
Një 28-vjeçar është arrestuar nga policia pasi po trafikonte 4 emigrantë të paligjshëm drejt Malit të Zi kundrejt pagesës 1500 euro për person.
Në pranga ka rënë Artur Marku, banues në Tiranë. Ndërsa në gjendje të lirë janë proceduar edhe 4 emigrantët, për kalim të kufirit në mënyrë të paligjshme.
“Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme "Shqiponja", Policinë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Shkodër, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një shtetas që do të transportonte emigrantë të paligjshëm nga Gjirokastra drejt Shkodrës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "By pass", njoftoi policia.
Sipas policisë, 28-vjeçari Artur Marku është i dënuar më parë për vjedhje, kurse këtë herë ndaj tij rëndojnë akuzat "ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit" dhe "drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt".
Aksioni është kryer në afërsi të rrethrrotullimit "5 Heronjtë e Vigut", kur shërbimet e Policisë kanë lokalizuar 28-vjeçarin duke drejtuar pa leje drejtimi një automjet tip "Audi", me të cilin po transportonte 4 emigrantë drejt kufirit me Malin e Zi.
“Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se 28-vjeçari i arrestuar iu kishte premtuar transportimin nga Gjirokastra në drejtim të kufirit me Malin e Zi, kundrejt pagesës 1500 euro për person, 4 emigrantëve që kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në Shqipëri”, sqaroi policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Lini një Përgjigje