Policia sekuestroi 25 mln euro kokainë, ndërsa dyshohet se anëtarët e grupit kriminal fshihen në Shqipëri.
Zbardhen detaje të tjera nga megaoperacioni i Antimafias italiane dhe Policisë, për goditjen e një bande shqiptare, e cila merrej me grabitje të vilave luksoze dhe lëndë narkotike, vlera e të cilës nëse do të shitej me pakicë shkonte deri në 25 milionë euro.
Aktualisht konfirmohen mbi 60 persona të akuzuar, nga të cilët 39 prej tyre janë arrestuar. Policia ka sekuestruar 250 kilogramë kokainë që vinte nga Amerika e Jugut dhe 40 kg hashash.
Trafiku i organizatës shtrihej deri në principatën e San Marinos, teksa hetimet i ka drejtuar Antimafia e Firences dhe aksionin e kanë kryer Karabinierët e Komandës Provinciale të Riminit, me shkallë të gjerë, duke përfshirë disa rajone.
Hetimi i nisur muaj më parë nga Seksioni i Operacioneve të Ricciones, çmontoi një rrjet kriminal të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë. Sipas policisë, pasi kryente grabitjet me vlerë qindra mijëra euro, grupi kriminal i investonte në blerjen e sasive të drogës, nga e cila shumëfishonte edhe fitimet. Trafiku kishte si objektiv kryesor shpërndarjen me dërgesa të porositura në banesat e klientëve, në Riviera, Marche dhe San marino. Hetuesit thanë se rrjeti kriminal ka kryer blerje të drogës me vlerë 8 milionë euro në treg shumice dhe që do trefishohej pas përgatitjes së saj laboratorike apo prerjes.
Gjatë kontrollit u gjetën armë zjarri, bizhuteri, ora dhe mallra luksi me vlerë mijëra euro. Autoritetet po verifikojnë gjithashtu një lidhje të mundshme mes një prej grupeve kriminale dhe vjedhjes së ndodhur më 29 dhjetor në shtëpinë e Pierina Paganelli, gruas së vrarë më 3 tetor 2023, në “Via del Ciclamino”, në në Rimini, ende e pazbardhur.
I rëndësishëm është edhe kapja e një të arratisuri të rrezikshëm në Piacenza, në shoqërinë e gruas së tij, pjesë e një bande ‘skifterësh’, që ndihmohej edhe nga një karabinier për grabitjet e të moshuarve në zonë.
Gjykata ka vendosur 26 masa sigurie me burg, 3 me arrest shtëpiak dhe 10 marrje në pyetje. Të tjerët po hetohen në gjendje të lirë dhe disa nga të dyshuarit janë ende të pa gjurmuar ndërsa besohet se fshihen edhe në Shqipëri.
Lini një Përgjigje