TAGS-AT E JAVËS

Kronike 5 Tetor 2025, 15:45

Detaje nga atentati në Sarandë ndaj Isuf Jacaj: U përdorën 800 gram tritol, policia kontrolle edhe në Tiranë

Shkruar nga Pamfleti

Detaje nga atentati në Sarandë ndaj Isuf Jacaj: U përdorën

Zbardhen detaje të reja nga atentati në Sarandë ndaj Isuf Jacajt. Mësohet se për atentatin u përdorën 800 gram tritol, ndërkohë kontrollet vijojnë dhe në Tiranë.

Bëhet me dije se 10 persona janë shoqëruar në polici, për t’u pyetur në lidhje me ngjarjen. Nga shpërthimi humbi jetën 58-vjeçari Isuf Jaçaj, një person me precedentë penalë që prej viteve ’90, i përfshirë në disa ngjarje të dhunshme në qytetin bregdetar. 

Dyshohet se atentati u krye nga dy persona, ndërsa policia ka marrë në pyetje edhe banorë të lagjes nr. 3.

Burime të Pamfletit konfirmojnë se Isuf Jacaj është babai i Klaus Jacajt, 31 vjeç, aktualisht në burg për “përkrahje të autorit të krimit”, lidhur me plagosjen e datës 17 korrik 2025, kur Ramadan Zoto qëlloi me armë në lagjen nr. 4, duke plagosur Gëzim Hajdarajn dhe Ernest Lamën nga Kamza. Vetëm katër ditë pas kësaj ngjarjeje, më 21 korrik, një person i maskuar me maskë silikoni vendosi eksploziv në makinën e Klaus Jacajt, duke e shkatërruar plotësisht atë.

Policia po heton në pistën e hakmarrjes së drejtpërdrejtë ndaj familjes Jacaj, si vijim i konflikteve të hapura të verës së këtij viti. Grupi hetimor ka rrethuar zonën dhe po verifikon pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar autorët.

Pas atentatit me lëndë plasëse, banorët e lagjes numër 3 të Sarandës rrëfejnë tmerrin e përjetuar nga shpërthimi i fuqishëm.

Teksa shprehin keqardhje për ngjarjen e rëndë, dy të moshuara thonë se siguria e jetës në Sarandë po bëhet gjithnjë e vështirë, për shkak të ngjarjeve të shumta kriminale.

“E dëgjova shpërthimin, kush e di se sa ton dinamit i kishin vënë. Ku e di unë se ça ka bërë ai baba, që e ka djalin nëpër burgje. Më është prishur gjaku. E dëgjova zhurmën dhe u tremba”, tha një banore e zonës.

Lini një Përgjigje