TAGS-AT E JAVËS

Forum20 Nëntor 2023, 18:23

Vetmia e Berishës dhe karrigia e Lulit

Shkruar nga Mero Baze

Vetmia e Berishës dhe karrigia e Lulit

Tani e vetmja gjë që mund të bëjë është që ti djegë karrigen e armiqve të vet. Dhe kaq ishte i gjithë plani i ditës së sotme.

Kishte një moment kulmor në shfaqjen e Berishës në parlament, kur ai kishte hyrë në Facebook-un e tij dhe pasi foli disa minuta pa bërë shumë kujdes se çfarë fliste, i dëshpëruar ndërpret fjalimin dhe u drejtohet deputetëve të tjerë: “Po tani duhet të flisni dhe ju, jo vetëm unë…”.

Albana që mbante celularin nuk e linte dot që të merrte fjalën. Flamuri ishte i zënë me djegien e tavolinës së Lulzim Bashës, kurse Edi Paloka nuk goditi aty afër dhe nuk foli dot. Gaz Bardhi ndërkohë po merrej me thyerjen e dorës së një gardisti. Të tjerët bën sikur nuk e dëgjuan.

Pasi hodhën dhe disa flakadanë që i nxirrnin nga tualetet e grave deputete, u larguan pasi dhe seanca mbaroi. Me sa duket garda është akoma liberale dhe nuk i detyron dot gratë tona deputete ti fshehin mjetet luftarake aty ku i fshihnin ato deputet gra të Albin Kurtit në Kosovë. Akoma nuk kanë mbërritur tek sakrifica ekstreme për Berishën. Kanë kohë mund të vij dita.

Por djegia e karriges së Lulzim Bashës është ajo që e mbush Berishën. Zakonisht ai i ka rrahur kundërshtarët. Në mendjen e Berishës rrahja e kundërshtarit është poshtërimi më i madh në jetë. Ai i ka rrahur fizikisht të gjithë kundërshtarët brenda PD, prej vitit 1991, duke nisur me Neritan Cekën me Gramoz Pashkon më pas, Preç Zogaj, Teodor Kekon, Eduard Selamin, si dhe kundërshtarët jashtë partisë, si Ndre Legisin, Kastriot Islamin, e në fund me Edi Ramën më 1997. Po kështu dhe me gazetarët kritikë të tij.

Në konceptin e tij primitiv, kur dikë e rreh e ke mundur dhe e ke poshtëruar ndaj ai nuk ka më të drejtë të ngrihet kundra teje.

Tani nuk rreh dot më. Nuk ka as pushtet dhe as njerëz të gatshëm që të rrahin për të, pasi ata që rrahin zakonisht janë bandit të pushtetit. 

Tani e vetmja gjë që mund të bëjë është që ti djegë karrigen e armiqve të vet. Dhe kaq ishte i gjithë plani i ditës së sotme. I duhej treguar Lulzim Bashës, se pavarësisht se ne si opozitë nuk ja dalim dot, as ty nuk të lëmë rehat por do të djegim karrigen dhe tavolinën. Edhe pse ishte operacion i vështirë pasi mund të digjej dhe karrigia e Gazmend Bardhit, ja dolën që ta digjnin vetëm të Lulzim Bashës.

Kjo e mbushi me gëzim dhe sapo pa flakën mbi tavolinën e Lulzim Bashës, Berisha nxitoi të dilte jashtë sallës. Dhe kishte arsye ta bënte këtë.

Në thelb beteja e Sali Berishës nuk është thjesht betejë për hallin e burgut që po e pret. Për të përballuar hallin e burgut atij i duhet monopoli i plot mbi opozitën dhe të folurit me një zë në mbrojtje të tij.

Njeriu që i ka thyer monopolin e opozitës është Lulzim Basha, pasi jo vetëm e ka përjashtuar nga PD, por dhe nuk po i hap rrugë për të pasur monopolin mbi opozitën. I rri gjithnjë përballë qoftë dhe duke fjetur, pro që ja prish gjumin njësoj.

Ndaj më shumë se sa Edi Ramën, ai sot urren Lulzim Bashën që nuk e lë të kurorëzohet si mbret i opozitës që duhet mbrojtur me ligj.

Por nuk është vetëm kaq. Lulzim Basha i ka bërë dhe më shumë dëm, pasi ka vrarë frikën dhe tek të tjerët. Ja ka thyer mitin e të paprekshmit.

Asnjë deputet tjetër as nga të vetët, nuk u përfshi dot në ato fjalime teatrale, që nuk kishin lidhje as me buxhetin as me qeverinë, por me makthet e Berishës për gjyqin dhe shpërndarjen e dënimeve që bën çdo ditë për kundërshtarët e  vet. Si një i rrjedhur që llomotit rrugëve, i jep 12 vjet burg Edi Ramës pse ka favorizuar Jamarbërin tek Klubi Patizani, 6 vjet burg Anila Denaj, 8 vjet burg Erion Veliajt, pastaj mendohet pak kush ka mbetur pa burg dhe sa i kujtohet ndonjë emër shpërndanë dhe një dënim për atë.

Vetmia e tij në Kuvend, distanca që mbajnë deputetët e afruar përmes Gazment Bardhit dhe shurdhëria e grupit të tij politik për ti dalë zot Berishës në hallin e tij, e ka bërë atë ti shumëfishohet urrejtja për Lulzim Bashën, pasi ai ua nxori frikën që Berishën mund ta lësh vetëm dhe nuk ndodh asgjë. 

Ai është sot i vetëm në Facebook-un e tij, i vetëm në sallë dhe i vetëm në opozitë, pasi së paku ka ose pesë fraksionet e tjera opozitare, po ia bëjnë të qartë se hallin e tij e ka me gjykatën dhe ata nuk e ndihmojnë dot. 

Për këtë arsye atij i duhej monopoli i opozitës. Për këtë arsye i duhej që shqiptarët të thoshin që opozitë është vetëm Sali Berisha. Për këtë arsye ai e urren Lulzim Bashën dhe kënaqet që i djegin tavolinën, pasi ai ja hapi këtë lojë që “Berishën dhe mund ta lësh vetëm dhe nuk ndodh asgjë”. 

Në fakt ndodh diçka. Bëhet qesharak dhe telendiset si sot, duke folur me vete në celularin e tij live, si një i ikur pa leje nga klinika nr.5.

mero baze berisha pd opozita

Lini një Përgjigje

Forum