TAGS-AT E JAVËS

Kronike19 Qershor 2026, 14:28

Akuzohet si i përfshirë në vrasjen e Santiago Malkos, Apeli i GJKKO liron nga qelia Ilir Selmanin

Shkruar nga Pamfleti
Akuzohet si i përfshirë në vrasjen e Santiago Malkos, Apeli i
Selmani-Malko

Gjykata konstatoi tejkalimin e afateve të paraburgimit dhe urdhëroi lirimin e menjëhershëm të Ilir Selmanit nga qelia.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka ndryshuar masën e sigurisë për Ilir Selmanin, i akuzuar si një nga autorët e vrasjes së ish-policit Santiago Malko, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2019 në Tiranë.

Me vendimin e shpallur këtë të premte, më 19 qershor 2026, Apeli i GJKKO-së pranoi kërkesën e Selmanit dhe konstatoi humbjen e fuqisë së masës së sigurimit “Arrest në burg”, për shkak të kalimit të afateve ligjore të paraburgimit.

Si pasojë, gjykata vendosi zëvendësimin e saj me masën “Arrest në shtëpi”, duke urdhëruar që i pandehuri të mos largohet nga banesa e tij në Tiranë.

Në vendim parashikohet gjithashtu lirimi i menjëhershëm i Selmanit nga ambientet e paraburgimit dhe shoqërimi i tij në banesë për ekzekutimin e masës së re të sigurisë. 

Sipas dosjes së SPAK, Ilir Selmani është pjesë e grupit kriminal të Leonard Dukës, i akuzuar për një sërë ngjarjesh të rënda kriminale. 

Për atentatin u akuzua “Klani Duka” dhe motiv u dyshua hakmarrja për një dhunim që ish-polici i kishte bërë babait të dy vëllezërve Duka. SPAK pati të pandehur dhe të hetuar të paktën 13 persona të përfshirë në organizimin dhe finalizimin e vrasjes, një pjesë e madhe e të cilëve tashmë të dënuar.

“Urdhërohet prokurori dhe policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi me anë të mbikëqyrjes së pandërprerë të qëndrimit në banesë të të pandehurit I.S. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit I.S dhe shoqërimi i tij për në banesë”, thuhet në vendimin e Apelit.

Njoftimi i plotë i Gjykatës

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

VENDOSI:

Pranimin e kërkesës, konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit për të pandehurin Ilir Selmani të lidhur me masën e sigurimit “Arrest në burg”, të caktuar me vendimin nr.145, datë 10.10.2019 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, verifikuar me vendimin nr.43, datë 17.04.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj të pandehurit Ilir Selmani, duke e urdhëruar të mos largohet nga banesa e tij në Tiranë.

Urdhërohet prokurori dhe policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi me anë të mbikëqyrjes së pandërprerë të qëndrimit në banesë të të pandehurit I.S.

Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurit I.S. dhe shoqërimi i tij për në banesë për ekzekutimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditësh nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.

U shpall në Tiranë, sot më datë 19.06.2026.

Roli i Ilir Selmanit në vrasjen e Santiago Malkos

Ilir Selmani rezulton se është prej disa vitesh pjesë e klanit ‘Duka’ që njihet ndryshe edhe si banda e romëve. Në organizimin e vrasjes së Santiago Malkos, Selmani, sipas të dhënave të dosjes hetimore, ka kthyer makinën në momentin që e ka udhëzuar Leonard Duka. Ky i fundit, i ka kërkuar Ilir Selmanit që të kthente automjetin sepse më në fund kishte arritur ta identifikonin dhe lokalizonin objektivin e tyre, Malkon. Ata janë kthyer dhe janë ndaluar pikërisht në rrugën ‘Xhanfize Keko’ ku u qëllua pak minuta më vonë edhe Santiago Malko.

Ndërkohë në disa pamje të dala së në media, Ilir Selmani u shfaq teksa mblidhte bishtat e cigareve që kishte hedhur në tokë Blendi Teta, njeriu që mendohet se survejoi lëvizjet e ish-policit Santiago Malko. Selmani mbledh bishtat dhe i hedh në një kazan mbeturinash për të zhdukur çfarëdolloj prove që mund të ishte e rrezikshme dhe të identifikonte grupin.

Vrasja e Santiago Malkos

Ish-polici Santiago Malko u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë, në makinën e tij tip “BMW X5”. Malko kishte gjithashtu në pronësi disa pika bastesh sportive. Ai ka qenë i përfshirë në ngjarjen e 4 tetorit të vitit 2018, ku dhe ndodhi vrasja e Fabian Gaxhës në ish-Bllok pas një përplasjeje me armë. Gjithashtu ish-polici i vrarë është përfshirë në një sherr me dy vëllezërit Lashi në vitin 2016 për një borxh prej 1 mijë eurosh.

Pas kësaj ngjarje të rëndë, u zbulua se Santiago Malko ka qenë pjesë e Inspektoriatit të Mjedisit dhe Pyjeve, ku ka punuar si inspektor edhe pse ka qenë i shpallur në kërkim. 

Lini një Përgjigje