Forum10 Mars 2023, 18:28

Të dy duan të hyjnë tinzash në Shtëpinë e Popullit dhe në Shtëpinë e Bardhë

Shkruar nga Frrok Çupi

Të dy duan të hyjnë tinzash në Shtëpinë e Popullit

Edhe Gjykatën e Apelit mendoi se do ta merrte, fillimisht me pagesa dhe pastaj me kërcënime për linçim. Në dy pikat kyçe ku ata e dinë se qëndron ‘çelësi’ për të hapur derën e Amerikës dhe të Qeverisë, nuk kanë guxuar akoma, edhe pse kanë premtuar me zë të lartë para militantëve. Kanë shpallur luftë kundër Ambasadës së Amerikës dhe kundër Edi Ramës. Prej kohësh thërrasin rrugëve se do t‘i drejtohen ‘Rrugës së Elbasanit’ dhe ‘Surrelit’, por nuk ua mban. Çdo bandit e di se ku ndodhet forca e shtëpisë që sulmon.

Edhe pse po vdesin të hyjnë në dy shtëpitë e shenjta, këta fshihen gëmushave, gjuajnë me gurë mbi shtëpitë dhe tentojnë të hyjnë nga tjegullat. Sali Berisha dhe Ilir Meta nuk guxojnë të hyjnë në zgjedhje sipas udhës së Zotit, domethënë hapur, sipas ligjit, por po tjerrin magji, përralla, krime, marifete si t’ia punojnë pas shpine popullit dhe Amerikës e të hyjnë tinzash në shtëpitë e ëndërruara.

Njërin prej tyre, të shpallur nga Amerika si minues i shtetit dhe i korruptuar, e ndalon ligji shqiptar dhe vetë Amerika, që të hyjë prapë në fushën e popullit. Ndërsa tjetri i ndodhur para rrezikut të SPAK dhe ligjit të Spiunëve, bën të njëjtën rrugë me Berishën për të hyrë fshehurazi.

Në zgjedhjet e kaluara të pushtetit lokal, Berisha u fsheh në Shtëpinë e Lirisë të Ilir Metës dhe mori 6 marsin me të cilin mburret në Shkodër. Kësaj here Meta ka dalë para pasqyrës dhe i duket vetja si nën hetim ‘për mos- kallëzim krimi’ dhe si  ‘strehues kriminelësh’, prandaj nuk ia mban.

Sot Iliri i ishte vërvitur Salës në shtëpinë e demokratëve buzë Lanës, por më shumë për t’i thënë ‘ma fal tradhtinë’, se sa për t’i marrë dorën. Të dy ndaj njëri tjetrit, sidomos Meta që e ka kapur Berishën në hall, manifestuan lojën për t’i hyrë edhe njëri tjetrit fshehurazi në shtëpi

Tani ja ku jemi, të dy këta marrin pamje të alternuara: Herë si gjuetarë e herë si të gjuajtur; herë si banditë e herë si thëllëza; herë erotikë e herë epikë.

Në sensin erotik këta janë më të sigurt:

Njëri folklorist i thekur nga bjeshkët e Veriut dhe tjetri i mësuar para një viti me vargjet e Çajupit; por të dy shfaqen si ‘sterilë’ në erotikë, përveçse kur bie fjala për këngët e popullit. Rrugën për të hyrë fshehurazi në zgjedhjet e 14 Majit e kanë zgjedhur pikërisht si rrugën e thëllëzës. ‘Thëllëza’ i fshihet gjuetarit nëpër kaçubet e pyllit, por djaloshi i marrosur i është betuar se ‘mal më mal e fushë më fushë/ tak- e- tuk të gjuej me pushkë’. A do të mund ta mposhtin këta epshin për të hyrë në shtëpinë e 14 Majit për zgjedhje, apo do të mbeten në pyll? Deri tani lajkat e thëllëzës, këta po i përdorin vetëm për njëri tjetrin dhe për disa derdimenë që u besojnë. Saliu merr rolin e ‘shpendit të fshehur’ në çerdhen buzë Lanës, ndërsa Ilir i vjen vërdallë. Të dy bëjnë e rrëzojnë plane si të hyjnë në zgjedhje që për ata është e ndaluar. Vetëm në këtë rast, gjatë gjithë kohës dhe në gjithë botën, dy udhëheqës politik të urryër nga populli, tentojnë të hyjnë feshurazi në zgjedhje për të marrë votën.

Nëse nuk do të bëjë punë ‘marifeti i thëllëzës’, atëherë janë të vendosur për forcën.

Varianti i ‘hyrjes me forcë’ në shtëpinë që nuk u përket, mund të jetë varianti më vdekatar për ta. Tentuan të kërcënojnë Amerikën, njëri me vrasje te Mali me Gropa e tjetri me sulme kundër Departamentit të Shtetit, por u mbyllën edhe ca dyer të tjera. Praktikuan sulmin mbi Samitin e Bashkimit Evropian në Tiranë, por i pengoi një ‘incident i vogël’. Dhuna për të hyrë në shtëpinë e tjetrit, u shijon më shumë që nga 8 janari i vitit të kaluar: Me kazma e leva, me mjete mesjetare dhe me zulmin e turmave të pavullnetshme, Berisha iu sul selisë së PD që e kishte marrë nga pronat e Ushtrisë. Pas kësaj ai mendon se mund t’i marrë të gjitha çfarë ndodhen bregut të Lanës. Edhe Gjykatën e Apelit mendoi se do ta merrte, fillimisht me pagesa dhe pastaj me kërcënime për linçim. Në dy pikat kyçe ku ata e dinë se qëndron ‘çelësi’ për të hapur derën e Amerikës dhe të Qeverisë, nuk kanë guxuar akoma, edhe pse kanë premtuar me zë të lartë para militantëve. Kanë shpallur luftë kundër Ambasadës së Amerikës dhe kundër Edi Ramës. Prej kohësh thërrasin rrugëve se do t‘i drejtohen ‘Rrugës së Elbasanit’ dhe ‘Surrelit’, por nuk ua mban. Çdo bandit e di se ku ndodhet forca e shtëpisë që sulmon.

Sa më afër iu duket ‘shtëpia e lakmuar’, aq më larg u duket lëkura e njëri- tjetrit ku mund të hyjnë në çdo rast.

frrok Çupi ilir meta sali berisha shtëpia e popullit shtëpia e bardhë