Në një dokument të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, administrata Trump sulmon Evropën, të cilën e përshkruan si një "inkubator të kërcënimeve terroriste", si dhe të "ekstremistëve të krahut të majtë".
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka akuzuar Europën se është kthyer në një “inkubator” të terrorizmit të ushqyer nga emigracioni masiv, në strategjinë e re kundër terrorizmit të publikuar të mërkurën.
Strategjia përqendrohet gjithashtu në luftën kundër asaj që administrata e quan “ekstremizëm i dhunshëm i majtë”, përfshirë grupet “radikalisht pro-transgjinore”, ndërsa qeveria konservatore e Trump intensifikon sulmet politike ndaj kundërshtarëve të saj.
Dokumenti vendos edhe kartelet e drogës në kontinentin amerikan në qendër të përpjekjeve amerikane kundër terrorizmit.
Megjithatë, një nga pjesët më të ashpra të strategjisë i drejtohet Europës, ku ndodhen shumë prej aleatëve tradicionalë të SHBA-së dhe që pritet të shqetësohen nga kritikat e reja të administratës Trump ndaj kontinentit.
“Është e qartë për të gjithë se grupe armiqësore të mirëorganizuara shfrytëzojnë kufijtë e hapur dhe idealet globaliste që lidhen me to. Sa më shumë të rriten këto kultura të huaja dhe sa më gjatë të vazhdojnë politikat aktuale europiane, aq më shumë terrorizmi bëhet i pashmangshëm”, thuhet në strategji.
Dokumenti shton se “Europa, si vendlindja e kulturës dhe vlerave perëndimore, duhet të veprojë tani dhe të ndalë rënien e saj të qëllimshme”.
Strategjia është hartuar nën drejtimin e koordinatorit amerikan për kundërterrorizmin, Sebastian Gorka.
Raporti thekson se vendet europiane mbeten “partnerët më të rëndësishëm dhe afatgjatë të SHBA-së në luftën kundër terrorizmit”, por shton se “Bota është më e sigurt kur Europa është e fortë, por Europa është seriozisht e kërcënuar dhe është njëkohësisht objektiv i terrorizmit dhe inkubator i kërcënimeve terroriste.”
Kjo kritikë e re ndaj Europës vjen vetëm disa muaj pasi strategjia amerikane e sigurisë kombëtare paralajmëroi se kontinenti po përballet me “fshirje civilizimi” për shkak të emigracionit.
Trump ka kritikuar së fundmi edhe aleatët europianë të NATO-s, duke i akuzuar se nuk kanë mbështetur mjaftueshëm politikën e tij ndaj Iranit.
Administrata Trump ka ndërmarrë gjithashtu hapa agresivë për të riformësuar hemisferën perëndimore, përfshirë përpjekjet për largimin e Nicolás Maduro nga pushteti në Venezuelë, dhjetëra sulme ushtarake amerikane ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge dhe shtimin e presionit ndaj qeverisë komuniste të Kubës.
Fushata amerikane kundër anijeve të dyshuara për trafik droge në ujërat e Amerikës Latine vazhdon që prej fillimit të shtatorit dhe, sipas raportit, ka shkaktuar të paktën 191 viktima.
Në të njëjtën kohë, Trump ka shtuar presionin ndaj vendeve të rajonit që të bashkëpunojnë më ngushtë me SHBA-në për goditjen e karteleve të drogës dhe grupeve kriminale ndërkombëtare, të cilat ai i konsideron “kërcënim të papranueshëm” për sigurinë kombëtare të hemisferës.
Sebastian Gorka deklaroi se zyrtarët amerikanë do të takohen me aleatët gjatë kësaj jave për të diskutuar forcimin e strategjive kundër terrorizmit.
“Presidenti e ka bërë shumë të qartë se serioziteti i një partneri apo aleati do të matet nga kontributi që sjell në tryezë”, tha Gorka para gazetarëve, duke shtuar se SHBA pret “më shumë” nga partnerët e saj.
Grupet e majta mbeten një shqetësim i madh për administratën republikane, ndërsa strategjia vendos në shënjestër “ekstremistët e dhunshëm të majtë, përfshirë anarkistët dhe antifashistët”.
Dokumenti thekson se përpjekjet amerikane kundër terrorizmit do të “prioritetizojnë identifikimin dhe neutralizimin e shpejtë të grupeve politike të dhunshme sekulare, ideologjia e të cilave është anti-amerikane, radikalisht pro-transgjinore dhe anarkiste”.
Që nga rikthimi në pushtet vitin e kaluar, Trump ka ashpërsuar retorikën kundër njohjes së diversitetit gjinor dhe komunitetit transgjinor.
Ai ka deklaruar vazhdimisht se administrata e tij ka ndaluar pjesëmarrjen e grave transgjinore në sportet e femrave dhe, menjëherë pas inaugurimit, firmosi një urdhër ekzekutiv ku shpallte se ekzistojnë vetëm dy gjini.
Per transgjinoret Trump eshte Shume OK. Edhe pse ka njerez me keto orjentime, kunder natyres, biologjia,shkenca dhe feja jane kunder legalizimeve. JE OK. Per migraciomin, terrorizmin dhe drogen, problemi duhet pare nga Ju Z.Trump pasi qe nga viti 89 lufta ne irak, me pas ne 2002 po ne irak e afganistan, duke vijuar me pranveren arabe ne 2010 dhe tani me iranin nuk eshte faji I europes, por me rrezimin e qeverie te ketyre vendeve ju ishit qe e mbytet europen me migracion depertim terroristesh dhe droge nga Afghanistan, dhe Amerika e Jugut dhe Qendrore. Sa per qeverisjet majtiste radikale ne Europe,edhe ketu ha diskutim, pasi Europa eshte distancuar plotesisht nga Putini dhe me pak nga Xi, nderkohe qe Juve e konsideroni gjeni Z.Putin. Te majtet radikale nqf I nxiti kush ishit Juve. Europiano Perendimoret pas LDB kane ndjekur ideologjine Amerikane. Sa here ndryshonte pushteti ne SHBA, pernjehere ndikonte edhe ne sistemin ideologjik Europian,ishin ne te njejten linje. Ajo u prish pikerisht ne qeverisjen e Z.Trump. ShBA-ne te madhe pervec popullit amerikan, nje ndikim mjaft pozitiv ka patur edhe europa,te cilen Trump po e lufton me santazh,presion dhe percarje brenda aleances.