Të martën e 28 tetorit, një 25-vjeçar në Shkallnur të Durrësit vrau me thikë babain, 69-vjeçarin Pjetër Kodheli. Sipas dëshmisë së Marjan Kodheli, konflikti me të atin kishte nisur rreth 6 muaj më parë dhe ishte duke ngrënë kur mes tyre pati një situatë që përshkallëzoi në tragjedi.
Gazetari Merin Maçi tha viktima kishte humbur nënën 4 ditë para se të humbte jetën. Pasi janë larguar motra dhe nipi i tij, bashkëshortja kishte shkuar te bagëtitë dhe kur ishte kthyer, kishte parë të birin duke gjuajtur të atin me thikë. Ai është ndaluar prej saj, por më pas ka marrë një hekur në oborr për ta goditur tri herë të atin.
Deri më tani dyshohet se viktima ka probleme të shëndetit mendor, por ai e refuzon këtë.
"Viktima, Pjetër Kodheli, vetëm 4 ditë para se të humbte jetën, kishte humbur nënën e tij dhe për këtë arsye, ditën që ka ndodhur ngjarja, gjatë ditës së djeshme në drekë ka pasur motrën dhe nipin për drekë dhe teksa kanë ngrënë drekë së bashku, me bashkëshorten, djalin, motrën dhe nipin, gjithçka ka qenë tejet normale. Në momentin që motra dhe nipi janë larguar nga ambientet e shtëpisë së tij për te motra tjetër që ndodhej në zonën e Maminasit, bashkëshortja e viktimës rrëfen se ka shkuar te bagëtitë për t’i parë nëse kishin ardhur në atë fushë që kishin dhe kur është kthyer në banesë ka dëgjuar të bërtitura nga brenda banesës. Është futur brenda dhe ka parë djalin e saj, M.K., teksa e godiste me thikë disa herë në trup viktimën Pjetër Kodheli, 69 vjeç. Ky person është ndaluar për momentin nga e ëma, e cila ia ka hequr thikën dhe e ka lënë sipër tavolinës, ka dalë në ambientet e jashtme të banesës, ka shkuar në ambientet e jashtme të bahçes, ka marrë një hekur dhe është kthyer sërish për ta goditur. E ka goditur edhe tri herë me hekur dhe më pas është larguar ku është arrestuar më pas nga policia në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Në rrëfimin që ai ka bërë, ka pretenduar se në momentin që është larguar halla e tij me djalin e hallës, babai i tij i ka shprehur dhe i ka kërkuar që në momentin që i vijnë njerëz për qokë, për rastin që i kishte ndodhur në humbjen e nënës të jetë më i sjellshëm sepse njerëzit vijnë për t’i respektuar. Gjatë gjithë bisedës që kanë pasur, autori pohon se i ati ishte shumë i shqetësuar për shkak të shpenzimeve që kishin kryer për ceremoninë mortore. Ai në asnjë moment nuk pranon që ka pasur probleme të shëndetit mendor, nuk ka një kartelë të shëndetit mendor.", tha Merin Maçi.
Autori kishte jetuar për 6 vite në Francë dhe pas kthimit, ishte vënë re një ndryshim në karakterin e tij duke u bërë më i mbyllur. Në dëshminë e nënës së tij, ajo thotë se shkak nuk ishin sherret me të atin, por xhelozia ndaj vëllait.
"Edhe në momentin që është arrestuar dhe ka deklaruar atë se çfarë ka ndodhur nuk ka shprehur pendesë, por nga ana tjetëe thotë që nuk jam i lumtur për atë që kam kryer. Nëna e tij jep një tjetër version. Ajo thotë se me të vërtetë djali i saj ishte një person i mbyllur, por arsyeja që ka kryer krimin vjen për shkak të sherreve që kishte apo konflikteve sepse nuk kishte diçka të tillë, por sepse ai ishte xheloz për mënyrën sesi trajtohej vëllai i tij, pra dashuria që kishte në familje për vëllain tjetër.", deklaroi gazetari.
Nëna ka dëshmuar edhe se për këtë sjellje të djalit është konsultuar me mjeken e lagjes që i ka rekomanduar specialistë të shëndetit mendor.
"Kisha vënë re që djali kishte një sjellje të mbyllur dhe nuk komunikonte shumë dhe shkova te mjekja e lagjes që merret me diagnostikimin e virozave dhe e pyeta çfarë ka djali. Ajo i kishte thënë më pas të shkojë te një psikolog ose psikiatër. Në asnjë moment, ajo nuk ka pranuar se çfarë kishte vërtet djali.", shtoi ai.
Lini një Përgjigje