
Zbardhen detaje nga arrestimi i 41-vjeçarit Flodian Plakut, i njohur me mbiemrat Mamo e Serjani dhe me nofkën “Pole Qorri”. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi dyshohet si autor i vrasjes së Gentian Bejtjas më 15 mars 2024.
41-vjeçari u kap në një hotel në Orikum nga Forcat Operacionale në një operacion të drejtuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë. Po ashtu, gjatë operacionit është arrestuar edhe një person tjetër.
Raportohet se në momentin e arrestimit, Plaku kishte me vete dy armë zjarri (pistoleta). Personi i arrestuar, bashkëpunëtor i tij është identifikuar si shtetasi Juljan Aliaj.
Sakaq, nga informacionet e marra deri tani, mësohet se Plaku kishte marrë porosi për të kryer sërish vrasje.
Flodian Plaku jetonte kryesisht në Greqi dhe Itali dhe auzohet si një nga tre atentatorët ndaj ish-policit Gentjan Bejtja, në Fushë-Krujë, brenda rrethimit të banesës së tij, teksa ujiste perimet në kopsht dhe në prani të familjarëve.
Krimi dyshohet se ndodhi me motive hakmarrjeje, si pasojë e luftës për hakmarrje dhe rivalitet mes grupeve kriminale të Fushë-Krujës, Ervis Martinajt, Indrit Dokles dhe Durim Bamit.
Vetëm 4 ditë pasi u vra Gentian Bejtja, policia arrestoi në flagrancë Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi, alias Ilir Mançellari, 41 vjeç dhe Edison Haxhiun, 30 vjeç, si të dyshuar për ekzekutimin mafioz, bashkëpunëtorë. Pas ngjarjes, ata dogjën makinën e krimit dhe armët në periferi, dhe u larguan me një tjetër mjet.
I njohur ndryshe si ‘Pole Qorri’, emri i tij rezulton si ‘koka e bandës’ së trafikut të drogës, nga Vlora drejt Italisë.
Lini një Përgjigje