
Policia e Shtetit ka reaguar për arrestimet te IMT Tiranë, ku punonjës të këtij institucioni ishin përfshirë në raste korrupsioni duke u marrë para lokaleve për të mos ju shembur tendat pa leje.
Sipas policisë, në pranga ra punonjësi i IMT-së, Geraldo Fuçia, ndërsa në kërkim është shpallur inspektori Klajdi Zhilla.
Gjithashtu janë proceduar penalisht shtetasit E. Ç., 48 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i IMT, bashkia Tiranë; A. E., 26 vjeç, banues në Tiranë, menaxher i një lokali në Tiranë.
Gjatë aksionit, policia ju ka sekuestruar 3000 eurove inspektorëve.
Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, gjatë kontrolleve në subjekte (lokale), për evidentimin dhe lirimin e hapësirave publike të zëna në kundërshtim me ligjin, iu kanë kërkuar para pronarëve të subjekteve, që të mos i hiqnin çadrat/tendat që zinin hapësirat publike përreth subjekteve.
Skema:
Rasti ka ndodhur në zonën e Kombinatit, ku katër inspektorë të IMT kanë konstatuar një tendë të ndërtuar pa leje pranë një objekti. Pas konstatimit dhe njoftimit për prishjen e objektit, njëri nga inspektorët është rikthyer dhe i ka kërkuar pronarit 1 mijë euro në këmbim të mosprishjes së tendës.
Pronari ka njoftuar menjëherë policinë, e cila ka organizuar një operacion të kontrolluar për dokumentimin e korrupsionit. Uniformat blu i kanë dorëzuar pronarit paratë me numër serial të regjistruar, të cilat më pas janë dhënë punonjësve të IMT.
Sipas hetimeve, dy nga të dyshuarit, Geraldo Fuçia dhe Klajdi Zhilla, janë takuar më pas në një lokal, ku kanë tentuar të fshehin paratë. Fillimisht, gjatë kontrollit, policia gjeti një telefon dhe një shumë tjetër parash që nuk përputhej me ato me numër serial. Pas verifikimit të kamerave të sigurisë, u konstatua se paratë ishin dorëzuar banakierit të ambientit të jashtëm të lokalit.
Aktualisht në pranga është vënë vetëm Geraldo Fuqia, ndërsa Klajdi Zhilla është në kërkim. Dy punonjësit e IMT dyshohen për veprën penale të korrupsionit pasiv. Dy të tjerët, Edmond Çela dhe Niko Zmalaj janë liruar sepse nuk kanë rezultuar sipas pamjeve filmike të kenë marrë para.
"Finalizohet operacioni policor i koduar “Hapësira publike“, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, nga strukturat e Policisë së Shtetit, në drejtimin e SPAK-ut.
Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin për Policinë Kriminale, në Policinë e Shtetit, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të një procedimi të regjistruar për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funskione publike“ dhe “Shpërdorimi i detyrës“, të kryera në bashkëpunim, finalizoi operacionin e koduar “Hapësira publike“.
Në kuadër të këtij operacioni:
-u arrestua në flagrancë shtetasi G. F., 33 vjeç, punonjës i IMT, bashkia Tiranë;
-nisi procedimi penal për shtetasit E. Ç., 48 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i IMT, bashkia Tiranë; A. E., 26 vjeç, banues në Tiranë, menaxher i një lokali në Tiranë;
-u shpall në kërkim shtetasi K. Zh., 35 vjeç, banues në Tiranë, inspektor i IMT, bashkia Tiranë.
Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, gjatë kontrolleve në subjekte (lokale), për evidentimin dhe lirimin e hapësirave publike të zëna në kundërshtim me ligjin, iu kanë kërkuar para pronarëve të subjekteve, që të mos i hiqnin çadrat/tendat që zinin hapësirat publike përreth subjekteve.
Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3000 euro dhe 27 000 lekë, që dyshohet se janë përfituar nga korrupsioni aktiv i punonjësve të IMT, një automjet tip “Audi A6“ si dhe 4 celularë.
Punohet për kapjen e shtetasit K. Zh. dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie të kundërligjme. Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme", njofton policia.
Lini një Përgjigje