Forum13 Prill 2024, 18:41

Shqipëria pret opozitën, ata shtrëngojnë ‘proamerikanizmin’

Shkruar nga Ben Andoni

Shqipëria pret opozitën, ata shtrëngojnë

Megjithatë në këtë stad të mandatit të tretë të maxhorancës, mbushur me korrupsione dhe arrestime të SPAK-ut, por edhe me sjelljen e socialistëve, si në rastin e fundit me mandatin e ish-ministres Xhaçka, pritet fytyra e opozitës dhe e alternativës qeverisëse të ardhshme. E prekshme, e qartë dhe vizionare.

Ka një absolutizim të fuqisë së të huajve dhe në të vërtetë fakti e përmban një të vërtetë, pasi ndërhyrjet e tyre shpesh kanë zgjidhur ngërçe të vërteta në Shqipëri. Që nga ajo e ish-kancelarit Vranitski në vitin 1997 dhe me radhë në kohë të ndryshme. Një masë ndërhyrjesh mbi 15 syresh, nxirrte Instituti i Studimeve Politike ndër kohë të ndryshme, sidomos në dy dekadat e fundit, nëse nuk e gabojmë numrin e saktë. Por, të huajt në ditët e fundit po sillen në leksik, si kriteret e vërtetësisë! Për hir të së vërtetës, duke treguar kanonet e demokracisë dhe mënyrën e sjelljes së duhur në ngërçe të ndryshme institucionale, prononcimet e tyre jo pak herë kanë qenë ndriçuese dhe po kaq herë turbulluese. Megjithatë në këtë stad të mandatit të tretë të maxhorancës, mbushur me korrupsione dhe arrestime të SPAK-ut, por edhe me sjelljen e socialistëve, si në rastin e fundit me mandatin e ish-ministres Xhaçka, pritet fytyra e opozitës dhe e alternativës qeverisëse të ardhshme. E prekshme, e qartë dhe vizionare. Kaq duhet, që të bëhet dhe të përgatitet ndryshimi, aq i nevojshëm, por një gjë e tillë nuk po ndodh, pasi pjesa e Rithemelimit tashmë i është dhënë krejt Berishës, kurse ardhja e supozuar e znj. Malltezi do prishë dhe ekuilibra të tjerë të brishtë në këtë formacion, mbushur me paradokse. Ashtu, si në pjesën e Partisë Demokratike Legale pritet një reagim shumë më potent, që është e pamundur prej animizmit politik të Bashës (fryt i riardhjes së tij), por edhe mbështetjes së pakët në parlament, që po marrin iniciativa shumë të mira të tij. Fatkeqësisht, ajo po mungon edhe prej kohëve të mira PS-Rithemelim, ndërsa mbi-akuzat (ato të vërtetat po i bën SPAK-u dhe institucionet e Drejtësisë) e Bardhit e të tjerëve mbeten pa karburantin e moralit. Për fat, korrupsioni i qeverisë po u jep një shtysë, po tollovia sesi sillen për të dhe mbështetja e pakët është vërtetë e hidhur. Bardhi është stereotipi i pamoralitetit politik dhe i akrobacive dhe këto po sfumojnë dhe realitetin opozitar, që tashmë është më i nevojshëm se kurrë.

Në aspektin makro, justifikimi i 17 Majit dhe i marrëveshjes së tanishme, që duket se u bënë edhe nën ndihmën e të huajve, u mungon thelbësorja: Çfarë sollën ato për demokracinë shqiptare?! Për njerëzit e ndryshëm të PD-së dhe Rithemelimit tashmë ka mbetur vetëm indikacioni i përfaqësuesve amerikanë dhe si reagojnë ata. Po ndërsa për Rithemelimin, kjo është demagogji, sepse atje drejtuesi kryesor shpirtëror është Berisha, i shpallur non-grata nga SHBA; për PD-në Legale është thjesht për të treguar ADN-në e pozicionit të tyre.

E fundit, verdikti i Vulës do të tregojë shumë, por të paktën vullneti i PD-së Legale po tregon se do t’i bindet çdo vendimi, ndërsa nga pala tjetër, ata që edhe bërtasin më shumë për pro-amerikanizmin s’ka përgjigje veç asaj se presin vetëm një përgjigje pro tyre, e cila duket se do mungojë me akrobacitë e tyre demokratike dhe mbi të gjitha “përdorjen” dhe citatet që na sjellin prej SHBA-së. Këtu kupton edhe sesa i respektojnë kanonet e demokracisë dhe Ligjin. Megjithatë, vendimi do të tregojë shumë për një parti, që kur ishte e bashkuar na ka shurdhuar me pro-amerikanizmin kallp.

ben andoni sali berisha opozita