që promovon tërësisht modele të gabuara jetese dhe suksesi.
Vijmë te turizmi. Po, Shqipëria është një vend i bukur nga natyra dhe i bekuar nga zoti për pozicionin gjeografik. Por a mjafton kjo? Jo. Investimet edhe në këtë sektor janë galopante, por pa vizion dhe strategji. Jemi ende një vend me turizëm të pastandardizuar. Mjafton të përmendësh vetëm faktin se yjet e hoteleve që praktikisht në të gjithë botën vlejnë për të përcaktuar edhe çmimet por edhe standardet e akomodimit, vendosen rrumpallë nga vetë pronarët sipas dëshirës se tyre, në rastin më të keq dhe në mënyrë manipulative nga Ministria Turizmit në rastin me të mirë. Jemi tërësisht je kaos standardesh në hoteleri.
Lini një Përgjigje