TAGS-AT E JAVËS

Kronike 2 Mars 2026, 21:32

Arrestohet Gazmend Buçpapaj, autori i vrasjes së Egli Pashollarit

Shkruar nga Pamfleti
Arrestohet Gazmend Buçpapaj, autori i vrasjes së Egli Pashollarit
Gazmend Buçpapa

Ai ishte fshehur në Tropojë...

Ka rënë në prangat e policisë, Gazmend Buçpapaj (40 vjeç), autori i vrasjes së Egli Pashollarit (31- vjeç), disa ditë më parë në Lagjen “21 dhjetori” në Kryeqytet. Ai ishte shpallur në kërkim nga policia që nga data 20 shkurt, pasi pas një sherri të momentit qëlloi me thikë në shpinë Pashollarin, dhe u arratis nga vendi i ngjarjes. Pas kërkimeve intensive nga ana e policisë ai u lokalizua në vendlindjen e tij, në Tropojë dhe më pas u arrestua.

“Si rezultat i veprimeve operacionale profesionale, të kryera në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, për lokalizimin dhe ndalimin e autorit të vrasjes së shtetasit E. P., kryer më datë 20.02.2026, gjatë një konflikti në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë finalizuan operacionin e koduar “Distanca”. Në kuadër të këtij operacioni, pasi u lokalizua dhe u mbajt në mbikëqyrje në banesën ku fshihej në vendlindjen e tij, në Tropojë, u bë ndalimi i shtetasit G. B., 40 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, njofton policia.

-Si ndodhi ngjarja?

Ngjarja ndodhi më 20 shkurt, rreth orës 15:40 ku pas një debati për bllokimin e rrugës, situata ka përshkallëzuar në dhunë fizike. Gazmend Buçpapaj, bashkë me gruan e tij dhe një person tjetër, janë konfrontuar fizikisht me 31-vjeçarin, ndërsa konflikti ka degjeneruar në përdorimin e thikës. 40-vjeçari në sherr e sipër ka goditur me thikë në shpinë Pashollarin, plagë e cila do të rezultonte fatale për të riun.

Pas ngjarjes, të dyshuarit janë larguar me automjetin e Buçpapajt. Më pas mjeti është braktisur dhe ata kanë marrë një taksi drejt banesës së tyre në zonën e Sharrës. Pas mbërritjes në shtëpi, Gazment Buçpapaj është arratisur në drejtim të paditur.

Më vonë bashkëshortja e Buçpapës është shoqëruar në polici dhe është marrë në pyetje, ku ka dhënë edhe dëshminë e saj.

-Video e sherrit

-Dëshmia e bashkëshortes së Gazmend Buçpapës

Laureta Buçpapaj ka treguar se më 20 shkurt, rreth orës 15:05, pas përfundimit të orarit të punës, është larguar me një automjet tip “Audi” që drejtohej nga bashkëshorti i saj.

Gjatë lëvizjes në zonën e rrugës “Ylbere Bylykbashi” dhe më pas në “Kongresi i Lushnjës”, ajo ka deklaruar se është krijuar një situatë tensioni me një automjet ngjyrë gri. Sipas saj, mjeti në fjalë u kishte bllokuar rrugën, ndërsa bashkëshorti i saj kishte përdorur borinë për t’i kërkuar hapjen e rrugës.

Ajo ka pohuar se nga mjeti tjetër kishin dëgjuar ofendime, por kishin vijuar rrugën. Megjithatë, pak më vonë, e njëjta makinë ka lëvizur ngadalë përpara tyre dhe më pas ka ndaluar.

Ka dalë shoferi, një djalë rreth 30 vjeç, me trup të dobët, i veshur me bluzë të zezë me mëngë të shkurtra, i shoqëruar nga dy persona të tjerë, dhe është afruar drejt mjetit tonë”, ka deklaruar ajo.

Në këto rrethana, sipas dëshmisë, nga automjeti ka zbritur edhe Gazment Buçpapaj dhe mes tyre ka nisur një përplasje fizike me grushte. Laureta Buçpapaj ka thënë se edhe ajo ka ndërhyrë, duke shtyrë drejtuesin e mjetit dhe një prej personave që e shoqëronte.

Pas disa çastesh, ajo ka vënë re se shoferi i mjetit tjetër ishte gjakosur. Më pas, sipas saj, bashkëshorti e ka kapur nga krahu dhe janë larguar me automjetin e tyre.

Nga verifikimi i kamerave të sigurisë rezulton se rreth 50 metra nga vendi i konfliktit, çifti ka braktisur automjetin dhe është larguar në këmbë drejt rrugës së Kavajës, ku më pas kanë marrë një taksi për në banesën e tyre në zonën e “Sharrës”.

Në dëshminë e saj, Laureta Buçpapaj ka deklaruar se bashkëshorti ka ndërruar rrobat në banesë dhe është larguar në këmbë drejt qendrës së Tiranës, pa marrë me vete telefonin celular. Ajo ka shtuar se nuk ka më dijeni për vendndodhjen e tij.

Ndër të tjera, ajo ka pohuar se nuk e ka parë momentin e goditjes fatale, por dyshon se bashkëshorti mund ta ketë goditur viktimën me një thikë me palosje, të cilën sipas saj e mbante në automjet./Pamfleti

Lini një Përgjigje