TAGS-AT E JAVËS

Forum 8 Tetor 2025, 22:10

Zemërimi i heshtur i një populli të pambrojtur nuk është ndaj gjyqtar Astrit Kalasë, por ndaj tërë sistemit

Shkruar nga Arben Llangozi

Zemërimi i heshtur i një populli të pambrojtur nuk

Institucioni i drejtësisë duhet të reflektojë thellë dhe të pyesë veten: Pse kemi ardhur në këtë pikë? Pse qytetarët nuk na besojnë më? Çfarë kemi bërë gabim dhe çfarë nuk kemi bërë fare?

Ngjarja tragjike e ndodhur në sallën e gjyqit, që solli ndarjen nga jeta të gjyqtarit Astrit Kalaja, është një alarm i fuqishëm për të gjithë sistemin e drejtësisë, por edhe për shoqërinë në tërësi. Komentet negative që janë shpërndarë me shpejtësi në rrjete sociale nuk janë dhe nuk mund të konsiderohen si sulme personale ndaj gjyqtarit të ndjerë. Ato janë, në thelb, një pasqyrim i revoltës së thellë të qytetarëve ndaj një sistemi drejtësie që prej kohësh ka humbur besimin e publikut.

Ato janë komente kundër një sistemi të drejtësisë i cili, për vite me radhë, ka qenë i papërgjegjshëm, i paprekshëm dhe shpesh i përdorur si vegël politike. Një sistem ku drejtësia është vonuar, mohuar dhe në raste të shumta, e shitur. Një sistem ku qytetari i thjeshtë ka mbetur i pambrojtur, ndërsa të fortët, të pasurit dhe të lidhurit me pushtetin kanë dalë gjithmonë të pafajshëm. Dhe kur drejtësia bëhet palë me padrejtësinë, atëherë zemërimi i qytetarëve është i pashmangshëm.

Nuk është gjyqtari Astrit Kalaja ai që sulmohet. Ai, për ironi të fatit, edhe pas vdekjes po bart mbi supe pasojat e një sistemi të kalbur që dështoi të reformohej. Ai po përjeton barrën e një reforme në drejtësi që na u prezantua si shpëtim, por që për shumë njerëz ka rezultuar një tjetër formë represioni e burokracie të pajetë. Një reformë që nisi me shpresë, por përfundoi duke ushqyer zhgënjim të thellë.

Reagimet në rrjete sociale janë reagime ndaj atyre prokurorëve që nuk ndjekin të fortët, por ngarkojnë me dosje të kota njerëzit e zakonshëm. Janë reagime kundër atyre gjyqtarëve që vendosin me dy standarde, që mbrojnë njëri-tjetrin, që nuk japin drejtësi, por vendime të parafabrikuara në zyrat e politikës apo të interesave të errëta.

Janë komente kundër arrogancës dhe indiferencës që i ka kapluar disa prej atyre që kanë në dorë fatet e njerëzve. Dhe po, janë edhe një ulërimë e heshtur kundër mungesës së transparencës, integritetit dhe humanizmit brenda vetë institucioneve që duhet të jenë garanci për rendin dhe barazinë para ligjit.

Deklaratat e institucioneve të drejtësisë që kërkojnë "ndërprerjen e gjuhës së urrejtjes" nuk janë tjetër veçse një thirrje për mëshirë, jo për të ndjerin, por për vetë sistemin që po shembet nën peshën e papërgjegjshmërisë së tij. Kërkesa për ndalim të fjalës së lirë në rrjete sociale nuk mund të jetë zgjidhja. Në vend të kësaj, institucioni i drejtësisë duhet të reflektojë thellë dhe të pyesë veten: Pse kemi ardhur në këtë pikë? Pse qytetarët nuk na besojnë më? Çfarë kemi bërë gabim dhe çfarë nuk kemi bërë fare?

Ngjarja e rëndë duhet të shërbejë si një pikë kthese. Sepse përtej tragjedisë individuale, ajo që vërtet mbeti e vrarë në atë sallë gjyqi, ishte pikërisht drejtësia si vlerë, si ideal, si mbështetje për qytetarin.

Reforma në drejtësi, nëse do të kishte qenë reale dhe e ndershme, sot do të ishim duke folur për një sistem më të drejtë, më të fortë dhe më njerëzor, jo për një "çorbë të helmuar" që po mbyt çdo ditë edhe shpresën e fundit që qytetarët kishin tek shteti.

Meqenëse ditën e nesërme do të zhvillohen dy mbledhje të rëndësishme mes gjyqtarëve dhe prokurorëve, u bëj thirrje të reflektoni thellë dhe të mos i shikoni qytetarët si numra apo si të padenjë për drejtësi. Para se të kërkoni llogari nga të tjerët, kërkojeni më parë nga vetja juaj.

Mjaft me mbrojtjen e njëri-tjetrit dhe të parazitëve që e kanë dëmtuar sistemin e drejtësisë. Detyra juaj është t’i shërbeni publikut dhe të riktheni besimin e humbur të qytetarëve te drejtësia.

2 Komente

  1. A
    Agron Ahmeti

    Analize shume e sakte ku vihet gishti ne plage. Degjova dike te thote qe te arnatosen serish gjyqtare e prokurore te mbrojne veten. Absurde. Arma me e sigurte per te mbrojtur veten eshte drejtesia qe duhet te japin prokurore e gjyqtare dhe ne kete menyre, ashtu siç thote nje fjale e urte , nuk u hyn gjembi ne kembe . Respekt per analuzen tuaj

    1. J
      Juristi

      Shikoni një pjesë nga deklarata e gjyqtarëve në takimin e datës 9 tetor: “Shteti nuk mund të kërkojë drejtësi të pavarur, nëse nuk garanton kushtet minimale për ushtrimin e saj”. Domethënë, nëse kushtet e punës dhe të sigurisë nuk janë të mira, gjyqtarët janë të justifikuar të japin vendime të padrejta. Deklaratë kjo e miratuar dhe e duartrokitur nga qindra gjykatës dhe drejtues gjykatash dhe cuditërisht e anashkaluar nga gjithollogët e paneleve të darkës. Wtf!

      Lini një Përgjigje