Forum13 Qershor 2024, 19:57

SPAK hap dosjen 'Gjiri i Lalzit': A thua nisi uragani?!

Shkruar nga Ylli Pata

SPAK hap dosjen 'Gjiri i Lalzit': A thua nisi uragani?!

Gjiri i Lalzit është një nga modelet më të rëndësishme të një historie ku ngërthehen jo thjesht korrupsioni, por kapja dhe zaptimi i aseteve kombëtare nga njerëz me pushtet.

Reagimi i ashpër i Ilir Metës pas 3 orëve në SPAK nuk është thjesht një lakmus për të mësuar se ku po shkojnë hetimet në rastin e dosjeve ndaj tij, por edhe një vijë drejtimi për të ardhmen e hetimeve të mëdha.

Ajo që bëri përshtypje në deklaratat e Metës, është se është folur mjaft për atë që njihet edhe si parajsa e elitës politike shqiptare: Gjiri i Lalzit.

Një histori që për vite e vite ka qenë një legjendë urbane ku ka pasur viktima, vrasje mafioze, dhunë, shantazh, demonstrate popullore, ndërhyrje të policisë, por mbi të gjitha histori ku fshihen mbi të gjitha mistere të klasës politike shqiptare.

Si u kthye Gjiri i Lalzit në vendin ku kanë vila luksoze Sali Berisha, Ilir Meta, por edhe politikanë të tjerë të rëndësishëm në vend. Pak muaj më parë, Gaz Bardhi akuzoi Flamur Nokën, kolegun e tij në parti se po shet një vilë që kalon shumën e 1 milion eurove.

Po çfarë është Gjiri i Lalzit si histori politike? Që qarkullon edhe në dokumente ndërkombëtar siç është rasti i dosjes britanike të shpalljes Non Grata të Sali Berishës?

Gjiri i Lalzit, është realisht një nga modelet më të rëndësishme të një historie ku ngërthehen jo thjesht korrupsioni, por kapja dhe zaptimi i aseteve kombëtare nga njerëz me pushtet.

Në vitin 2006, në Lalëz kanë depërtuar studio ligjore të lidhura me qeverinë e kohës për të bërë skanimin dhe “blerjen” e të gjithë terrenit pranë bregdetit. Në atë kohë u fol se ishte edhe dora e Damir Fazliç atje që blinte toka nga çdokush që kishte një dokument që vërtetonte pronësinë. Madje u tha se toka në kodër ishte akaparuar më parë e po bëhej thjesht një drenazhim i asaj që ndodhej pranë bregdetit.

Dhe pas këtij operacioni, si hap e mbyll sytë atje ndodhën investime kolosale të fshatrave turistike, ku u sistemua i gjithë establishmenti. Politikanë, qeveritarë, prokurorë, gjyqtarë, menaxherë, gazetarë panelesh, të gjithë që takoheshin në sallonet e Tiranës, drekonin e darkonin së bashku në Lalëz, në lokalet dhe blinin në marketet që zotëroheshin nga të njëjtit njerëz.

Lalzi është modeli më arrogant i politikës që nuk ka cipë për t’i treguar vanitetin publikut, i cili ka pikëpyetje për paratë që kanë çuar në blerjen e këtyre miradinave nga kjo elitë shtetërore.

Nga erdhën paratë që u ndërtua parajsa që ndërtuan elita e Tiranës? Kjo dosje është realisht simboli i asaj që ka nisur në Shqipëri. E njerëzit më shumë sesa dënimin e korrupsionit pret konfiskimin e pronave të marra jo nga lekët e rrogës.

Forum