
Një ngjarje shumë e rëndë ka ndodhur në Përmet ditën e sotme, pasi një i ri ka mbytur nënën e tij, duke i vendosur një qese plastmasi. Sipas policisë, 24-vjeçari A.M mbyti nënën e tij 65-vjeçare Z.M. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Partizani”, ndërsa i riu dyshohet se vuan nga depresioni.
Policia menjëherë pas marrjes së njoftimit janë vënë në ndjekje të autorit dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Përmet, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.
“Më datë 03.06.2023, rreth orës 21:00, në lagjen “Partizani”, Përmet, dyshohet se në gjendje depresive, shtetasi A. M., 24 vjeç, ka mbytur nënën e tij, shtetasen Z. M., 65 vjeçe. Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit janë vënë në ndjekje të autorit dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Përmet, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.