TAGS-AT E JAVËS

Forum22 Maj 2025, 20:00

Si t’ia shpjegojmë Alastair Campbell, lajmin e sotëm të SPAK?

Shkruar nga Mero Baze

Si t’ia shpjegojmë Alastair Campbell, lajmin e sotëm të

Për t’i treguar atij se nuk po e mbajnë në burg kot, shpërndan një njoftim me gjuhë të koduar që të mos kuptohet nga askush, dhe me shpjegime informale që kanë sekuestruar një pronë të re të Erion Veliaj dhe Ajola Xoxes, dhe se i kanë shtuar një akuzë të re çiftit për mosdeklarim pasurie.

Ish-këshilltari i Tony Blair, Alastair Campbell ka kritikuar në podcastin e tij të fundit mbajtjen në burg të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pa u ngritur një akuzë për të.

“Ajo çfarë mendoj se është skandaloze është se ai është në burg prej disa muajsh pa u akuzuar zyrtarisht për asgjë. … SPAK ka fuqi të jashtëzakonshme dhe pretendon se ka shumë prova kundër Erion Veliajt, por ai është në burg për muaj të tërë, pa iu komunikuar një akuzë…”, tha Campbell.

Campbell, që është një figurë me shumë ndikim në opinionin publik në Britani por edhe mbi qeverinë britanike, që mbështet Zyrën e Shtypit të SPAK, në fakt “e mori përgjigjen” menjëherë, po nga Zyra e Shtypit të SPAK.

Për t’i treguar atij se nuk po e mbajnë në burg kot, shpërndan një njoftim me gjuhë të koduar që të mos kuptohet nga askush, dhe me shpjegime informale që kanë sekuestruar një pronë të re të Erion Veliaj dhe Ajola Xoxes, dhe se i kanë shtuar një akuzë të re çiftit për mosdeklarim pasurie.

Të gjitha portalet njësoj kishin titull të madh që sekuestrohet apartamenti i Veliajt tek Kodra e Diellit.

Një gënjeshtër e pastër e shpërndarë formalisht nga Zyra e Shtypit e SPAK, një program i financuar nga qeveria britanike. Nuk është sekuestruar asnjë apartament i Erion Veliajt. Lajmi i shkruar në mënyrë hermetike që të mos kuptohet se çfarë është fjala, dhe i shpjeguar në mënyrë informale nga zyra e SPAK, u sugjeron portaleve dhe medias në tërësi se kanë sekuestruar një pronë të padeklaruar të Erion Veliajt.

Në fakt bëhet fjalë për një apartament të kompanisë Agikons, që është pronare dhe ndërtuese e Kodrës së Diellit, i cili gjendet një kat më sipër apartamentit zyrtar të Erion Veliajt. Në këtë apartament më parë ka banuar aktori Gazmend Paja, i cili më pas bleu një apartament tjetër dhe u largua. Pas kësaj, kompania e jep me qira për klientë të ndryshëm apartamentin në fjalë.

Prokurori e ka vënë nën sekuestro pasi ka “prova” që në shumicë janë lajme blogerësh që ai kat sipër Veliajt do blihet nga Veliaj.

Apartamenti është pronë e atij që e ka ndërtuar, Agikons shpk. Nuk ka ndonjë transaksion bankar apo formal që të provojë që Veliaj ka dashur ta blejë atë apartament. Vënia e tij nën sekuestro, kur ai është pjesë e pronave të kompanisë që e ka ndërtuar, është më së shumti një operacion propagande, për t’u dukur që Erion Veliaj nuk po e mbajnë kot në burg, se po hetojnë – dhe më së paku një dëshmi e mungesës së thellë të profesionalizmit të një prokurori që ka objektiv linçimin e Veliajt meqë ai e sulmoi publikisht dhe jo hetimin e tij.

Tani jam kurioz si do t’ia përkthejnë lajmin Alastair Campbellit. Do t’i thonë që ti s’ke të drejtë, se ja sot, prokurori ka sekuestruar apartamentin fqinj me Veliaj, pasi ka zbuluar nga përgjimet në bisedë me gruan e tij se i kanë vënë syrin atij apartamenti ta blejnë?

Këmbëngulja për të vazhduar linçimin e Veliajt duke shtuar në dosjen e tij akuza të tilla dhe duke regjistruar vepra të reja penale imagjinare, meriton notën 10 për SPAK në propagandë për mashtrimin e opinionit publik, por e turpëron SPAK profesionalisht. Me këtë stil, SPAK mund të vazhdojë të shtojë çdo muaj nga një vepër në regjistrin penal për Veliaj dhe mund ta mbajë gjithë jetën brenda pa ngritur ndonjë akuzë. Por kjo nuk është drejtësi. Kështu ridënoheshin “armiqtë e popullit dhe partisë” në Spaç duke ua çuar akuzën për ridënim në qeli. Por kemi rënë dakord që ajo ishte gjenocid, dhe jo drejtësi.

Lini një Përgjigje